SHKODER - Burg përjetë kërkoi Prokuroria e Shkodrës për Sokol Mjacajn, të riun i cili vrau dy turistë çekë në Dukagjin. Prokuroria i ka kërkuar trupit gjykues të deklarojë fajtor Sokol Mjacajn, ndërkohë avokatja mbrojtëse Elvira Jakova i ka kërkuar organit të akuzës disa ditë kohë për përgatitjen përfundimtare. Kërkesë kjo e miratuar nga trupi gjykues i cili shtyu séancën në ngarkim të Mjacajt për në 16 nëntor.

Në konkluzionet përfundimtare, prokurorja e çështjes Shqiponja Milla ka deklaruar se Sokol Mjacaj ka ekzekutuar me dashje çiftin çek. Fillimisht ka qëlluar mbi Michael Svatos dhe më pas në të njëjtin pozicion ekzekutimi Mjacaj sipas prokurorisë nga prapa ka qëlluar edhe mbi Ana Kosinovën. Për shkak të këtij krimi dhe në bashkim të dënimeve të "vjedhjes me pasojë vdekjen" dhe "armëmbajtjes pa leje", organi i akuzës ka kërkuar burgim të përjetshëm për Mjacajn.

Sakaq në seancën e një jave më parë më 3 nëntor, Mjacaj kërkoi mëshirë para trupit gjykues, ndërkohë që tha se ditën kur kreu krimin ai kishte dalë për të bërë grabitje dhe jo për të vrarë njeri. Sipas tij ai e vrau Michael Svatos nga frika se mos ai i rrëmbente armën dhe do qëllonte ndaj tij, ndërsa Anna Kosinovën e ka qëlluar aksidentalisht dhe pa dashje. 

Ndërsa më herët në seancën e zhvilluar më 29 tetor, Mjacajt iu rrëzua kërkesa për gjykim të shkurtuar.

Sokol Mjacaj ekzekutoi në korrik të 2015-ës në Prekal të Dukagjinit 2 turistët çek Michael Svatos dhe të dashurën e tij Anna Kosinova pasi tentoi t’i grabiste. Mjacaj u arrestua pak ditë pas krimit në fshatin e Grudës ndërsa me 16 Nëntor pret vendimin nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)