Pas vrasjes që ka ndodhur mesditën e sotme në Shkodër, ku u vra një biznesmen 30-vjeçar, reagime të shumta vijnë nga opozita. Ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli në një status në Facebook, shkruan se Shkodra është nën pushtetin e krimit, dhe ende s’është marrë asnjë masë. Sipas Topallit, asnjëherë s’ka patur kaq shumë të vrarë në Shkodër. Pas Topallit, reagime ka patur edhe nga Partia Demokratike. Nëpërmjet deputetit, Ervin Salianji, PD ka akuzuar qeverinë Rama se ka ndihmuar bandat që veprojnë në Shkodër. Nuk ka munguar as komenti i kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila gjithashtu ngre alarmin se Shkodrën po e udhëheqin bandat.

Reagimi i plotë:

Qyteti im eshte nen pushtetin e krimit.. dhe askush nuk i del zot!

Nje tjeter i ri, nje djale 31 vjeç, baba i dy femijeve eshte gjetur i vrare ne qytetin tim, njoftojne mediat .
Ajo qe po ndodh ne qytetin e Shkodres eshte e frikshme.
Kaq shume te vrare . Kaq egersisht te vrare...Keshtu nuk ka ndodhur kurre ne qytetin tim.
Shkodra sot eshte e braktisur nga te gjithe.
Qytetaret e saj jane ne meshire te krimit.
Sikur te mos i mjaftoje mjerimi e papunesia e tmerrshme, aty asgje nuk eshte me si me pare.
Shkodranet jane braktisur.... nga te gjithe nga te gjithe...
Qyteti im , qyteti muzikes, i gazit e fjales se embel, i gezimit te jetes, sot eshte nen terrorin e plumbave te krimit ...dhe eshte vetem! Vetem.

Qyteti i Shkodrës është përfshirë nën një seri ngjarjesh kriminale. Në vetëm 2 muaj, qyteti verior është tronditur nga 4 vrasje, të cilat ende nuk janë zbardhur plotësisht.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:49
Vrasja e Ferracakut/ Voltana Ademi paralajmëron Ramën: S’mund të qendrosh indifferent me këtë që po ndodh në Shkodër

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, pak orë pas vrasjes së biznesmenit, Arjan Ferracaku, ka reaguar. Ademi, në një status në Facebook, shkruan se në Shkodër ligjin e bën krimin.

Ademi i ka bërë thirrje kryeministrit Rama që të ndërhyjë në këtë situatë, dhe e ka paralajmëruar se do të mbajë përgjegjësi për çdo gjë që ndodh në Shkodër.

Reagimi i plotë:

Shkodra po përjeton periudhën e saj më të vështirë ku krimi po bën ligjin!
Në më pak se tre muaj janë 6 të vrarë dhe dy persona të zhdukur në territorin e Bashkisë së Shkodrës.
Ankthi për jetën dhe të nesermen po zbret frikshëm në këtë rajon.
Si nënë, motër, grua, si kryetare e Bashkisë së Shkodrës i drejtohem kryeministrit të Shqipërisë, e Qeverise: Mjaft më! Ju mbani përgjegjësi për këtë që po ndodh!
U drejtohem të gjitha forcave politike, deputetëve e medias, përfaqësive ndërkombëtare në Shqipëri: Ju s’mund të qëndroni indiferent! Askush nuk mund të qëndrojë indiferent! Për fëmijët dhe familjet tona, për të ardhmen tonë e të Shkodrës tonë!
Shkodra nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë kjo e tre muajve të fundit, nuk duhet ta lëmë të hyjë në një rrugë pa kthim.

Ora 19:34
Vrasja në Shkodër, Salianji: Bandat janë të paprekshme, i mbron Rama

Partia Demokratike ka reaguar pas vrasjes që ndodhi sot në Shkodër. Deputeti demokrat, Ervin Salianji, në një konferencë për mediat, nga selia e PD-së, tha se qyteti verior ndodhet nën pushtetin e bandave, që sipas PD-së, gëzojnë mbështetjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe kryeministrit Edi Rama.

Bandat, tha Salianji, janë të paprekshme, dhe denoncimet e qytetarëve për terrorin e ushtruar ngelen të pazbardhur.

Pjesë nga deklarata e Salianjit:

Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj edhe sot refuzuan të përballen me realitetin e përkeqësuar të sigurisë, duke fshehur situatën e rëndë kriminale në qytetet më të mëdha të vendit. Në Fier, Vlorë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër krimi sundon bashkë me qeverinë qëndrore dhe lokale të Edi Ramës, çka e provoi sot vrasja tjetër mafioze dhe e pazbuluar në Shkodër. Vrasja e sotme është në serinë e vrasjeve dhe rrëmbimeve të ditëve të fundit në zonën e Shkodrës, ku në pak muaj ka patur 6 viktima, dy të zhdukur dhe 3 automjete të djegur. Familjarët dinë çdo motiv të krimeve që po kryhen nga bandat, edhe policia i di, edhe qytetarët e frikësuar flasin nën zë për autorët, por policia nuk ndërhyn për të gjetur autorët, sepse është ulur në prehrin e bandave me mbështetje politike.Dy ditë më parë paralajmëruam që situata kriminale në qytetin e Shkodrës do të përkeqësohet akoma më shumë, sepse krimi dhe bandat e lidhura me qeverinë janë më të forta se ligji. Mesazhet e qytetarëve përfundojnë në celularët e të paprekshmëve dhe bandave të qeverisë. Shqiptarët nuk e meritojnë këtë qeveri dhe kryeministër të lidhur kokë e këmbë me krimin e organizuar, por qytetarët duhet ta dinë se përsa kohë do të kemi një kryeministër të lidhur me krimin, jeta e tyre, familja, biznesi i tyre do të jenë në mëshirën e bandave.  Shqiptarët meritojnë një qeveri që lufton me zero tolerancë krimin e organizuar!  Partia Demokratike garanton qytetarët se që ditën e parë në pushtet do të nisë shtypjen dhe çmontimin e krimit të organizuar, ne do të realizojmë shkëputjen e politikës nga krimi dhe do të çojme prapa hekurave të burgut këdo që cënon sigurinë e qytetarëve shqiptarë.