Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Prekal të Shkodrës, ku një person është vrarë me armë zjarri.
Përmes një njoftimi Policia bën të ditur se viktima, Aleksander Koçeku, është gjetur i vrarë me armë zjarri brenda në një automjet, rreth orës 19:00 në aksin rrugor Prekal-Kir.
Nga informacionet paraprake, dyshohet se ngjarja mund të ketë lidhje me vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka në oborrin e shtëpisë së tij më 26 Shkurt 2025 në fshatin Guci e Re në Shkodër.
Për vrasjen e 20-vjecarit, janë vënë në pranga Vasel Koçeku dhe Klaudio Lisaj, ndërsa ka dyshime se në ngjarje është i përfshirë dhe Aleksandër Koceku.
Vëllai i Aleksandër Koçekut, 43-vjeçari Vasel Koçeku dhe 20-vjeçari Klaudio Lisaj ndodhen në qeli për vrasjen e Pavlin Prekës. Pra, hetuesit nuk e kanë përjashtuar mundësinë që ngjarja e sotme mund të ketë ndodhur për hakmarrje, për vrasjen e Pavlin Prekës.
Vrasja e Pavlin Prekës dyshohet se ndodhi pasi viktima kishte shfaqur dëshirën për të rrëmbyer vajzën e njërit prej autorëve të krimit, 43-vjeçarit Vasel Koçeku, me të cilën kishte një lidhje intime.
Ndërkohë Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 19:00, në aksin rrugor Prekal–Kir, është gjetur në automjet, i dyshuar i vrarë me armë zjarri, shtetasi A. K.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/ve.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për fiksimin dhe administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Lajm në përditësim...

Dyshimet e grupit hetimor për vrasjen e Aleksandër Koçekut janë se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje, për ekzekutimin gjatë vitit të kaluar të 20-vjeçarit Pavlin Preka, në fshatin Guci e Re në Shkodër.
Ekzekutimi i 20-vjeçarit Pavlin Preka vitin e kaluar, dyshohet se u krye nga 43-vjeçari Vasel Koçeku (vëllai i Aleksandrit, të ekzekutuar sot) dhe Klaudio Lisaj. Lisaj dyshohet se e nxori nga shtëpia Pavlinin, ndërsa Vasel Koçeku e qëlloi me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në derë të shtëpisë.
Ngjarja dyshohet se ndodhi pasi 20-vjeçari Pavlin Preka kishte shprehur dëshirën për rrëmbimin e vajzës së mitur të Vasel Koçekut, me të cilën kishte pasur një lidhje intime.
Sipas hetimeve të kryera, vrasja dyshohet se kishte si motiv një konflikt të gjatë që lidhej me dëshirën e viktimës Pavlin Preka për t’u fejuar me vajzën e Vasel Koçekut, e cila aktualisht është 17 vjeçe.
Historia, sipas hetimeve, nis rreth 4 vite më parë, kur Pavlin Preka i kishte kërkuar dorën për fejesë familjes Koçeku. Në atë kohë, vajza ishte vetëm 13 vjeçe, ndërsa Preka 17 vjeç.
Kërkesa ishte refuzuar menjëherë nga babai i saj, Vasel Koçeku, duke i thënë se nuk kishte vajzë për të martuar, pasi ishte shumë e vogël dhe duhej të ndiqte shkollën.
Megjithatë, Pavlin Preka ka vijuar të shfaqë interes dhe këmbëngulje për vajzën, duke shprehur ndjenjat e tij edhe tek persona të tjerë, të cilëve u ishte shprehur se do t’ia rrëmbente vajzën Vasel Koçekut me qëllim krijimin e martesës me të.
Komente











