Presidenti serb Aleksandër Vuçiç thotë se në fokus të bisedimeve me Edi Ramën dhe Dimitar Kovaçevskin në Itali ishte lëvizja e lirë e qytetarëve, mallrave dhe shërbimeve duke hequr të gjithë pengesat dhe barrierat e mbetura.
Po ashtu theksoi se janë drejt përfundimit të procesit për lëshimin e lejeve të punës që do të ndikojë në bashkëpunimin ekonomik.
“Ajo çka diskutuan ishte sesi të ndihmojnë qytetarët e zakonshëm që të heqin të gjitha pengesat e barrierat e mbetura në tregtinë e lirë dhe në qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve në vendet e Ballkanit të Hapur. Diskutuam shumë çështje konkrete dhe besojmë se do të përgatisim gjithçka përpara nisjes së sezonit veror që do ta bëjë më të lehtë për njerëzit që të qarkullojnë përmes kufijve të secilit prej vendeve tona dhe besoj që njerëzit do ta vlerësojnë këtë shumë.
Diskutuam edhe të gjitha çështjet e tjera që kishin të bënin me qasjet fito-sanitare, veterinare, të gjitha qasjet e tjera që lidhen me sigurinë ushqimore, si dhe pasjen e qasjes më të lehtë tek vendet e tjera. Ajo që diskutuam së bashku ishte që bashkë me Maqedoninë e Veriut do t’u japim të gjithë qytetarëve tanë ato karta elektronike për pagesën e tarifave rrugore, janë gjëra të vogla, por këto gjëra të vogla nënkuptojnë përparime reale për standardet e jetesës së qytetarëve.
Diskutuam, po kështu, pranimin dhe njohjen e kartave të reja të identitetit që do të sigurojnë edhe ulje të mëtejshme për njerëzit, qytetarët, në shitjet me pakicë, në hoteleri për të tre ne vendet dhe besojmë që do ta realizojmë këtë në muajt që vijnë. Bëmë thuajse gjithçka lidhur me përfundimin e procesit për lëshimin e lejeve të punës dhe kjo besoj do jetë gur themeli real apo themeli për bashkëpunimin ekonomik të të gjithëve ne.
Miqtë e mi do të flasin për shifrat reale, por diçka shumë e rëndësishme është që kemi rritur nivelin e tregtisë, të paktën Maqedonia e Veriut e ka bërë me ne dhe ne me ta, ndërkohë që vlerësimi është rreth 50%, pak a shumë gjatë 3 viteve të fundit.
Megjithatë, pengesa jonë më e madhe, në tërë Ballkanin, jo vetëm në Ballkanin e Hapur, është kur ke një kamion që transporton diçka, produkte ushqimore të themi, shpenzojnë 70% të kohës së tyre në kufi; pra, koha e transportit është 30% ndërsa koha e pritjes në kufi është 70%. Pra, ka shumë gjëra për t’u tejkaluar.
Ka shumë gjëra të tjera. Edi do të organizojë panairin e bukës në Shqipëri, do të kemi panairin e verës, do kemi sërish panairin e festivalit, festivalin e filmit së bashku. Fëmijët tanë do të organizojnë kupa verore dhe shumë gjëra të tjera tek të cilat duam të angazhohemi me njëri-tjetrin. Ndjesë që mora kaq shumë nga koha juaj. Faleminderit edhe njëherë miqve të mi!
Do doja që të ftoja Shqipërinë, qytetarët shqiptarë dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut që të ftojnë Serbinë më shpesh, siç ftoj qytetarët serbë të shkojnë në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut dhe të përfitojnë nga qasja mjaft mikpritëse e këtyre dy vendeve”, tha Vuçiç.
Lajmi kryesor: