Artan Myrtaj, 44-vjeçari që u ekzekutua në mes të Sarandës paraditen e së dielës, rezulton i përfshirë në një plagosje në qytetin bregdetar në vitin 2025, e cila u pasua nga një zinxhir ngjarjesh kriminale, përfshirë edhe një vrasje.

Më 17 korrik 2025, Myrtaj i njohur edhe si “Tani i Rruzhdiut”, u përfshi në plagosjen e dy të rinjve nga Kamza, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lame. Gjithçka nisi nga një konflikt për një tokë pranë bregdetit në lagjen numër 1 të Sarandës. Autorë të dyshuar të plagosjes ishte Ramadan Canaj, alias Ramadan Zoto, 44 vjeç. Ndërkohë, Myrtaj së bashku me Klaus Jaçajn dhe Erjon Canajn, dyshohet se e ndihmuan Zoton në kryerjen e plagosjes dhe në arratisjen pas ngjarjes.

“Tani i Rruzhdiut” ishte i pari që ra në pranga, vetëm tri ditë pas plagosjes. Ai u arrestua më 20 korrik, nën akuzën e “përkrahjes së autorit të krimit”. Burime bëjnë me dije se Myrtaj ishte liruar nga qelia vetëm pak javë para se edhe ai të eliminohej në mes të qytetit dhe se ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Bashkë me të është liruar edhe Klaus Jaçaj, ndaj të cilit rëndon e njëjta akuzë. Ndërkohë, Zoto ndodhet në burg, ndërsa Erjon Canaj vijon të jetë në kërkim.

Plagosja u pasua nga një zinxhir ngjarjesh kriminale në Sarandë. Dyshohet se në origjinë të konfliktit ishte një tokë në bregdet, pranë “Copacabana Beach”.

Pesë ditë pas plagosjes, më 22 korrik, makinës së Klaus Jaçajt, i dyshuar se kishte ndihmuar Ramadan Zoton, iu vendos eksploziv. Dy ditë më pas, më 24 korrik, Jaçaj u arrestua nga Policia si një prej personave të dyshuar të përfshirë në plagosje. Ndërsa një muaj më pas, Policia arrestoi në Korçë Ramadan Zoton dhe ndaloi edhe Arben Ismailajn, i cili dyshohet se e kishte strehuar Zoton në Fier pas krimit.

Hakmarrja ndaj familjes Jaçaj nuk përfundoi me shpërthimin e makinës së 32-vjeçarit. Tre muaj më pas, ndërsa Klaus Jaçaj ishte ende në qeli, u vra i ati, Isufi. Edhe në këtë rast u përdor eksploziv, makina e 58-vjeçarit shpërtheu sapo ai tentoi të hipte në të, teksa ishte e parkuar poshtë pallatit. Për këtë ngjarje, ende asnjë autor nuk është përballur me drejtësinë.

Gati dy muaj më pas, një lokal me emrin “Bumble Bee”, të cilin Ramadan Zoto, autori i dyshuar i plagosjes së dy të rinjve, e kishte dhënë me qira në qendër të Ksamilit, u shkrumbua nga flakët. Policia nuk dha atëherë një shkak për zjarrin dhe ngjarja mbetet ende e pazbardhur.

Përplasja mes dy grupeve nisi për një tokë që dy të plagosurit nga Kamza, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lame, kishin në posedim, ngjitur me pronën e dy vëllezërve Canaj. Grupi nga Kamza, i përfolur në media se drejtohet nga një emër i njohur i botës së krimit, Ervis Lamaj, kishte ndërtuar në atë tokë edhe beach barin e njohur në Sarandë, “Copacabana Beach”, në lagjen nr. 1, ku ndodhen disa nga hotelet dhe resortet më të njohura të qytetit.

Më 14 maj, beach bari u prish nga fadromat e IKMT-së, pasi nuk ishte marrë leje për vendosjen e strukturave. Më pas, me urdhër të Skënder Hitës, u shkri i gjithë Komisariati i Policisë së Sarandës, pasi dyshohej se kishte favorizuar ndërtimin pa leje.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë