Mu bë sikur sapo e pashë tek zbriste nga shkallët e zyrave të Presidentit, dhe hyri mes nesh duke kërkuar ‘djallin’. Hodhi anash palën e flamurit që kishte shpalosur presidenti në një tentativë për të sulmuar heretikët, u nxeh dhe thërriti se ‘do të vras’ atë që ‘fyen fenë time’. Mund ta drejtojë gishtin te ti, te unë, te kushdo… të gjithë merremi me zotat- herë për mirë e herë për keq… E njoh si piktor karikaturash, si rektor të Institutit të Arteve, si pjesë të politikës sa herë politika kërkon përforcime në Dibër a në Tiranë. Ka qenë edhe në procesionet e diktuarës ku ‘zoti njeri’ kishte tentuar t’i priste kokën’. Dje, zoti Kapexhiu bëri aktin e procesorit kundër jetës së të tjerëve, kundër ‘heretikëve’.
Pa zbardhur akoma dita, pas asaj mbrëmjeje trishtuese kur vetë Michael Servetus nisi të vërtitet në varrin ku e kishin hedhur që në vitin 1553, një lajm për vrasje ‘heretikësh u përhap drithërueshëm në gjithë botën: Në kishën Notre- Dame të Nicës në Francë, dikush që zbriti po nga disa shkallë triumfale brenda katedrales, nxori thikën dhe vrau tre vetë, mes tyre edhe rojtarin e kishës. Gruas së vetme që i pa syri, i preu qafën, e kapi për flokësh dhe ia hodhi kokën e përgjakur mbi trupa të të vdekurve. Para dy javësh mësuesit francez Samuel Paty, i njëjti tip duke thërritur të njëjtën parullë ‘Allahu Akbar’, i preu kokën dhe ua hodhi qenve. Profesori i vrarë jepte lëndën e histori-gjeografisë në liceun e “Bois d’Aulne” në Conflans-Saint-Honorine.
Po cili ishte ai, i pari që i prenë kokën, Michael Servetus? Jo, nuk iu tha shpirti për dënim kaq të lehtë sa t’i prisnin kokën…, John Calvin e dogji në turrën e druve. Edhe ai kishte bërë të njëjtin mëkat, por jo kundër myslimanëve. Mëkati ishte kundër Trinisë së Shenjtë, dhe ata e dogjën. A nuk është njësoj? Që atëherë, heretiku digjet ‘me pëlqimin e zotit’, dhe zoti që atëherë ka marrë forma e pamje dhe emra të shumtë: Herë Krisht, herë Muhamet, herë Enver, herë Hitler, herë Leviathan, herë president, herë Allah Ekbar… Në turmën para presidencës sonë ka mundësi që një ditë të ketë më shumë viktima, sepse në këtë vend ku jetojmë ne, të pafetë (ateistët) janë në shumicë.
Pardje kanë qenë duke i prerë kokën një djali të ri, gazetar. Mbiemri i tij është Doçi, dhe prandaj presidenti i vendit e quajti ‘DoçDoçi, ose dyfish Doç’, gjë që është sinjal i koduar. Gazetari ka zbuluar një krim presidencial, ose edhe pse aq i ri e në një vend të vogël si vendi ynë, ka zbuluar një Ëatergate amerikan që dërgoi presidentin nga Shtëpia e Bardhë- në një shtëpi të zakonshme. Presidenti këtu nuk është si amerikan, është si Leviatian; ky e kërcënoi gazetarin nga rrënja e tij familjare. Në malet e vendit tonë, nga vijnë si gazetari edhe presidenti, ‘heretikët’ dënohen fillimisht me djegien e shtëpisë dhe fshirjen e mbiemrit, me prerjen e pemëve dhe dëbimin…Këtë kod përcolli presidenti.
Të gjitha ndodhën në dy ditë, ngjeshur me ne…
Dje në Tiranë u mbajt edhe Forumi rajonal kushtuar Antisemitizmit. Vetë Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Mike Pompeo, zbarkoi në Tiranë pikërisht për shkak të këtij Forumi. Rreziku i shfarosjes së hebrenjve ( ose heretikëve) tani është më i lartë se në vitet e Luftës së Dytë, kur në Shqipëri u strehuan më shumë se 2500 hebrenj, mes të cilëve edhe Albert Enshtein. Rreziku më i madh vjen nga dy anë: E para se këtu kanë rënë kodet ( kodi i mikëpritjes dhe i modelit të burrit të odave). Hebrenjtë mund të vriten ose kërcënohen nga vetë njerëz të shtetit me qëllim që t’i bëjnë karshillëk Amerikës. Në shtet po identifikohen disa ‘burra’ si anti- Amerikanë; gjë që dëshmon se janë edhe antiSemitistë.
A nuk kemi mes nesh plot njerëz që mendojnë se lufta- më në fund- është e justifikushme?! A nuk i fryjnë përditë instinktit për konflikt, a nuk i mbajnë gati grupet paramilitare (o këtu o në Kosovë) për terror politik rreth parlamentit apo diku tjetër, a nuk flitet përditë për eliminime fizike brenda politikës që nga periudha pas Luftës së Dytë e deri më sot? Atëherë ja ku është edhe frymëzimi i hapët për të ‘vrarë secilin që fye fenë time’. Herezia nuk është ndonjë gjë e largët prej nesh: Mjafton që tjetri të të quajë ‘heretik’, dhe pas kësaj të të vrasë. Njësoj si sëmundja e lebrozës. Këta i mbeten besnik idesë së persekucionit në mesjetë, ku çdo heretik vritet e duhet vrarë me pëlqimin e Frymës së Shenjtë.
Nuk tha gjë më shumë as piktori i karikaturave as vrasësi me thikë në katedralen e Nicës, as vetë Shën Agustimi. Puna më e keqe është se këta po ngulitin idenë se ‘kushdo që ndëshkohet nga kisha, duhet të dënohet nga shteti’. Kisha në këtë rast ka emrin e inatçorit apo banditit që ka hyrë në shtet e bën si Shën Agustin.
Ndoshta po ndoshta jo. Janë kopetentët për këti Situata.
Përgjigju