TIRANE-Ekzekutohet tek dera e shtëpisë 26-vjeçari Jurgen Kurti, i njohur si menaxheri i VIP-ave. Ai u qëllua për vdekje disa herë me pistoletë nga dy persona, të maskuar të cilët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me motor duke përfituar edhe nga errësira. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e sotme rreth orës 22:20 minuta në rrugën “Zef Jubani” pranë stadiumit 'Selman Stërmasi'. Kurti sapo kishte zbritur nga makina e tij dhe po kalonte trotuarin për t'u ngjitur në banesë kur ndaj tij u qëllua duke e lënë vdekur në vend. Autorët duket se e kishin ndjekur duke kontrolluar të gjitha lëvizjet dhe në fund i bënë pritë poshtë banesës duke e vrarë.

Ai jetonte së bashku me motrën dhe nënën në të njëjtën banesë që vrau të atin pak vite më parë. Report Tv siguron pamjet nga vendi i ngjarjes të momentit kur trupi transportohet nga ambulanca dhe grupi hetimor mbledh provat për të shkuar në gjurmët e autorëve të vrasjes. Ngjarja ka shkaktuar tronditjen e familjarëve, ndërsa policia njofton se grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Por kush është Jurgen Kurti? Ai është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi disa vite më parë, në 2016 u përfshi në vrasjen e babait të tij, por edhe i akuzuar për dhunimin e një tregtari në Durrës që vdiq pas goditjeve. Megjithatë Kurti mundi që të fitonte lirinë në të dyja rastet. Në rastin e parë autorësinë e vrasjes së babait të tij, Artur Kurti e mori daja Leonard Ristani (lexo ketu ngjarjen e plote), ndërsa në rastin e dytë në vrasjen e Agim Arapit në Durrës u dënua vëllai i vjehrrit, pavarësisht se u arrestuan të tre. 

Pas ngjarjes së 11 prillit 2017 (lexo ketu), Jurgen Kurti u shoqërua nga policia dhe më pas u la i lirë. Dy të akuzuarit e tjerë, Kostandini Ekonomi u shpall i pafajshëm, vëllai i tij Kujtimi u dënua me 5 vite burg për vrasje nga pakujdesia (lexo ketu). Një vit më parë, në 2018 dolën pamjet e vrasjes, ndërsa gruaja e Arapit kërkonte me forcë burgosjen e Jurgen Kurtit, për të cilin thoshte se “është përgjegjës për dy vrasje, burrit tim dhe babait të tij”. Në këto pamje dukej se në vendngjarje ishin tre persona; Jurgen Kurti dhe Kujtim dhe Konstandin Ekonomi (lexo këtu lajmin) Gjithashtu Jurgen Kurti njihej edhe si menaxheri i VIP-ave, pasi ka sjellë në Shqipëri disa këngëtarë të njohur në koncerte.

Viktima Jurgen Kurti

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 00:10
Sekuestrohen pamjet, ngrihen postblloqe/ Në kërkim të autorëve të vrasjes së Kurtit

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së bizneseve pranë vendit të ngjarjes ku u ekzekutua Jurgen Kurti, ndërsa ka ngritur pika të shumta postblloku në Tiranë për të arrestuar autorët që nga të dhënat e para mësohet se janë larguar me shpejtësi me një motor pas vrasjes.

Pikat e postbllokut te policise ne Tirane
Ora 23:59
Vrasja e menaxherit të VIP-ave, ish-banori i 'Big Brother' pranë familjes

Përpos familjarëve në vendin e ngjarjes nuk kanë munguar personazhet e njohur njëherësh miq të tij që kanë qenë pranë të afërmve, një ndër ta është edhe ish-banori i "Big Brother" Erjon Zeqiraj.

Me rreth te kuq Erjon Zeqiraj
Ora 23:29
Vrasja trondit kryeqytetin, drejtori i Policisë së Tiranës në vendngjarje

Vrasja mbrëmjen e sotme ka tronditur kryeqytetin, teksa në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe drejtori i Policisë së Tiranës Dhimitraq Ziu.

Policia në vendngjarje
Ora 23:28
Vritet menaxheri i VIP-ve Jurgen Kurti (FOTO)

Para se të arrestohej për vrasjen e babait, Kurti njihej në Tiranë si menaxher i VIP-ve. Ai solli në Tieanë reperin Rick Ross. I riu kishte në pronësinë e tij mbi 10 biznese, ndërkohë që spikat jeta luksoze me makina të shtrenjta dhe gjithnjë i rrethuar nga femra të bukura.

Ora 23:25
Autorët ishin të maskuar/ Detaje nga vrasja në Tiranë

Report Tv mëson dy personat që kanë ekzekutuar Jurgen Kurtin ishin të maskuar. Ata qëlluan dy herë me pistoletë Kurtin, ndërsa u larguan me shpejtësi me motor. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë, ndërsa ka marrë në pyetje edhe dëshmitarët që ishin në vendin e ngjarjes.

Ekspertët në vendngjarje
Ora 23:24
Nëna u ngjit në banesë disa minuta para se ti vrisnin djalin

Report Tv mëson se nëna e Jurgen Kurtit kishte vetëm disa minuta që ishte ngjitur në banesë kur i vranë djalin poshtë pallatit.

Foto nga vendgjarja
Ora 23:12
'Nuk kam më shpirt'/ E dashura vajton vrasjen e Kurtit: Më lini të kaloj...

Vrasja e 26-vjeçarit Jurgen Kurti ka tronditur familjen dhe të afërmit e tij. E dashura e Kurtit pasi ka marrë vesh lajmin e hidhur ka mbërritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes duke shpërthyer në lot dhe vaj, ndërsa i ka kërkuar policisë që ta lejojnë të kalojë shiritin. "Më lini të kaloj...Jo, o Zot të lutem ai është shpirt, ai është jetë. Nuk kam më shpirt" ishin klithmat e të dashurës së tij duke vajtuar.