Të gjithë kërkojnë nga Serbia njohjen e pavarësisë së Kosovës por askush nuk garanton madje as integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, është shprehur kështu presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Ai i bëri këto komente në një debat të organizuar nga Këshilli Atlantik, ku theksoi se për vendin e tij priten kohë të vështira gjatë administratës Biden edhe pse Serbia “ka nevojë për Shtetet e Bashkuara” dhe është vënë në përpjekje për të thelluar marrëdhëniet me Washingtonin.
“Çështja është se Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe vende të fuqishme nga perëndimi thonë se po presin nga Serbia që të njohë pavarësinë e Kosovës. Por kur pyesim çfarë ofroni, sepse asnjëra palë nuk mund t’i fitojë të gjitha – nuk ka asgjë. Askush nuk mund të garantojë madje as anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, tha ai , duke nënvizuar se madje edhe kur flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe që është paraparë me marrëveshjen e Brukselit “na thonë prisni sepse në Prishtinë është një qeveri e re dhe kanë probleme”, tha Vuçiç.
Kosova dhe Serbia pritet që të rifillojnë procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në muajin maj, bisedime që ishin ndalur prej disa muajsh për shkak të situatës në Kosovë.
“Çfarë kemi nënshkruar në Bruksel 8 vjet më parë duhet të përmbushet nga të dyja palët. Dhe këtu është problemi. Pala tjetër ishte e gatshme të nënshkruajë sepse ishte e sigurt se nuk duhet te zbatojë asgjë”, tha presidenti serb, duke kritikuar Prishtinën për “shantazh”.
Ai tha se nuk u ka kushtuar vëmendje debateve që nxiti një dokument joformal (non-paper) i përfolur në mediat e Ballkanit me propozimin për ndryshimin e kufijve në rajon.
“Kurrë nuk keni dëgjuar nga unë apo kryeministrja e Serbisë që ne mbështesim Serbinë e Madhe, por e dëgjoni çdo ditë nga Prishtina dhe Tirana dhe askush nuk reagon”, tha ai duke theksuar se kohërat e luftërave në Ballkan kanë kaluar dhe popujt janë të ngopur me luftëra.
Në fjalën e tij ai ka vlerësuar minishengenin ballkanik si një iniciativë që mundëson përmirësimin e situatës në Ballkan. Ai e vlerësoi atë si e ardhmja e e rajonit dhe kritikoi qasjen e Kosovës, Malit te Zi dhe Bosnjës kundër kësaj ideje, ai tha se një pjesë e fajit i takon edhe e tij.