Një vrasje e dyfishtë me armë zjarri ka ndodhur rreth orës 17:20 të pasdites së sotme në fshatin Mgull të Dukagjinit. Sipas informacioneve paraprake, viktimat janë babë e bir, Lekë e Prel Gjoni. I plagosur rëndë ka mbetur Lazer Bashi, i cili ka mbërritur në spital.
Policia vendore por edhe efektivë të Forcës Kombëtare të Sigurisë janë nisur drejt vendngjarjes, por bëhet fjalë për një zonë të thellë malore dhe komunikimi është i vështirë.
Të dhënat paraprake ngrenë hipotezën se mund të bëhet fjalë për gjakmarrje, por rrethanat mbeten ende të paqarta. Vetëm pak më shumë se një muaj më parë, më 11 korrik, në këtë zonë, në fshatin Kir, u vra 40-vjeçari Aleksandër Koçeku. Ai u qëllua me breshëri plumbash ndërsa lëvizte nga Kiri drejt Prekalit. Viktima ishte në gjak pasi vëllai i tij, Artan Koçeku, është në burg për vrasjen e Angjelin Shkambit në dhjetor 2017.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 17:20, në fshatin Mgull, Njësia Administrative Pult, Dukagjin, dyshohet se janë vrarë me armë zjarri shtetasit L. Gj. dhe P. Gj., babë e bir, si dhe është plagosur rëndë shtetasi A. P.
Forca të shumta të Policisë Vendore dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, janë nisur drejt vendngjarjes.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po shkon në vendngjarje, për zbardhjen e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Informacion shtesë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, për ngjarjen në fshatin Mgull, Njësia Administrative Pult, Dukagjin, ku dyshohet se janë vrarë me armë zjarri shtetasit L. Gj. dhe P. Gj., babë e bir, dhe është plagosur një shtetas tjetër, sqarojmë se:
Në këto momente ka mbërritur në Spitalin Rajonal Shkodër, për të marrë ndihmë mjekësore, shtetasi i plagosur L. B. dhe jo A. P., siç ju informuam në informacionin paraprak.
Me mbërritjen e shërbimeve të Policisë dhe të grupit hetimor në vendngjarje, si dhe pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, do t’ju informojmë përsëri.
Lajm në përditësim...








Komente
Komento