Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, ka reaguar në lidhje me vrasjen në Sarandë të 44-vjeçarit Artan Myrtaj, teksa flet për një sagë që sipas saj e di I gjithë qyteti. Deputetja demokrate Ina Zhupa e cilëson vrasjen e 44-vjeçarit Artan Myrtaj si pjesë të një sage hakmarrjesh që, sipas saj, e njeh i gjithë qyteti i Sarandës.
Ajo rendit katër ngjarje të rënda, nga plagosjet dhe shpërthimet me tritol, deri te vrasjet me armë në mes të qytetit. Sipas Zhupës, përplasjet mes dy grupeve kanë nisur në korrik të vitit 2025 dhe kanë ardhur duke u përshkallëzuar. Deputetja pyet Policinë e Shtetit se çfarë masash po ndërmerr për të parandaluar një ngjarje të pestë dhe për të mbrojtur qytetarët e pafajshëm
Zhupa kërkon reformimin e plotë të Policisë së Sarandës, duke e cilësuar situatën si dështim të rëndë të sigurisë publike.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Saranda në serinë e hakmarrjeve dhe vrasjeve mes ditës, në mes qytetit. Kush do jetë ngjarja e pestë e kësaj sage që e di gjithë qyteti?! Katër ngjarje të rënda, njëra pas tjetrës. Plagosje, vrasje me tritol, armë në mes të qytetit dhe një zinxhir përplasjesh mes dy grupeve që po përshkallëzohet që nga korriku 2025 e sot. Dhe pyetja për policinë e shtetit është e thjeshtë: çfarë po bëni për ta ndalur këtë seri?
Sa duhet të presin qytetarët e Sarandës? Derisa të vijë ngjarja e pestë? Derisa viktima e radhës të jetë një qytetar i pafajshëm që ndodhet rastësisht në vendin e gabuar? Sot u plagos një tjetër kalimtar i rastit, që i uroj shërim të shpejtë. Kjo nuk është më çështje statistikash kriminaliteti. Është dështim i sigurisë publike në Sarandë.
Kur armët përdoren në mes të qytetit dhe hakmarrjet vijojnë njëra pas tjetrës, drejtuesit e Policisë së Shtetit nuk mund të mjaftohen me deklarata pas ngjarjeve dhe njoftime për procedime. Kur janë po aq fajtor nga paaftësia për të zbuluar dhe parandaluar edhe krime të lajmëruara dhe të pritura. Detyra e policisë është ta parandalojë krimin, jo të mbërrijë pasi krimi ka ndodhur.
Saranda nuk mund të lihet peng i bandave, armëve dhe hakmarrjeve. Qytetarët kanë të drejtë të jetojnë të sigurt dhe shteti ka detyrimin t’ua garantojë këtë siguri. Keni dështuar, të reformohet totalisht policia e Sarandës!









Komente
Komento