TIRANE - Policia vijon hetimet për vrasjen e Saimir Zizës, ku pista kryesore vijon të mbetet hakmarrja. Kështu, policia ka nisur shoqërimet në Peshkopi dhe në Tiranë për vrasjen e Zizës. 

28-vjeçari u qëllua me armë mbrëmjen e të premtes në derën e shtëpisë së tij në fund të rrugës 5 Maji në Tiranë, ndërsa ndërroi jetë disa orë më vonë në spitalin e traumës. 

Në këtë kuadër, mes të shoqëruarve është një i afërm i 10-vjeçarit që u dhunua dhe u vra nga Shpëtim Ziza, tetorin e vitit 2007, por ai u la i lirë.

Ndërkaq Shpëtim Ziza, vëllai i viktimës, vuan dënimin me burgim të përjetshëm për këtë krim.

plumb
plumb
(Në foto: Plumbat që vranë Saimir Zizën që u gjendën në banesen e tij)

Mësohet se vetë familjarët e Zizës janë shprehur se sipas tyre vrasja ndaj djalit të tyre mund të ketë ndodhur me pagesë.  Ndërkohë, plumbat që goditën Saimir Zizën të premten, ndodheshin ende ditën e djeshme në shkallët e banesës.

"Ishin dy vetë me çfarë me thanë dhe kishin pasur një foto pashaporte të Mirit dhe i kishin rënë derës. Dhe kur ka hap Miri derën ka menduar se mos është ndonjë shok dhe i kishin thënë "Ky është" dhe me kaq kan gjuajtur në të dhe e kanë lënë të vdekur. 28 vjeç me 12 tetor, dhe ka vajzën një vit e tre mujë. Po e ka thënë me gojë të vet ne fillim ai se unë do vras më të mirin." shprehet e ëma e Saimir Zizës

Në orët e mesditës thuajse të gjithë personat e shoqëruar si të dyshuar për vrasjen e Saimir Zizës janë lënë të lirë, pasi nuk janë siguruar prova që të mund t’I lidhnin ata me vrasjen e 28-vjeçarit. 

Hetuesit kanë kaluar në fazën e verifikimit të dëshmive të shoqëruarve për të parë mospërputhjet dhe elementët që mund të zbardhin ngjarjen. Për vrasjen e 28 vjeçarit Ziza të premten, hetimet e policisë janë përqëndruar tek pista e hakmarrjes.

saimir ziza
(Në foto: Vikima Saimir Ziza)

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)