Ekzekutimi i ish shefit te krimit ekonomik të Tiranës Ervin Dalipi dhe shokut të tij Juxhin Dauti dyshohet se është bërë nga vrasës profesionistë me pagesë.
 
Këtë fakt e pohojnë burime pranë policisë së Durrësit duke marrë shkas nga dinamika e kësaj ngjarjeje te rëndë.
 
Deri tani janë shoqëruar nga policia 18 persona, disa prej të cilëve janë liruar, pasi jane marre ne pyetje, ndërsa vazhdon puna për të identifikuar dhe arrestuar autorët, që dyshohet se kanë qenë dy.
 
Pista kryesore e hetimit është hakmarrja, pasi dy viktimat janë me precedent penal për rrëmbim dhe vrasje.
 
Në vendin ngjarjes janë gjetur 32 gëzhoja kallashnikovi, teksa rezulton se makinat kanë qenë paralel në kohën ku është qëlluar.
 
Sipas policisë, në automjetin e viktimave u gjet një armë zjarri me 15 fishekë, por ata nuk arritën që ta përdornin, pasi ranë në pritë.
 
Ervin Dalipaj lëvizte i armatosur për faktin se jo vetëm që ishte në kërkim nga policia, por ishte edhe në vëzhgimin e njerëzve të Gazmend Çollakut, për të cilin 38 vjeçari akuzohet se e kishte rrëmbyer në bashkëpunim me Denis Shtrazën.
 
Gjithashtu në makinën e dy viktimave janë gjetur 4 mijë euro dhe disa aparate telefoni celularë.
 
Informacione të pa konfirmuara pohojnë se dy viktimat para se të ekzekutoheshin kanë qenë në shoqërinë e dy femrave.
 
Ndërsa pak caste para se të binin në pritë, Ervin Dalipi dhe Juxhin Dauti kanë ndaluar në një pikë servisi pasi makinës nuk i punonte një sinjal.
 
Më pas ata kanë marrë rrugën drejt Durrësit, ku kanë përfunduar në pritën e armatosur.
 
Dy viktimat nuk banonin në Durrës, por në Tiranë.

 
Njoftimi i plotë i policisë së Durrësit
Specialistët e Sektorit kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, pasi:
 
Më datë 25.04.2017, rreth orës 13:40, në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të vendit të quajtur”Mbikalimi I Sukthit”, në automjetin tip Audi S8, janë gjetur të vrarë me armë zjarri shtetasit Ervin Dalipaj 38 vjeç, banues në Tiranë, (i shpallur në kërkim për veprën penale të “Rrëmbimit të Personit”) dhe Xhino Dauti 27 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për vrasje).
 
Më të marrë njoftim menjëherë në vendngjarje shkuan Efektivet e Policisë, të cilët kqyrën vendin e ngjarjes, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale:
 
• 32 copë gëzhoja, model 56, kalibër 7.62 mm;
 
• një predhë bërthame;
 
• në pjesën e brendshme të automjetit Audi S8 u gjetën një armë zjarri pistoletë model 54, 15 fishekë, disa aparate telefoni celularë të markave të ndryshme si dhe një sasi prerje në valutë të huaja(euro).
 
Nga ana e uniformave blu janë shoqëruar 18 persona, me qëllim zbardhjen dhe zbulimin e plotë të ngjarjes.




dy.b/shqiptarja.com