Dy vajzat të cilat kanë qenë në shoqërinë e Ervin Dalipajt dhe Juxhin Dautit, të ekzekutuar një ditë më parë mbikalimi i Sukthit mesditën e djeshme, janë marrë në pyetje nga policia, ndërsa janë sekuestruar telefonat e tyre celularë. 

Grupi hetimor dyshon se atentati ka qenë një kurth i parapërgatitur ku dyshime ka edhe për dy vajzat e moshës 23 dhe 24 vjeç, identiteti i të cilave nuk bëhet i ditur. 

Vajzat kanë qenë në shoqërinë e Dalipajt dhe Dautit në ambientet e një servisi, pranë vendit ku ndodhi krimi. Ato janë fiksuar nga kamerat e sigurisë, ndërsa pas identifikimit janë marrë në pyetje nga policia.

Në dëshminë që kanë dhënë në polici, vajzat janë shprehur se u takuan me Juxhin Dautin për t'i ndihmuar që të kalonte automjetin në kolaudim.

Ato u shprehën se nuk e njihnin ish-shefin e Krimit Ekonomik, Ervin Dalipajn. Policia ka sekuestruar telefonat e dy vajzave dhe po heton nëse ato kanë lidhje me ngjarjen. Burime të Shqiptarja.com bëjnë me dije se policia dyshon se dy vajzat mund të kenë lidhje me atentatorët.

Do të kontrollohen biseda te tyre në telefon për të parë nëse kanë folur me persona të cilët kanë qenë me precedent penal të mëparshëm. 

Ndërkohë, vajzat në polici kanë mohuar çdo lidhje me ngjarjen. 

Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti u ekzukutuan mesditën e të martës, me breshëri kallashnikovi te mbikalimi i Sukthit.  

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com