Kërkimet për eshtrat e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha i cili mbeti i vrarë më 21 tetor 1995 do të mbyllen. Këtë e ka bërë të ditur djali i tij, Ardian Hoxha përmes një postimi në Facebook.

Ai shkruan se për 25 vjetorin e vrasjes dhe zhdukjes së tij, do t'i japin fund kërkimeve për eshtrat e tij. Gjithashtu ai shkruan se vitin e ardhshëm do të bëjnë varrin dhe memorialin e të atit.

"Me rastin e 25 vjetorit të rrëmbimit dhe vrasjes së babait tonë Remzi Hoxha, ju ftoj në konferencë për media, në Sëiss Diamond Prishtina të mërkurën më 21.10.2020 në orën 13:00. Pas 25 vite vuajtje, malltretime dhe tortura psiqike e emocionale, familja jonë ka vendosur t'i japi fund kërkimeve të pafunda të eshtrave të tij dhe të mbyllim këtë kapitull të tmerrshëm të jetës sonë. Vitin që vjen më 21 tetor 2021, do bëjmë varrin dhe memorialin e babait tonë Remzi Hoxha me ç'rast ju njoftojmë dhe për detaje të tjera" - shkruan i biri i tij, Ardian Hoxha në Facebook.

Remzi Hoxha u ekzekutua më 21 tetor të vitit 1995 ndërkohë që trupi i tij u zhduk nga ShIK. Familjarët e tij mendojnë se vrasja e tij u bë me urdhër të kryeministrit Sali Berisha ndërsa ish-SHIK-sat Ilir Kumbaro dhe Arben Sefgjini si zbatues.  "Personat e implikuar nga më i larti janë; Sali Berisha, Bashkim Gazidede, Ilir Kumbaro, Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashit" shprehej pak kohë më parë për Reoport Tv djali i biznesmenit, Ardian Hoxha.

Për këtë ngjarje ish-punonjësi i SHIK-ut Budjon Meçe u dënua bashkë me Ilir Kumbaron por në momentin e fundit në gjyq mbërriti një “raport mjekësor” sipas të cilit Budjon Meçe ishte “në gjendje koma në një spital privat” në Tiranë. Vendimi për të nuk u aktivizua, ndërkohë që Hoxha tha sot se nuk është më gjallë.

Vetëm një vit më parë, Ardian Hoxha deklaroi se nj nga dëshmitarët kryesorë, Budjon Meçe nuk është më gjallë. I zhgënjyer me qeverinë socialiste dhe kryeministrin Rama, pasi sipas tij nuk bënë asgjë për zbardhjen e vrasjes dhe gjetjen e Budjon Meçes, Ardian Hoxha thotë se ka informacion se ish-punonjësi i SHIK-ut nuk është më gjallë.