LIBRAZHD- Xhamia e re në  Zgoshti të Librazhit ka hapur dje dyert përmes një ceremonia festive, ku merrnin pjesë​ Sekretari i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman, Ali Zaimi, Myftiu  i Tiranës, H. Ylli Gurra, drejtori i Kabinetit në KMSH, z. Oltion Kola, ​drejtori i Organizatës Botërore të të Rinjve Myslimanë “ËAMY”,  Hektor Saliaj, miq e të ftuar të shumtë.

​Gjithashtu në këtë inaugurim merrnin pjese edhe deputeti i Librazhdit, Taulant Balla së bashku me drejtues të pushtetit lokal: Shefki Cota,  kryetar i Bashkisë Librazhd, Astrit Xhafa Kryetar i Komunës Lunik, Ndriçim Lila Kryetar i Komunes Orenje.​

​Sekretari i Përgjithshëm,  Ali Zaimi falënderoi në emër të Kryetarit Skender Bruçaj donatorët për kontributin e çmuar, organizatën “ËAMY” me drejtor  Hektor Saliaj, myftininë, autoritetet lokale dhe çdo person kontribuues për ngritjen e kësaj vepre me rëndësi fetare e sociale.

“Xhamia është vendi ku gatuhet dashuria për Zotin, për Profetin, për njerëzit; është vendi që shërben për t’u gatuar morali i bukur. Në këtë këndvështrim, ajo na ndihmon për t’u bërë më të devotshëm ndaj Zotit dhe për të qenë më afër e më solidarë me njëri-tjetrin”.

Në fjalën e tij, deputeti i PS-së, Taulant Balla është shprehur se xhamia do të shërbej për bashkimin e njerëzve pa dallim. 

“Ne politikanët e kemi pak të vështirë të flasim në xhami, sepse partitë politike i ndajnë njerëzit, kurse Kurani ka bërë një gjë shumë të mirë, sepse i bashkon të gjithë njerëzit pa dallim. Le të jetë kjo xhami një simbol bashkimi për të gjithë ne, sepse besimi në Zot na bën më të mirë dhe më të drejtë. Shqipëria jonë sot ka nevojë më shumë se kurrë për mirësi dhe drejtësi”, ka thënë deputeti socialist Balla.

Balla gjatë fjalës së tij vlerësoi lart ish-kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Hafiz Sabri Koçin.

“Hafiz Sabri Koçi ishte nga këto rrënjë, i lindur në Orenjë. Për këtë arsye dhe sidomos për kontributin e tij të madh, vazhdon të mbetet një kujtim i veçantë për të gjithë popullin e Librazhdit”, tha  Balla.

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)