Vrau bashkëpuntorin në Napoli, mafiozi i Camorras klinikë në Durrës, apartamente e makina! Kush janë 2 ortakët shqiptarë

TIRANE - Një hetim disa mujor i administruar nga policia dhe prokuroria e Durrësit, ka zbuluar në Shqipëri investimet në kompani dentare, apartamente, garazhe dhe automjete të një prej anëtarëve të rëndësishëm të organizatës mafioze “Camorra”. Ferdinando Muollo, një personazh që drejton një nëndegë kriminale të Camorras dhe që në Itali njihet ndryshe si klani “Tammaro di Lauro-Muollo”, është proceduar për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe se pak ditë më parë policia dhe prokuroria shqiptare kanë sekuestruar pasuritë e paluajtshme që përllogariten me një vlerë prej 750 mijë euro. Këto pasuri ndodhen në Durrës dhe Tiranë, ndërkohë që Muollo rezulton i dënuar me 12 vjet e 6 muaj burgim për akuzën e vrasjes së ortakut të tij në biznes Salvatore Ridosso. Vrasja është kryer për një konflikt të lindur për 150 milion lireta. Ndërkohë hetimi pasuror është udhëhequr nga prokurori i Durrësit Pali Deçolli, i cili pasi është njohur dhe me materialet që kanë sjellë në Shqipëri autoritet italiane, ka vendosur të sekuestrojë pasuritë që dispononte në Shqipëri mafiozi Italian.

“Shqiptarja.com” ka hulumtuar me imtësi këtë rast, duke hedhur dritë mbi vrasjet e bëra në Napoli dhe investimet në Shqipëri.

Vrasja e ortakut e dënimi në Itali

Italiani i quajtur Ferdinando Muollo i dyshuar për disa vepra penale nga ana e drejtësisë italiane, është vënë nën hetim nga prokuroria e Durrësit. Nga ana e autoriteteve të drejtësisë italiane është dërguar në Shqipëri një letër-porosi ku jepen të dhëna konkrete mbi aktivitetin kriminal që ka kryer Ferdinando Muollo. Ka rezultuar se në datën 26 tetor 2018 gjykata e Apelit për Krime të Rënda në Salerno e ka dënuar Muollo me  12 vjet e 6 muaj burgim për akuzën e vrasjes së Salvatore Ridosso. Sipas materialeve të mbërritura nga Italia vrasjen e Ridossos Muollo e ka kryer në bashkëpunim me Valentino Mansi dhe Luigi Muollo të cilët janë akuzuar së bashku. Ka rezultuar se Luigi, pas vrasjes së Salvatore Ridosso, është vrarë më pas në një kurth, ndërsa gjatë hetimeve të prokurorisë italiane është vërtetuar se Luigi Muollo ka qenë autori kryesor që ka qëlluar me një armë 9 mm tip “GFL Lunger”. Ndërsa Ferdinando Muollo ka qënë në rolin e porositësit, financuesit të kësaj vrasje. Valentino Mansi ka qënë shofer në këtë vrasje, ndërsa autori ka qenë Luigi Muollo, i cili është vrarë pak muaj më vonë pas kryerjes së krimit. Ky krim ka ndodhur për të shuar sherrin që kishte lindur midis Salvatore Ridossso e Ferdinando Muollo, të cilët fillimisht kanë qenë ortakë në disa shoqëri ekonomike legale dhe ilegale, por edhe për të fituar një fuqi të madhe kriminale në Scafati dhe për të marrë kontrollin e aktiviteteve kriminale që më parë i kishte në dorë viktima Salvatore Ridosso. Krimi është kryer me metoda dhe qëllime mafioze për të favorizuar bashkëpunimin e tyre kriminal me klanin e quajtur “Tammaro di Lauro-Muollo”, ekzistenca dhe veprimtaria e të cilit është njohur me vendimin e datës 12 shkurt 2007 nga gjykata e shkallës së parë në Nocera në Itali.

1572890957_FerdinandoMuollo.jpg

Ferdindand Muollo

Bashkëpunëtori që tregoi vrasjen

Nga deklarimet e marra duke filluar nga data 14 maj 2002 nga personi Romolo Ridosso, i cili është bashkëpunëtor i drejtësisë italiane kuptohen arsyet e vërteta  midis të vëllait të tij Salvatore dhe të pandehurit Ferdinando, që lidhen me administrimin e disa shumave të konsiderueshme parash me prejardhje publike, në favor të shoqërisë që ushtronte në fushën mjekësore “Ase Enterprise” e Muollo, në të cilën Salvatore Ridosso ishte bërë ortak i fshehtë nëpërmjet futjes në këtë shoqëri të gruas së tij Anna Borrelli, e nga e cila ishte përjashtuar në mënyrë progresive. Në mënyrë të veçantë Salvatore Ridosso, duke pasur parasysh shumën e madhe të parave që qarkullonte nga arkat publike në atë të shoqërisë, rrethanë për të cilën kishte pasur dijeni fare rastësisht, i kishte kërkuar Ferdinando Muollo kthimin e menjëhershëm të 150 milionë liretave të investuara në këtë shoqëri, përveç kuotës pjesë të financimit publik.

Në përgjigje të kësaj kërkese viktima Salvatore Ridosso kishte reaguar si përgjigje nga Ferdinando, duke i thënë se duhet të fliste me nipin e tij Luigi Muollo, person i njohur si i dhunshëm dhe me rrezikshmëri në shoqëri.

Nga ana tjetër Salvatore  i ishte përgjigjur Ferdinandos se:”…do të gjuante Gigino Muollo me gazetë në fytyrë e më pas do t'i qëllonte dy plumba në kokë…”.

Nga përmbajtja e disa përgjimeve të kryera nga prokuroria italiane të kapura brenda në makinën “Renault” në përdorim të Ferdinando Muollo, ku në bisedën e parë nipi i tij Luigi, djalit të të vrarit Salvator i atribuon vrasjen e të afërmit “…atij bastardit Ferdinando…” duke i referuar qartësisht Ferdinando Muollo.

Gjatë një bisede të dytë Genaro Ridesso, djali i Romolo dhe nipi i viktimës , i tregon kushëririt Luigi dhe xhaxhait Antonio se kishte marrë pjesë në takimin ku Salvatore e kishte kërcënuar “Giginon” duke i pohuar se në fillim do ta godiste me gazetë në fytyrë ndërsa më pas do e qëllonte me plumb.

Nga deklaratat e mëtejshme të dhëna nga i pandehuri Romolo Ridosso, sipas të cilit Muollo kishte pranuar, të paktën sa për sy e faqe që të takonte vëllain Salvatore për të sheshuar këtë gjë të dielën në vijim. Por Muollo kishte vendosur të hiqte qafe të vëllanë duke e vrarë nga dora e Luigi Muollo, më pas edhe ky i fundit është vrarë. Në këtë plan për të vrarë Salvatoren ka marrë pjesë dhe Valentino Mansi.

Në deklaratat e dhëna nga Saverio Tammaro, edhe ky bashkëpunëtor i drejtësisë dhe që njihet si pjesë e klanit “Tammaro Di Lauro-Muollo”, i cili ka konfirmuar përplasjen e lindura për arsye pasurie midis Ferdinando dhe Salvatores dhe që pas vrasjes së këtij të fundit Luigi Muollo dhe Mansi ishin mburrur se ishin ata autorët e krimit duke e përshkruar me detaje edhe fazën e ekzekutimit. Gjithashtu sipas dëshmisë së këtij bashkëpunëtori Mansi ka shprehur merakun se ishte parë e njohur nga një dëshmitar rastësisht i pranishëm në momentin e vrasjes, rrethanë që më pas rezultoi e vërtetë falë kontributit të dëshmitarit Di Maio Fiorentino, i cili në të vërtetë nuk e njohu ekzekutorin material, por i përshkoi mirë tiparet e tij në vendngjarje.

Investimet në Shqipëri

Pas kryerjes së krimit Ferdinando Muollo ka vizituar disa herë Shqipërinë duke qëndruar një ose dy ditë, duke i rralluar më pas këto vizita gjatë vitit 2018 dhe 2019. Nga hetimet e kryera nga prokuroria shqiptare, rezulton se Muollo është dënuar nga drejtësia italiane me 12 vjet e 6 muaj burgim si pjesë e klaneve në zonën e Napolit në Itali. Vizitat dhe qëndrimet e tij në Shqipëri përkojnë me firmosjen e blerjes apo të shitjes së kontratave të pasurisë, madje ka hapur dhe biznese konkrete. Më konkretisht në datën 11 janar 2013 ka lidhur një kontratë blerje apartamenti në vlerën 120 mijë euro. Ndërkohë më tej në 7 nëntor 2014 ka lidhur kontratë për blerjen e apartamenteve me vlerë të deklaruar 70 mijë euro. Më datën 19 shkurt 2015 ka lidhur kontratë për blerjen e dy apartamenteve dhe 13 garazheve me vlerë të deklaruar prej 370 mijë euro. Gjithashtu më datën 17 shtator 2015 ka kryer blerjen e një apartamenti me vlerë 42 milion lekë të vjetra. Në datën 29 shtator 2016 ka kryer blerjen e një apartamenti me vlerë 50 mijë euro. Gjithashtu Ferdianndo Muollo ka në pronësi një automjet tip Mercedes Benz me targë AA 001 OF blerë me kontratë shitje në datën 18 dhjetor 2017 në vlerën prej 5 mijë euro. Momentalisht nuk dihet se kush person e përdor këtë automjet në qarkun e Durrësit.

Ndërkohë nga verifikimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se më datën 6 nëntor 2015 është regjistruar shoqëria “Ksenon Poliklinika”, ku njëri nga ortakët është Fernando Muollo. Gjithashtu në datën 19 prill 2016 subjekti pezullohet dhe në datën 14 shtator ky subjekt bëhet aktiv. Më datën 8 nëntor 2016 Muollo shet 50 për qind të aksioneve tek Viktor Xhili dhe mbetet me 45 për qind dhe më datën 20 dhjetor 2017 aktiviteti pezullohet. Gjithashtu në datën 23 mars 2012 shoqëria Target themelohet nga italiani Ferdinando Muollo, por kjo shoqëri në datën 12 mars 2014 ka vendosur të mbyllë aktivitetin e saj. Ortaku shqiptar i Muollo në këtë biznes ka qenë Artan Shqypi.

Lista e Pasurive

1.            Në datën 11 janar 2013 ka lidhur një kontratë blerje apartamenti në vlerën 120 mijë euro.

2.            Në 7 nëntor 2014 ka lidhur kontratë për blerjen e apartamenteve me vlerë të deklaruar 70 mijë euro.

3.            Më datën 19 shkurt 2015 ka lidhur kontratë për blerjen e dy apartamenteve dhe 13 garazheve me vlerë të deklaruar prej 370 mijë euro.

4.            Në datën 17 shtator 2015 ka kryer blerjen e një apartamenti me vlerë 42 milion lekë të vjetra.

5.            Në datën 29 shtator 2016 ka kryer blerjen e një apartamenti me vlerë 50 mijë euro.

6.            Ferdianndo Muollo ka në pronësi një automjet tip Mercedes Benz me targë AA 001 OF blerë me kontratë shitje në datën 18 dhjetor 2017 në vlerën prej 5 mijë euro.

7.            Në datën 6 nëntor 2015 është regjistruar shoqëria “Ksenon Poliklinika”.

8.            Në datën 23 mars 2012 shoqëria “Target” themelohet nga italiani Ferdinando Muollo.

(Kliko këtu për të lexuar ekstraktin e Qkr për biznesin, klinikë detare)

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e qeverisë gjatë vitit 2024?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Rritet fluksi i automjeteve në Qafë-Thanë! Festat e fundvitit krijojnë radhë të gjata të udhëtarëve nga Maqedonia e Veriut

Korçë/ Rritet fluksi i automjeteve në Qafë-Thanë! Festat e fundvitit krijojnë radhë të gjata të udhëtarëve nga Maqedonia e Veriut