Biznesmeni Adrian Xhillari rezulton i kallëzuar penalisht në prokurorinë e Tiranës, pasi dyshohet se ka bërë dy transaksione me vlerë 1 milion euro, me biznesmenin gjeorgjiano-izraelit Amiran Dzanashvili, ky i fundit i proceduar në Rumani për shfrytëzim prostitucioni. Në një skemë ku shfaqen transaksionet mes dy biznesmenëve, skemë e cila është përpiluar nga specialistët e Drejtorisë së Pastrimit të Parave pranë Policisë së Shtetit, rezulton se mes Xhillarit dhe Dzanazhvilit ka pasur transaferta bankare që përllogariten deri në 1 milion euro.

Ndërkohë në kontratat noteriale këto kalimi i aksioneve tek kompania “Tea Oil Italia” nga Xhillari tek Dzanazhvili dhe anasjelltas janë deklaruar si dhuratë. Gazeta “Shqiptarja.com” në 10 maj të këtij viti gjatë një investigimi ka zbuluar skemën e transaksioneve mes Dzanazhvilit dhe disa biznesmenëve të tjerë në vend mes tyre dhe deputetin Mark Frroku.

Shitja dhe dhurata
Nga verifikimet e kryera hetuesit kanë zbuluar të gjithë dinamikën e transaksioneve në tre kompani, ku rezultojnë të jenë emra të njohur të politikës dhe biznesit si: Andis Harasani, Adrian Xhillari, Mark Frroku, Ervin Canollari, Y.N, M.P., etj Oficerët kanë referuar material në prokurori për kompaninë “Tea Oil Italia”. Kjo kompani është krijuar në QKR në 3 tetor 2012 dhe ka si objekt tregtimin e naftës dhe gazit. Aksioneri kryesor i saj Adrian Xhillari në 9 mars 2013, i ka shitur 51 për qind të aksioneve gjeorgjiano-izraelitit Amiran Dzanashvilit, tashmë të akuzuar në Rumani për shfrytëzim prostitucioni.

Çudia ka ndodhur pasi ndryshimi dhe transferimi i aksioneve është bërë në 7 mars 2013, pra dy ditë para se të nënshruhej kontrata mes Dzanazhvilit dhe Xhillarit, veprime këto që konsiderohet të dyshimta për policinë. Mirëpo çudia nuk ka përfunduar, pasi pas 6 ditësh, nga momenti i shitjes, ku në mënyrë misterioze, Amiran Dzanashvili i dhuron sërisht 51 për qind të aksioneve shtetasit Adrian Xhillari. Ky i fundit këtë dhuratë e pranon me anën e një kontratë noteriale të nënshkruar në datën 13 mars 2014.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)