Një gjyqtar në Gjykatën e Lartë në Quebec të Kanadasë, sipas Montrealgazette ka rrëzuar kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Ëngjëll Brahimit, i dënuar në vendin tonë me burgim të përjetshëm për vrasjen e një polici dhe djalit të tij 8-vjeçar 20 vite më parë.

Gjykata kanadeze sipas medies ka pranuar sot kërkesën e bërë nga vetë Brahimi, që të mos ekstradohet në Shqipëri. Gjykatësi Alexandre Boucher tha  se kishte probleme me provat e paraqitura.

Gjatë gjyqit, e veja identifikoi personin që qëlloi burrin e saj përmes një grupi prej katër fotosh të paraqitura nga policia gjashtë muaj pas vrasjes. Formacioni i fotografive nuk mund të gjendet tani, vuri në dukje Boucher ndërsa jepte vendimin e tij në gjykatën e Montrealit.

“Thënë thjesht, formacioni i dhënë (në kërkesën për ekstradim) nuk përputhet me formacionin e përshkruar nga dëshmitarja në dëshminë e saj,” tha Boucher.

“Provat shtesë vërtetuan gjithashtu se formacioni fotografik (i paraqitur gjatë gjyqit në Shqipëri) ishte i pamjaftueshëm. Ai përmbante vetëm katër fotografi me fotografinë e të dyshuarit që dallohej nga të tjerët. Dëshmitë janë kaq të dëmtuara dhe kaq të pabesueshme saqë ekstradimi do të ishte një gabim drejtësie,” shtoi ai.

Ai akuzohet për vrasjen e oficerit të policisë, Astrit Braçe dhe djalin e tij 8- vjeçar, në një pritë me armë zjarri më 10 gusht 2000 në Fier. 

E gjithë vrasja dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje. Kjo sepse në vitin 1997, vëllai i Ëngjëll Brahimit, Iliriani, u vra në një shkëmbim zjarri me policinë, pasi dikush kishte hapur zjarr ndaj një ambulance. Braçe ishte një nga policët e pranishëm në momentin e vrasjes së vëllait të Brahimit. Në 1999 ndaj Braçes u organizua një atentat, por rezultoi i dështuar. Ëngjëll Brahimi ishte i dyshuari kryesor, por ndaj tij nuk kishte prova të mjaftueshme për ta akuzuar.

Më 10 gusht 2000, Braçe me bashkëshorten, me djalin e tyre Asllanin, vajzën, mbesën dhe nipin po shkonin në plazh. Të gjithë po udhëtonin në mjetin Mercedes-Benz dhe kur po ktheheshin, makina është goditur me armë zjarri në fshatin Poro-Pishë ku humbi jetën efektivi dhe djali i tij 8 vjeçar. Brahimi dyshohet se ka dalë nga një Audi dhe ka hapur zjarr në drejtim të Mercedes-Benz. Referuar asaj që shkruan mediat kanadeze, oficeri i policisë ka arritur të dalë nga makina dhe është nisur drejt një lumit Vjosë. Ndërkohë, gruaja e Braçes ka arritur ta shohë autorin dhe i ka bërtitur “kriminel më vrave djalin”. Në këtë momente, autori nuk i është përgjigjur, por ka hipur në automjetin e tij dhe është larguar për të ndjekur oficerin. Gruaja e Braçes tha se më vonë dëgjoi të shtëna. Trupi i të shoqit u gjet të nesërmen në buzë të lumit Vjosa.

1700172553_engjllbrahimi.jpg