TIRANË, 25 Nëntor / ATSH / - U zhvillua në Tiranë Workshopi Rajonal mbi Ndryshimet Klimatike. Ky workshop kishte si objektiv promovimin e masave për adaptim ndaj ndryshimeve klimatike në rajon. Nëpërmjet tij synohet rritja e kapaciteteve mbi masat që duhen ndërmarrë për adaptim ndaj ndryshimeve klimatike, tek përfaqësuesit e vendeve përfituese, krijimin dhe planifikimin e politikave të përshtatjes ndaj këtyre ndryshimeve, si mënyra kryesore për veprim, ndaj ndryshimeve të pritshme të klimës. Në këtë kuptim fokusi i këtij workshopi ishte përmirësimi i bashkëpunimit në nivel kombëtar dhe rajonal për tu përshtatur ndaj Ndryshimeve Klimatike si dhe mekanizmat e duhur për këtë qëllim. Workshopi u organizua në kuadër të Projektit të Bashkimit Evropian "Rrjeti Rajonal për Aderim për Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike" (ECRAN) dhe ai është një mundësi shumë e mirë për rritjen e kapaciteteve të Grupit Ndërinstitucional të Punës për Ndryshimet Klimatike. Ministria e Mjedisit gjatë vitit 2015 do të përgatisë Planin Kombëtar për Adaptim ndaj Ndryshimeve Klimatike dhe në këtë kuptim, nevojitet një koordinim dhe gjithëpërfshirje institucionale, për t'iu përgjigjur ndryshimeve klimatike në të ardhmen. /a.ke/










