LEZHE - Pas lajmit të përhapur nga gazeta italiane "Corriere della Sera" se familjarët e kushërinjve Alban dhe Agron Lleshaj i njohin ekzekutorët dhe do të marrin hak sipas ligjeve të Kanunit, babai i 24-vjeçarit Alban Lleshaj hedh poshtë pretendimet e mediave italiane.

Zef Lleshaj deklaroi se askush nga familja nuk ka thënë se i njeh vrasësit dhe askush nuk ka folur për hakmarrje.

Babai i 24-vjeçarit thekson se familjarët nuk dinë as motivin e vrasjes, pasi djemtë e tyre nuk kishin asnjë konflikt.

"Nuk i njohim autorët, nuk kemi bërë asnjë deklaratë për mediat se do të bëjmë vetëgjyqesi. Ne nuk dimë as motivin e vrasjes së dy djemve tanë. Ata nuk kishin asnjë konflikt, të paktën në dijeninë tonë. Kërkojmë nga drejtësia italiane që të zbardhë ngjarjen dhe të verë para drejtësisë autorët"- deklaroi Zef Lleshaj.

Familja Lleshaj ka hapur dyert e mortit në fshatin spiten të Lezhës.
 
Shkrimi në 'Corriere della Sera'
'Corriere della Sera' shkruante një ditë më parë se familjarët e dy kushërinjve, Agron dhe Alban Lleshaj që u ekzekutuan në Canegrate në Itali, deklarojnë se i njohin autorët e vrasjes dhe do të marrin hak ndaj tyre sipas ligjeve të Kanunit.

Sipas gazetës, familjarët e shqiptarëve nuk pranojnë të bashkëpunojnë me policinë dhe hetuesit italianë, por shprehen se do ta vendosin vetë drejtësinë në vend.

Në artikullin e publikuar nga gazeta italiane thuhet se familjarët e Agron dhe Alban Lleshajt duan të marrin gjak, sipas ligjeve të Kanunit, të cilat vijojnë të funksionojnë ende në zonat përreth Lezhës, ku kanë lindur kushërinjtë e vrarë në Itali.

Familjarët e viktimave jetojnë një pjesë në Shqipëri dhe një pjesë tjetër në Lombardi.

Lleshajt dhe armiqtë e tyre
Sipas mediave italiane, Alban Lleshaj ishte takuar me disa bashkëkombas të tij, para vrasjes, jo larg vendit ku u ekzekutua me armë. Dyshohet se Lleshaj ka debatuar me ta për shkak të konflikteve të vjetra apo prishje të pazareve të drogës.

Albani ka telefonuar kushëririn e tij Agronin dhe në momentin kur ka hipur në makinën e tij 'Volkswagen Polo', janë qëlluar të dy me armë zjarri. Sipas hetuesve, Albani ka humbur jetën menjëherë, ndërsa kushëriri i tij ka vijuar të drejtojë makinën i plagosur, për rreth 250 metra, derisa ka humbur jetën.

Dy shqiptarët Agron e Alban Lleshaj, 24 e 32 vjeç u ekzekutuan me 10 plumba mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 22.54 në Canegrate, në Itali.

(er.nu/shqiptarja.com)