Vrasja në Shkodër, Salianji: Bandat janë të paprekshme, i mbron Rama
Deputeti demokrat, Ervin Salianji, në një konferencë për mediat, nga selia e PD-së, tha se qyteti verior ndodhet nën pushtetin e bandave, që sipas PD-së, gëzojnë mbështetjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe kryeministrit Edi Rama.
Redaksia 1 Shtator 2018, 19:34 | Përditesimi: 1 Shtator 2018, 21:12
Partia Demokratike ka reaguar pas vrasjes që ndodhi sot në Shkodër. Deputeti demokrat, Ervin Salianji, në një konferencë për mediat, nga selia e PD-së, tha se qyteti verior ndodhet nën pushtetin e bandave, që sipas PD-së, gëzojnë mbështetjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe kryeministrit Edi Rama.
Bandat, tha Salianji, janë të paprekshme, dhe denoncimet e qytetarëve për terrorin e ushtruar ngelen të pazbardhur.
Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj edhe sot refuzuan të përballen me realitetin e përkeqësuar të sigurisë, duke fshehur situatën e rëndë kriminale në qytetet më të mëdha të vendit. Në Fier, Vlorë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër krimi sundon bashkë me qeverinë qëndrore dhe lokale të Edi Ramës, çka e provoi sot vrasja tjetër mafioze dhe e pazbuluar në Shkodër. Vrasja e sotme është në serinë e vrasjeve dhe rrëmbimeve të ditëve të fundit në zonën e Shkodrës, ku në pak muaj ka patur 6 viktima, dy të zhdukur dhe 3 automjete të djegur. Familjarët dinë çdo motiv të krimeve që po kryhen nga bandat, edhe policia i di, edhe qytetarët e frikësuar flasin nën zë për autorët, por policia nuk ndërhyn për të gjetur autorët, sepse është ulur në prehrin e bandave me mbështetje politike.Dy ditë më parë paralajmëruam që situata kriminale në qytetin e Shkodrës do të përkeqësohet akoma më shumë, sepse krimi dhe bandat e lidhura me qeverinë janë më të forta se ligji. Mesazhet e qytetarëve përfundojnë në celularët e të paprekshmëve dhe bandave të qeverisë. Shqiptarët nuk e meritojnë këtë qeveri dhe kryeministër të lidhur kokë e këmbë me krimin e organizuar, por qytetarët duhet ta dinë se përsa kohë do të kemi një kryeministër të lidhur me krimin, jeta e tyre, familja, biznesi i tyre do të jenë në mëshirën e bandave. Shqiptarët meritojnë një qeveri që lufton me zero tolerancë krimin e organizuar! Partia Demokratike garanton qytetarët se që ditën e parë në pushtet do të nisë shtypjen dhe çmontimin e krimit të organizuar, ne do të realizojmë shkëputjen e politikës nga krimi dhe do të çojme prapa hekurave të burgut këdo që cënon sigurinë e qytetarëve shqiptarë.