Ornela Zuko, nëna e 20-vjeçarit Joan Zuko, që mbeti i vrarë nga Kristjan Sterjo pasditen e së shtunës në Korçë, ka ndarë një dedikim të dhimbshëm për çdo prind. Ndërsa njofton se kur do të bëhet varrimi, ajo thotë se Joani do të jetë përjetësisht “fryma, dashuria më e madhe dhe pjesa më e shtrenjtë e zemrës.”
“Me zemrën e copëtuar dhe me dhimbjen më të madhe që mund të mbajë shpirti i një nëne, në pamundësi për t’iu përgjigjur të gjithëve, ju njoftojmë se më 11 gusht, në orën 12:00, do t’i japim lamtumirën e fundit birit tim të vogël, dritës së syve të mamit.
Biri im, ti do të mbetesh përjetësisht fryma ime, dashuria ime më e madhe dhe pjesa më e shtrenjtë e zemrës sime.
Mami nuk do të të harrojë kurrë dhe do të të mbajë brenda shpirtit deri në frymën e fundit.
U prehsh në paqe, engjëlli i mamit!”, thotë Zuko.
20-vjeçari Joan Zuko ishte mobilizuar si ushtar me rrogë prej më shumë se një viti dhe vetëm dy muaj më parë kishte lënë detyrën pasi do shkonte tek i vëllai në Angli.
Sipas dëshmisë së vrasësit, Kristjan Sterjo, shkak për konfliktin mes tyre ishte përplasja për dominancë dhe pretendimet se kush ishte “më i forti” i lagjes. Dy të rinjtë dyshohet se kishin shkëmbyer vazhdimisht provokime, sharje dhe ngacmime, ndërsa vetëm disa ditë përpara vrasjes kishin pasur një tjetër konflikt verbal.
Në dëshminë e tij, 20-vjeçari, që ishte edhe shok fëmijërie i Zukos, ka pretenduar se situata ishte acaruar më tej edhe për shkak të ngacmimit të së dashurës së tij nga viktima, pistë që është në verifikim nga policia.
Pasi e vrau me një plumb kallashnikovi në katin e tretë të një pallati, autori u arratis dhe për disa orë, forcat RENEA e policia u aktivizuan për gjetjen e tij. Ai u arrestua rreth orëve të vona të po asaj mbrëmjeje, në afërsi të banesës së tij.
Sterjo rezulton me precedent penal për plagosje me thikë e armëmbajtje pa leje.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Klubi i Skënderbeut ka reaguar për ngjarjen e pasdites të së shtunës në Korçë, ku mbeti i vrarë 20-vjeçari Joan Zuko nga bashkëmoshatari i tij dhe shoki i fëmijërisë, Kristjan Sterjo. Klubi bën me dije se i riu kishte qenë më herët futbollist i akademisë dhe më pas një nga tifozët më të zjarrtë.
Gjatë kohës kur ishte aktiv në klub, Zuko luante me ekipet e moshave, në pozicionin e portierit.
“Ndarje e parakohshme nga jeta e Joan Zukos
Klubi i Futbollit Skënderbeu shpreh dhimbjen dhe ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen e parakohshme nga jeta të Joan Zukos, ish-futbollist i Akademisë së Skënderbeut dhe një tifoz i zjarrtë i ngjyrave bardhekuqe.
Joani ishte pjesë e familjes sonë, fillimisht si futbollist i akademisë dhe më pas si një nga ata tifozë që e mbajnë Skënderbeun në zemër. Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet familjes, të afërmve dhe miqve të tij. Prehu në paqe, Joan! Do të mbetesh gjithmonë pjesë e familjes bardhëkuqe”, shkruhet në postimin e Skënderbeut.












Komente
Komento