Një vit pas arrestimit të imamit të vetëshpallur Bujar Hysa pasi predikonte nxitje të urrejtjes fetare, dhunës dhe luftës, xhamia e Mëzëzit ka kaluar tashmë në kontroll të Komunitetit Musliman të Shqipërisë. 

Myftiu i Tiranës Ylli Gurra si dhe disa përfaqësues të komunitetit kanë qenë sot në xhaminë e Mëzezit ku edhe kanë zyrtarizuar Imam Rifatin, një imam të njohur nga Komuniteti Musliman si dhe veprimtarinë e xhamisë.

Gurra u shpreh se për sa kohë nuk ka patur një imam të njohur nga komuniteti në këtë xhami mund të kryhej çfarëdolloj aktiviteti.
 
“Përsa kohë një objekt kulti mbetet pa qenë nën përgjegjësinë e një hoxhe zyrtar të lind e drejta të besojmë se mund të jemi dëshmitarë të gjithckaje që është në kundërshtim me vetë fenë, shtetin shqiptar dhe shoqërinë shqiptare multireligjoze. Kemi qenë pjesë e një realiteti të dhimbshëm 12 muaj më parë,” tha Gurra teksa shtoi se pas zyrtarizimit të këtij objekti kulti, në Tiranë mbetet ende një xhami e palegalizuar, që është ajo e Unazës së Re. 

Ali Zaimi Nënkryetar i Komunitetit Musliman të Shqipërisë deklaroi pak ditë më parë në studion e Rreze Dielli në Report Tv se në Tiranë janë 7 xhami të cilat veprojnë jashtë juridiksionit të komunitetit dhe një ndër to ishte dhe ajo e Mëzezit.
 
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)