Familja Saliaj nga Kasnica e Patosit ka braktisur banesën një ditë pas konfliktit me familjen Seati që përfundoi në vrasje. Mesditën e së shtunës, 31 vjecari Aliond Saliaj qëlloi për thikë bashkëfshatarin Përparim Seati 46 vjec, duke i shkaktuar vdekjen.

Konflikti i përgjakshëm kishte nisur disa orë më parë kur vëllai i viktimës dhe kushëriri i tij kishin shkuar në banesën e Saliajt duke rrahur nënën e moshuar të autorit.

Report Tv ishte në fshatin Kasnicë, paraditen e kësaj të diele, kur organizohej ceremonia mortore për 46-vjecarin.

I intervistuar në qendër të fshatit, në vendin ku ndodhi ngjarja, kryeplaku i fshatit Haxhi Qosja, thotë se nuk ishte në dijeni nëse protagonistët e kësaj ngjarje kishin debate për tokën. Ai thotë se viktima dhe nipi i autorit ishin zënë disa vite më parë, por për një tjetër arsye.

"Autori i vrasjes pretendonte se ka zënë një cop toke pa tapi. Në koperativë ajo tokë qenë e mbjellë me kumbulla dhe i dhanë nja tre rrënjë, por pa i hedhur në tapi. Tani pretendonin se ia dha komisioni. Unë ankesë nuk kam patur nga njëri që të më thonin më kanë zënë tokën. As nga banorët as nga dy palët s'kisha dijeni.Unë për këtë rast s'kisha asnjë lloj dijenie. Probleme ka në përgjithësi por për këtë rast s'kisha dijeni. Përparimim e gjetëm këtu. Në qendër. Erdhi një makinë e mori dhe më pas e dërgoi në spital. Autori ka qenë i kthyer nga Greqia. Probleme të tjera s'ka patur tani. Para 6-7 vjetësh ka qenë një zënkë, por me nipin e autorit. Sherri i parë është bërë për rrugë, ndërsa tani ka ndodhur për kumbulla. Për 700 metra tokë, ose e shumta 1 dynum,"-shprehet kryeplaku.

Ndërkohë dy banore të fshatit shprehen: "Ka patur zënka edhe më herët, para 5-6 vjetëve. Nuk e di se për çfarë, por kanë patur debate. Jo me Aliond Saliaj, por me të vëllanë e tij." Ndërkohë banorja tjetër shprehet: "Unë e njoh pak, e njoh si fshtar këtu, por nuk di shumë. Lajmin e pashë në televizor dhe të dy emrat i njihja. Nuk e di a ka patur probleme me përparimin."-shprehet një tjetër.

Policia ka arritur të zbardhë ngjarjen dhe të prangosë autorin e krimit, Aliond Saliaj. Po kështu në pranga kanë rënë dhe dy dhunuesit e 61-vjecares që janë përkatësisht A. S. 59 vjeç vëllai i viktimës, dhe G. S., 28 vjeç kushëriri i tij.  Burimet nga spitali thanë se nëna e autorit është jashtë rrezikut për jetën.