Në përfundim të një takimi me drejtuesit e sigurisë së vendit ku shqyrtoi situatën, Kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu, urdhëroi mbylljen e menjëhershme të Hebronit, si dhe përgatitjen e një bllokade të plotë të Bregut Perëndimor. Këtë e njoftoi vetë Netanyahu përmes një postimi në X.
Vendimi erdhi pasi dy persona humbën jetën dhe pesë të tjerë u plagosën në një shkëmbim zjarri në kryqëzimin e Judeas, në Bregun Perëndimor, në atë që kryeministri izraelit e cilësoi si një tentativë të rëndë sulmi terrorist të kryer nga militantë palestinezë.
Dy viktimat janë agresorët e dyshuar, që u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit me ushtarët e IDF-së, ndërsa të plagosurit janë të gjithë izraelitë, dy prej tyre në gjendje të rëndë.
Ngjarja e shtyu kryeministrin Benjamin Netanyahu të urdhëronte mbylljen e Bregut Perëndimor, vetëm pak ditë para zgjedhjeve në Izrael.
Netanyahu, i angazhuar në një garë të fortë elektorale për të siguruar një mandat të ri në zgjedhjet e së martës së ardhshme, deklaroi se trupat izraelite kishin parandaluar atë që mund të ishte një sulm në shkallë të gjerë.
Sipas tij, agresorët dyshohet se transportonin një sasi të madhe municionesh në automjetin e tyre.
Një gazetar i AFP-së, dëshmitar i shkëmbimit të zjarrit, pa dy burra palestinezë me rroba civile, të armatosur me pistoletë dhe pushkë automatike, duke shkëmbyer zjarr me forcat izraelite në një pikë kontrolli pranë qytetit palestinez të Hebronit.I njëjti burim tha se forcat izraelite i vranë agresorët.
Ushtria izraelite deklaroi se ushtarët u drejtuan me shpejtësi në zonën e njohur edhe si pika e kontrollit Farsh al-Haëa, pas një shkëmbimi zjarri që ndodhi në orët e para të mëngjesit.



Komente
Komento