Teksa në Prishtinë e Tiranë vijonin ende reagimet për deklaratën nga Beogradi të presidentit ukrainas Zelensky se Kievi nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, për të tensionuar edhe më shumë situatën ka menduar Aleksandër Vuçiç.

Në një takim me ekspertë e zyrtarë të fushës të dielën, Aleksandër Vucic deklaroi se Serbia po shikon mundësinë që të devijojë rrjedhës e Lumit Ibër, i cili furnizon Liqenin e Ujmanit, jetik për nevojat e Kosovës me ujë.  

Albulena Haxhiu, ushtruese e Detyrës së Presidentit në Kosovë, shfrytëzoi një takim me diplomatë për të kërkuar reagim ndërkombëtar për këto deklarata.

"Një tjetër shqetësim serioz që duhet të adresohen me partnerët tanë ndërkombëtarë janë edhe deklaratat e fundit të Vuçiqit për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Siç e dini për letencën dhe liqenin e Ujmanit, janë pjesë e një sistemi epik për furnizim me ujë për energjinë bujqësinë dhe jetën e qindra mijërave qytetarëve të Kosovës. Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasoja shumë përtej një çështjeje teknike, ngase do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës tonë" tha Haxhiu. 

Me shqetësim reagoi edhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ferit Hoxha, i cili thotë se Beogradi nuk mund të përdorë ujin për të ushtruar presion ndaj një shteti apo popullsie teksa i kujtoi Vuçiçit konventat ndërkombëtare.

"Shqipëria pret që Serbia të respektojë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë. Çdo projekt ose masë që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë apo cilësinë e ujërave që prekin Kosovën duhet të trajtohet përmes konsultimit me palën e prekur. Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër" tha Hoxha

Po nga politika e Tiranës për zhvillimet në Beograd lidhur me Kosovën reagoi edhe kryeopozitarit Berisha, i cili komentoi edhe një herë deklaratën e Zelenskyt për mos njohjen e Kosovës shtet. Për Berishën deklarata është e papranueshme por sipas tij Shqipëria nuk mund ta tërheqë mbështetjen për Kievin.

"Në qoftë se presidenti bëri një deklaratë të tillë, ne nuk e harrojmë dhe ne nuk pranojmë këtë deklaratë, por natyrisht nuk mund të bëhet fjalë që ne të ndryshojmë qëndrimin ndaj agresionit barbar rus, ndaj popullit të Ukrainës dhe kombit ukrainas që po bën një luftë heroike, në fakt në mbrojtje të pavarësisë dhe të integritetit"

Deklarata Zelenskyt u kundërshtua edhe në mes politikës së Kievit. Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin ukrainas, Oleksandr Merezhko, thotë se njohja e Kosovës nuk do ta shkelte të drejtën ndërkombëtare, pasi është totalisht çështje ndryshe nga Ukraina.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:40
'Deklaratat e Vuçiçit janë kërcënuese', Haxhiu: Diplomatët e huaj të informojnë partnerët për rrezikun ndaj Ibrit

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i cilësoi kërcënuese deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiç për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke kërkuar që ato të adresohen me partnerët ndërkombëtarë.

Duke folur në Konferencën e Ambasadorëve të Kosovës, Haxhiu tha se diplomatët kosovarë duhet t'i informojnë qeveritë e vendeve ku shërbejnë për pasojat që, sipas saj, mund të ketë një ndërhyrje e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare. Ajo theksoi se sistemi Ibër-Lepenc dhe liqeni i Ujmanit janë jetikë për furnizimin me ujë, energjinë dhe bujqësinë në Kosovë.

“Në anën tjetër, Serbia vazhdon politikën e saj hegjemoniste ndaj Kosovës, një tjetër shqetësim serioz që duhet të adresohen me partnerët tanë ndërkombëtarë janë edhe deklaratat e fundit të Vuçiqit për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Siç e dini për letencën dhe liqenin e Ujmanit, janë pjesë e një sistemi epik për furnizim me ujë për energjinë bujqësinë dhe jetën e qindra mijërave qytetarëve të Kosovës. Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasoja shumë përtej një çështjeje teknike. Nga se do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës tonë. Për këtë arsye, diplomatët tanë duhet t’i bëjnë të njohura këto deklarata në kryeqytetet ku shërbejnë, dhe t’i informojnë qeveritë e vendeve pritëse për natyrën dhe pasojat e kësaj ideje absurde sa edhe kërcënuese. Duhet ta bëjmë të qartë se përdorimi i burimeve ujore si instrument presioni ndaj Kosovës është i papranueshëm dhe se ide të tilla që ringjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar. Kosova pret nga partnerët e saj që çdo veprim që rrezikon burimet ujore jetike për vendin të trajtohet me përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare, përfshirë edhe përdorimin e drejtëve të arsyeshme të tyre dhe detyrimin për të parandaluar dëmin e konsiderueshëm ndërkufitar" tha Haxhiu. 

Ora 14:52
Shqipëria reagon pas deklaratave të Vuçiçit për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, Hoxha: Uji nuk mund të përdoret si armë presioni për të ndëshkuar një shtet

1784022838_ferithoxha.jpg

Foto: Ferit Hoxha

Shqipëria ka reaguar pas deklaratave të presidentit serb Aleksandër Vuçiç bërë gjatë fundjavë për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Në një deklaratë të postuar në rrjetin social X, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha shpreh shqetësim të thellë dhe thekson se çdo ndërhyrje në një rrjedhat ndërkufitare të ujit  nuk mund të vendoset në mënyrë të njëanshme, veçanwrisht kur prek interesat e një shteti tjetër. Më poshtë reagimi i plotë:

“Shqipëria shpreh shqetësim të thellë për deklaratën e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe përfshirjen e ekspertëve dhe institucioneve serbe në shqyrtimin e një mundësie të tillë.

Ndryshimi i rrjedhës së një lumi që është pjesë e një sistemi ujërash ndërkufitare nuk është një çështje thjesht e brendshme dhe as një vendim që mund të merret në mënyrë të njëanshme, veçanërisht kur pasojat e tij prekin drejtpërdrejt territorin, mjedisin, sigurinë ujore, furnizimin me ujë dhe jetën e qytetarëve të një shteti tjetër.

E drejta ndërkombëtare e ujërave është e qartë në këtë pikë. Parimet e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, detyrimi për të parandaluar, kontrolluar dhe reduktuar dëmet ndërkufitare, si edhe detyrimi për të bashkëpunuar, shkëmbyer informacion dhe konsultuar për masat që mund të kenë ndikim ndërkufitar, janë pjesë e standardeve të konsoliduara të së drejtës ndërkombëtare. Serbia është palë e Konventës së UNECE për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Ujërave Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare që prej vitit 2010 dhe ka pranuar gjithashtu mekanizmat e saj për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Shqipëria pret që Serbia të respektojë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë. Çdo projekt apo masë që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë ose cilësinë e ujërave që prekin Kosovën duhet të trajtohet me transparencë, mbi bazën e të dhënave shkencore, pas një vlerësimi të plotë të ndikimeve ndërkufitare dhe në konsultim me palën e prekur.

Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik apo si mjet për të ndëshkuar një shtet ose popullsi tjetër.

Shqipëria mbështet fuqimisht të drejtën e Kosovës për siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e burimeve të saj ujore.

Ne besojmë fort dhe presim që çështje të tilla të trajtohen përmes dialogut, bashkëpunimit dhe standardeve evropiane, e jo përmes kërcënimeve apo ndërhyrjeve dhe veprimeve të njëanshme.”

Ora 12:51
Zelensky ripohoi mosnjohjen e Kosovës, Berisha: E pavend dhe e papranueshme! Mbështesim luftën heroike të Ukrainës ndaj agresionit rus

Deklarata në Beograd e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky për mosnjohjen e Kosovës, cilësohet si e papranueshme nga Partia Demokratike. Kreu i saj, Sali Berisha, tha në një konferencë për mediat se deklarata bie në kundërshtim me vendimet e institucioneve ndërkombëtare që njohin legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.

Paralelisht, Berisha thotë se Shqipëria është mike me Ukrainën dhe solidarizohet me luftën e saj kundër agresionit rus. Si rrjedhojë, nuk duhet të reshtë mbështetja ndaj popullit ukrainas. Kreu i PD e quan Serbinë “kali i Trojës së Kremlinit” në Ballkan dhe “Rusinë e vogël” që shërben si prapavijë e Moskës.

“Sot kemi një deklaratë në të cilën ne shprehim keqardhje për deklaratën e presidentit Zelensky në Beograd për pavarësinë e Kosovës, të cilin ai u shpreh se është e njëanshme. Kjo deklaratë e presidentit Zelensky vjen në kundërshtim të hapur me vendimet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, me planin e Ahtisarit të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Vjen në kundërshtim të hapur me vendimet e vendeve kryesore anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Vjen në kundërshtim të hapur me të drejtën dhe ligjin ndërkombëtar, të interpretuara ato me kërkesë të Beogradit nga Gjykata Ndërkombëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila është shprehur për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës. Por nga ana tjetër, deklarata është dhe në një aspekt tjetër jashtë çdo konteksti historik.

Shqiptarët janë një komb mik me kombin ukrainas dhe në Shqipëri dhe në Kosovë, ata janë solidarizuar plotësisht me luftën heroike të popullit të Ukrainës nën udhëheqjen e presidentit Zelensky kundër agresionit barbar rus. Kurse Serbia gjer para pak kohëve ishte Kali i Trojës i Kremlinit në Ballkan. Është Rusia e vogël, e cila në mënyrë të pamohueshme shërbeu dhe vazhdon në një farë mënyre të shërbejë si prapavijë e fuqishme e Rusisë në Ballkan.

Edhe në këtë kuadër deklarata e presidentit Zelensky është jashtë çdo konteksti, dhe mendoj unë, interesi për vendin e tij. Ndaj dhe Partia Demokratike e cilëson atë një deklaratë krejtësisht pavend, krejtësisht të papranueshme dhe do të thosha një deklaratë fatkeqe në një vend që s'duhej bërë kurrë dhe për pavarësinë e Kosovës”, tha Berisha.

Kujtojmë se edhe Ministria e Jashtme tha në një reagim se mes Kosovës e Ukrainës “s’mund të hiqet asnjë paralele” pasi janë dy raste të ndryshme.