Kristjan Sterjo, 20 vjeçari i cili akuzohet për vrasjen e Joan Zukos, është lënë në arrest me burg, sipas masës së sigurisë të njoftuar sot nga Gjykata e Korçës. Mbi autorin, i cili në gjykatë u shoqërua nga masa të shtuara sigurie, rëndon akuza për veprën penale vrasje me paramendim si dhe mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.
Burime brenda gjykatës kanë bërë me dije se autori ka deklaruar po të njëjtat gjëra si para grupit hetimor. Sipas informacioneve, mësohet se Kristjan Sterjo ka qenë i qetë gjatë gjithë seancës ndërsa në përfundim të fjalës së tij, ai ka deklaruar se është penduar për atë që ka bërë. Kristjan Sterjo ka treguar se ata janë konfliktuar më herët por nuk ka pasur qëllim vrasjen e Joan Zukos.
I riu e vrau bashkëmoshatarin pasditen e 8 gushtit pas disa konflikteve të mëparshme mes tyre se kush ishte ‘më i forti’ dhe një zënke ku autori pretendon se viktima i kishte ngacmuar të dashurën. Sipas dëshmisë së tij, ditën e ngjarjes e ka parë Zukon në një ‘Benz’, i shoqëruar nga dikush tjetër dhe i ka kërkuar të ndalonte. Kur i është afruar për t’u sqaruar, 20-vjeçari nxori një thikë dhe qëlloi drejt tij, më pas e shau.
Ai tregoi se në gjaknxehtësi e sipër kishte shkuar në shtëpi, ku mbante të fshehur një armë zjarri të tipit pushkë (megjithëse pa tytë), e kishte vendosur në një thes të bardhë dhe ishte nisur drejt lagjes së viktimës, të cilin e ndoqi nga pas dhe e qëlloi.
Sterio ka treguar se para se ta qëllonte, kur ishte në lagjen e tij, Joani e kishte sharë sërish. Autori i krimit ka dëshmuar se ka pasur si qëllim që ta qëllonte nga këmbët viktimën, pa e ditur se do e linte të vdekur dhe as nuk e ktheu më kokën pas. Ai e vrau në katin e tretë të një pallati, duke e qëlluar me një plumb të vetëm. Ishin banorët e pallatit ata që të habitur nga krisma, dolën dhe gjetën Zukon të shtrirë në derën e një apartamenti.
Për gjashtë orë, policia dhe forcat RENEA u vunë në ndjekje të autorit që më pas u arrestua. Sterjo e kishte fshehur armën në një shkurre te Fusha e Druve, u kthye në shtëpi, vendosi rrobat në lavatriçe dhe u largua drejt një godine të pabanuar. Gjatë kësaj kohe kishte çaktivizuar edhe rrjetet sociale për të humbur gjurmët.
Kristjan Sterjo rezulton të jetë një emër problematik, i arrestuar dhe më parë për plagosje me thikë.
Lajm në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.










Komente
Komento