Xhuli Keko: Sekretet e ëmbla
të dashurisë me Teodorin

Xhuli Keko: Sekretet e ëmbla <br />të dashurisë me Teodorin
10 vjet mungesë, copëza shënimesh e fragmente krijimtarie që dalin në dritë si një amanet 'i harruar' diku, rrëfime të panjohura, "sekrete" familje, një dimension tjetër nga portreti i Teodor Kekos, shkrimtar e njeri... Xhuli Keko, dashuria e shkrimtarit, na rrëfen sot në këtë 10 vjetor të humbjes së shkrimtarit dhe gazetarit të njohur, mëngjeset e tij mes dorëshkrimeve, ndërsa fëmijët flinin e qetësia mbizotëronte në shtëpi, marrëdhëniet me ta, ngjarje e personazhe që ai i rrëfente në bisedat me të, e deri tek ditët e dhimbshme të ndarjes, sëmundja, amanetet, dëshirat, tekat e ëmbla, kujdesin e tij për të mos lënë dhimbje në shpirtin e saj...Ky rrëfim ekskluziv për Rilindasin, na zbulon shumë anë të panjohura të marrëdhënies së tyre e të jetës së shkrimtarit...

Pas 10 vjetësh jemi sërish në Tiranë duke folur për Dorin. Mori titullin 'Mjeshtër" nga Presidenti e një ceremoni me miq e të afërm në përkujtim të 10 vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Si ndihet Xhuli e fëmijët?
Së pari dua t'ju falenderoj për mundësinë që më dhatë të shprehem në këtë intervistë. Ndihem disi e konfuzuar. Dori erdhi prapë pas 10 vitesh, ishte prapë me ne pardje. Në këto dy javë që kam qenë në Shqipëri, kemi qenë prapë bashkë. Kam një peng, të dy fëmijët nuk janë këtu dhe nuk i ndoqën dot nga afër aktivitetet, edhe pse i kanë ndjekur nga media apo nga bisedat telefonike që kemi pasur. Ata ndihen krenarë për babain që kanë.

Si u njoh Xhuli me Dorin?
Unë fillova studimet në Fakultetin Gjuhë-Letërsi në vitin 1979. Dori erdhi dy javë me vonesë në shkollë. Të gjithë prisnim me një lloj kurioziteti ardhjen në auditorin tonë të djalit të Xhanfizesë dhe Endri Kekos. Kur erdhi në klasë, nuk pata ndonjë impakt, pra si të thuash, nuk ishte një dashuri me shikim të parë. Ishte një miqësi me shikim të parë. U bëmë shumë miq, punonim bashkë në detyrat e kurseve, si një skuadër shumë e mirë. Erdhi gjithçka gradualisht. Në vitin e dytë, ka qenë 18 dhjetor, dhe datën e mbaj mend, sepse gjithmonë e kemi festuar, më telefonoi dhe më kërkoi të dilnim për një shëtitje.

Pra ishte si një takim dashurie...
Po ky ishte takimi i parë, në 18 dhjetor 1981.

Nga sa e njohim, Dori kishte një natyrë rebele. Si u bind Xhuli të merrte këtë udhëtim jete me Dorin?
Unë i besoj thënies "Nuk dashuroj as unë as ti, por dashuronte dashuria". Nuk u binda, erdhi gjithçka kaq natyrshëm.

Megjithatë Xhuli, unë ju kam parë shumë aktive në rrjete sociale, me fotografitë e Dorit, me poezitë e tij, me kontaktet me miqtë. Çfarë po ndodh me ju? Nuk do ta lini për asnjë çast?

Herë-herë nuk e besoj dot që nuk është më me ne. Unë vazhdoj të besoj se ai është këtu. Më duket krejt normale kjo që bëj. Dori është ende, nuk ka ikur dhe kjo mos t'ju duket si një çmenduri.

Ju keni qenë ndër të parat që shihnit dorëshkrimet e tij. Kur e evidentuat se kishit nisur udhën me një njeri që do të ishte një shkrimtar, publicist dhe gazetar i madh, edhe pse e quanim "Dori i Vogël"?
Kam përshtypjen që kur botoi librin "Lajmëtarja e vdekjeve" ai shpërtheu, edhe pse Dori shkruante gjatë gjithë kohës. Ishte libri që botoi pasi përfunduam fakultetin. E po ashtu, ishte një nga librat me të cilët edhe vetë Dori u dashurua. Unë e shikoja Dorin kur shkruante, por nuk është e vërtetë se isha e para që e lexoja atë që shkruante. Dori kishte frikë se mos i bëja vërejtje edhe për shkak të gjuhës që përdorte në tregimet e tij. Nganjëherë përdorte "Dirty words" (fjalë të pista) dhe unë si grua e si nënë, nuk isha shumë dakord. Unë e dija për ç'ka shkruante, kjo është e vërtetë, sepse ai vetë më fliste për atë që shkruante. Në tavolinën e tij të punës ishin dorëshkrimet e tij, sepse Dori punonte shumë herët, zgjohej që në orën 5.00 të mëngjesit. Ne jetonim në një shtëpi të vogël, dhomë e kuzhinë, dhe Dorit i duhej të çohej herët për të punuar, edhe për shkak se më vonë zgjoheshin fëmijët që ishin të vegjël e në shtëpi bëhej rrëmujë. Kështu që gjithmonë e konsideroja si një "morning person". Kur zgjohesha unë në mëngjes nga ora 7 apo 8, Dori bënte kafen e mëngjesit e mandej nuk shkruante më. Në shtëpi fillonte rrëmuja.

Ja, këtu dua të ndalem. A ka ndodhur ndonjëherë në atë shtëpi të vogël kur pa dashje mund të keni marrë ndonjë dorëshkrim të tij dhe ta keni hedhur pa dashje sigurisht, apo fëmijët të kenë prishur ndonjë nga punët e tij?

Në përgjithësi unë isha shumë fanatike për letrat që Dori linte nëpër shtëpi. Nga unë, asnjëherë nuk ka humbur gjë. Por një ditë ndodhi një gjë e papritur dhe e kujtoj si tani: Dëgjoj një ulërimë që vinte nga poshtë pallatit, e ne banonim në katin e nëntë, "o Xhuliiiii". Ishte Dori, i cili kishte gjetur në oborrin e pallatit gjithçka që ai kishte shkruar atë mëngjes. Fëmijët i kishin bërë ato aeroplanë dhe i hidhnin nga dritarja. E natyrisht fajin e kisha unë...

Nga sa pamë edhe në dokumentarin e transmetuar në Teatrin Kombëtar, kishte një marrëdhënie të veçantë të Dorit me Martinin dhe Elion. Sa e kanë ndihmuar ata Dorin, apo edhe anasjelltas?
Dori ka qenë shumë i lidhur me familjen, pavarësisht nga jeta disi boheme që ka bërë. Ai më ka ndihmuar shumë, unë isha arsimtare, punoja në shkollë nate dhe ishte Dori ai që kujdesej për fëmijët. Ajo që unë nuk arrita ta bëj kurrë edhe pas humbjes së Dorit, ishte marrëdhënia e tij e veçantë e shoqërore me fëmijët. Nuk u bërtiste asnjëherë. Ai gjithmonë i merrte me vete, fliste e bisedonte me ta, pra krejt një marrëdhënie tjetër nga ajo që kisha unë si nënë. Këto 10 vite që Dori nuk është me ne, jam munduar shumë ta realizoj dhe unë një marrëdhënie të tillë, por fëmijët nuk e besojnë. Pra nuk e besojnë kurrë që unë mund të jem shok me ta, sepse kam bërë gjithmonë nënën, nënën e të treve.

Tani që djemtë janë rritur, si e shikoni, kush vjen më afër Dorit, Martini apo Elio?
Në natyrë, absolutisht i ngjan Martini, por fatkeqësisht asnjëri nga fëmijët nuk shkruan. Në humor i ngjan Elio. Di të them që fëmijëve u mungon shumë Dori, secilit në mënyrën e tij. Familja tani ka marrë pamjen e një torte që i mungon një pjesë dhe asnjëherë nuk do të duket siç ishte.

Dua të të pyes për diçka tjetër që pak vetë e njohin: Dori në kuzhinë. Mesa mbaj mend ka qenë një kuzhinier i mirë, po sa të ndihmonte ty aty?
Ishte një kuzhinier shumë i mirë. Por nuk ishte Dori që ndihmonte Xhulin. Nuk ndodhte që do ikja nga shtëpia e qetë se do gatuante Dori. Ai gjithmonë gatuante për kënaqësinë e vet e për kënaqësinë e të gjithëve ne. Bënte gjëra të vogla, gjëra speciale...dhe gjithmonë thoshte se një burrë është kuzhinier më i mirë, një specialist më i mirë në kuzhinë. Ai edhe në kuzhinë, i merrte gjërat qetë-qetë, me shumë dëshirë dhe pasion. Kur Dori merrej me këtë gjë, merrej vetëm me gatimin, pastaj duhet të pastroja unë. Ndonjëherë ndodhte që majdanozi gjendej edhe në dhomën e gjumit sepse kishte shkuar aty të merrte diçka...Por ato që bënte të kënaqnin. Sidomos gatimet me bazë peshku i bënte të mrekullueshme. Më kujtohet kur gatuante qofte me kallamare, bënte një pjatë të bukur, rrinte me orë të tëra për ta përgatitur. E kur ne kishim përfunduar drekën a darkën, ai ulej qetë në tavolinë për të shijuar gatimin e tij. Por fëmijët shkonin e ia hanin (qesh) dhe Dori mbetej pa gjë. Kjo ndodhte shpesh.

Dua të kaloj në një aspekt tjetër i dhimbshëm, por që është pjesë e jetës. Kur e morët vesh se Dori vuante nga sëmundja e pashërueshme?
Dori gjithmonë ka vuajtur nga stomaku. Nuk e mbaj mend asnjëherë që të mos ketë vuajtur. Kishte një ulçër që iu agravua me kalimin e viteve e ai vetë ka qenë i pakujdesshëm. Merrte ilaçe aty për aty, por nuk kontrollohej. Mbase kjo ishte një nga arsyet që Dori nuk është më mes nesh. Kur konstatuam sëmundjen, ajo kishte kaluar në mëlçi dhe nuk kishte asnjë kthim pas. Ishte këshilltar i kryeministrit Meta kur dhimbjet e stomakut iu shtuan së tepërmi. Miku i tij, Vasillaq Kureta, e çon në spital dhe doktori ia kishte thënë se nuk ishte mirë. U kthye në shtëpi dhe si Dori, që i kalonte lehtë gjërat më thotë: Kisha ca njolla në mëlçi po nuk është gjë. Pasdite më thërrasin në kafe dy mikeshat e mia, Flora dhe Zana Nikolla. Zana ishte doktoreshë dhe kishte qenë gjatë kontrollit në spital të Dorit. Ajo më tregoi se nuk ishte mirë dhe sëmundja ishte e rëndë. Të nesërmen kam shkuar në punë e paqartë për atë që po ndodhte. Më thërret ministri i Shëndetësisë zoti Leonard Solis dhe më tha të vërtetën sesi qëndronte puna. Të pasnesërmen jemi nisur në Greqi, doktor Solis ka qenë i mrekullueshëm, na ndihmoi shumë dhe me urgjencë filluan analizat. U konstatua shumë shpejt që kanceri ishte metastatik dhe nuk kishte shpëtim. Mjekja në spitalin e Selanikut, më thirri dhe më tregoi të vërtetën: Nuk duhet të shpresosh, nëse sëmundja bashkëpunon me ne, ka vetëm një vit jetë.

Çfarë mendove në ato momente?
Të gjitha...në kokë të vijnë shumë gjëra. Nuk ishte vetëm humbja e Dorit. Ishin edhe fëmijët që duhet të rriteshin dhe të tregohem akoma më e sinqertë, mendova se Dori në atë periudhë ishte në momentin e pjekurisë si shkrimtar. Më vinte shumë keq që po ikte në atë moment. Ishte një humbje e madhe që ai nuk do të mund të shkruante më. Ai shkruajti gjatë gjithë vitit të mbetur, por mendoi për të ardhmen. Atëherë e kam kuptuar se kishte ardhur një moment pjekurie në letërsinë e Dorit.

Po vetë Dori si e përballoi këtë gjë sapo e mori vesh?
Për mua ka qenë një hero. Unë u mundova gjithë vitin që t’ia fshihja sadopak realitetin, por sigurisht që Dori e mori vesh. Kur dikush bën kimioterapi e hyn 7 orë në operacion e kupton se çfarë sëmundje ishte. Asnjëherë nuk e dha veten. Gjithmonë e trajtoi atë si "Dori i vogël, me një kancer të vogël"...Po të lexosh të plotë letrën amanet që i ka lënë Elios në janar, para se të hynte në operacion, e kupton se ai ishte koshient për gjithë sa po ndodhte. Pasi kam lexuar atë letër, mendoj se kam rënë për herë të dytë në dashuri me të. Pse? Çfarë shkruhej në atë letër? Po sepse ka lënë amanete kaq të bukura, ishte kaq qytetar...nuk e di, nuk besoj se ndokush mund të shkruante ashtu. Unë nuk jam e autorizuar nga Elio të tregoj se çfarë shkruhet në atë letër. Martini në atë kohë studionte në Hollandë, Dori shkoi e takoi dhe me Martinin foli ballazi. Ndërsa Elio ishte shumë i vogël dhe ai nuk e bënte dot me të atë bisedë që kishte bërë me Martinin. Ndaj zgjidhja që bëri Dori, ishte lënia në një letër e të gjitha gjërave që do të donte t'i thoshte djalit të vogël. Pra po flasim për një letër të shkruar nga Dori e cila nuk është publikuar... Dhe nuk ka për t'u publikuar... Asnjëherë? ...

Në këtë letër ka mesazhe vetëm për familjen, apo dhe për shumë gjëra të tjera? Pse keni vendosur për të mos e publikuar?

Mesazhet janë për familjen. Eshtë dëshira e Elios për të mos e botuar. Një pjesë e saj e vogël është publikuar gjithsesi, atë pjesë ku ai kishte lënë amanet që librin e tij të fundit t’ia redaktonte Andi Bejtja. Ka lënë amanet se kush duhet ta varroste. Por ndërkohë letra në dosje u gjet me vonesë, pasi kishin përfunduar procedurat e ceremonisë së varrimit. Tani nuk kam dëshirë t'i nxjerr këto gjëra, Dori ishte i të gjithëve. Nuk kam dëshirë në këtë moment të them se Dori dëshironte vetëm këta katër njerëz të kujdeseshin për gjithë ceremoninë e varrimit të tij. Ata ishin miqtë e tij më të afërt dhe ai donte që këta persona të merreshin me gjithë procedurat. Ju e mbani mend takimin tuaj të fundit me Dorin. Mesa mbaj mend ju keni qenë të gjithë në Hollandë... Po ne ishim të gjithë në Hollandë. Unë kisha filluar punën në ambasadë. Kishim 12 ditë që i kaluam së bashku kur unë u vendosa aty pasi fillova punën në ambasadë. Ishte hera e parë që Dori po udhëtonte pa mua. Por atje, në Selanik, ishte Stiliani dhe ishte një mik i yni i mrekullueshëm. Nuk e di pse e lashë vetëm. Më vjen shumë keq. Atë natë, një ditë para se të nisej, dolëm, shëtitëm, hëngrëm nga një picë, dhe në mëngjes, Dori ishte shumë në formë kur unë e përcolla në aeroport. Pasi arriti në Greqi, më mori në telefon e më tha se kishte mbërritur mirë, e se do të shkonte të pinte një kafe me Stilianin e më pas do nisej drejt spitalit. Mundohej gjithmonë ta shtynte orën e vajtjes në spital. Në ecejaket tona njëvjeçare drejt Selanikut, më kujtohet se kalonim anës spitalit. Më thosh: më duket sikur ky spital është arkivoli, të lutem kur të kalojmë, më thuaj. Gjithmonë donte ta shtynte kontaktin e tij me spitalin edhe pse kishte shumë besim te mjekja që e trajtoi. Me të pati një lidhje shumë të veçantë dhe kam përshtypjen që edhe shpresoi shumë. Ishte koshient për atë që po ndodhte. Por nëse të mbaron shpresa, atëherë ke mbaruar. Por se çfarë ndjente përbrenda, dua të jem shumë e sinqertë asnjëherë nuk e mora vesh, sepse që të dy, në një farë mënyre "gënjenim" njëri-tjetrin. Unë që mundohesha ta fshihja realitetin dhe ai që ndonjëherë më gjente duke qarë dhe më thoshte: "mos u mërzit, unë nuk do vdes, sepse nuk dua të të lë, sepse e di që do ta kesh shumë të vështirë në këtë jetë, shumë vështirë me fëmijët". Dhe sinqerisht gjithmonë më thoshte: "po ti ke miqtë e mi që nuk do të lënë vetëm". Dhe realisht janë miqtë e Dorit që më janë gjendur gjithmonë pranë.

Rikthehem te ajo natë e fundit, cilat ishin bisedat që bëtë bashkë?
Ishte një darkë e zakonshme, nuk kishte shumë të veçanta. Sepse Dori kishte planifikuar që të shkonte në Greqi edhe njëherë tjetër pas kësaj seance e biseda u përqendrua në faktin që Dori donte të vinte edhe njëherë në Shqipëri, të merrte laptopin që e kishim lënë të rregullohej e po ashtu, të merrte një pikturë të Zihni Veshit në shtëpinë tonë, pa të cilën nuk punonte dot. Unë e vlerësoj shumë Ziniun si piktor, është një ndër miqtë tanë të mirë. Dori ishte "i dashuruar" me atë pikturë dhe nuk punonte dot pa të. Atë darkë, duke ngrënë pica, fëmijët i vinin rrotull, nuk i gëzoheshin dot, sepse ishte shumë mirë. Gjatë gjithë 12 ditëve që ishim në Hagë, unë shkoja në punë dhe Dori nuk pushoi së bleri ato gjëra që i duheshin shtëpisë, nga kartat e telefonit, te gotat, televizori...gjithçka. 12 ditë ai dhe fëmijët janë marrë me rregullimin e shtëpisë. Më kujtohet se nga shteti në shtëpi kishim një TV dhe kur u ktheva në shtëpi gjej një të dytë. E siç jemi ne gratë i them e alarmuar: Dori po nuk na duhet, na duhen financat. Dhe Dori që më thotë: Këtë TV e bleva ta kesh ti, fëmijët do të ta marrin shpirtin duke parë programet e tyre në atë TV. Një ditë tjetër kishte blerë një ekspres kafeje. E njëjta histori. Dhe Dori që thotë: Do të vijnë njerëz për mua, është kollaj, një sustë do të shtypësh. Natyrisht që mërzitesha shumë se mendoja që nuk do të ndodhte kurrë. Por ja që Dori kishte të drejtë.

Kush të lajmëroi që ai nuk jetonte më?
Stiliani nuk më mori dot në telefon, nuk po guxonte. Gjysëm ore më vonë, më merr një mikesha ime nga ATSH dhe më pyet për Dorin. E çfarë kish ndodhur: Stiliani kishte marrë në telefon Frrok Çupin që ishte mik i yni i përbashkët. As Frroku nuk guxonte të më merrte mua në telefon. Atëherë Rudina pasi mori përgjigjen time se Dori kishte mbërritur mirë dhe se kisha folur me të në telefon më thotë: Më duket se nuk është mirë, një gjë ka ndodhur. Merrja pa pushim Dorin në telefon dhe nuk më përgjigjej. Më pas mora Stilianin. Ai doli në telefon dhe sërish s'po më tregonte. "Po çfarë të të them moj Xhuli", përgjigjej. Dhe në një moment i bërtita: të lutem ma thuaj. Mezi ma tha. Pastaj mora në telefon Ilirin, të vëllain, sepse as unë nuk guxova që të merrja në telefon mamanë e Dorit. Dhe teta Xhano e mori vesh nga televizioni, sikurse e ka deklaruar edhe vetë.

Por ja rikthehemi me një libër të ri, të 365 ditëve të fundit të tij. Cila është më e veçanta e këtyre dorëshkrimeve?

Pothuajse një vit, kemi qëndruar në Greqi. Gjithmonë sipër gjunjëve të Dorit gjatë kohës që rrinte në spital, kishte fletë formati A4 ku ai bënte korrigjimet e atyre që kishte shkruar në laptop që kur ishte në Shqipëri. I printonte dhe më pas i korrigjonte. Para se të niseshim në Hollandë, Dori shkoi në zyrën e tij dhe pastroi shumë gjëra nga zyra. Disa nga dorëshkrimet kanë mbetur. Ato që Dori i mendoi të arsyeshme i kishte marrë me vete. Kishte edhe disa disketa që ne nuk i hapëm dot atëkohë. Në librin "Amaneti" që ne botuam tre vjet më parë, të gjitha tregimet ishin pa titull dhe me korrigjimet e Dorit. Dhe së bashku me Moza Bimon, i shkruam edhe njëherë dhe bëmë korrigjimet. Dori nuk i përmbahej rregullave gjuhësore kur shkruante dhe gjithmonë e bënim këtë bisedë bashkë. Unë i bëja gjithmonë vërejtje, por Dori i vinte sikurse i mendonte ai. Ndaj e kisha vështirë të ndërhyja në shenjat e pikësimit. Edhe tregimet ishin pa tituj. Më shumë ia vura ato tituj për t'i dalluar nga njëri-tjetri. Dhe më vonë kur bisedova me Andi Bejten, për të cilin Dori kishte lënë amanet për redaktimin e librit, ai më tha se nuk kishte shumë vend për redaktim, pasi unë kisha bërë pjesën më të madhe të punës.

Të kalojmë te Dori gazetar, Dori Pedagog, Dori politikan. Unë personalisht e kam pasur profesor oponent të temës time të diplomës në degën e Gazetarisë. Si e keni parë ju këtë aspekt të jetës së tij dhe sa e keni mbështetur?
Ndaj të thashë në fillim që nuk më linte t'i shihja dorëshkrimet. Ishte si puna e asaj nënës, që nuk do tia kritikosh fëmijën edhe pse e di dhe vetë se ku i ka defektet. Unë jam natyrë më e përmbajtur, politika nuk më pëlqen. Nuk e mirëkuptova dot faktin që Dori po merrej me politikë, isha e dashuruar me Dorin si shkrimtar.

Por të gjithë e vlerësojnë publicistikën dhe fjalimet e Dorit në parlament...

Unë si bashkëshortja e tij, nuk mendoj se mund të flas për këtë. Ndërsa si pedagog dua të tregoj një detaj: kur ishim në vit të tretë në fakultet, bënim praktikën nëpër gjimnaze. Të dy, sikurse nuk u ndamë asnjëherë, shkuam për praktikë në gjimnazin "Partizani". Mësimin e dhamë në të njëjtën klasë. Ra zilja dhe Dori vazhdonte të shpjegonte. Të nesërmen ishte radha ime për të dhënë mësim, por gjimnazistët më kërkuan që shpjegimin ta bënte Dori dhe jo unë. Kishte një aftësi të jashtëzakonshme të fliste me njerëzit dhe për më tepër, me pasion për letërsinë. Do ishte një pedagog shumë i mirë. Po ta shihje, dhe në mënyrën sesi fliste me fëmijët, i merrte për dore, rrinte e dialogonte për orë të tëra me ta, kishte një komunikim të jashtëzakonshëm. Do të kisha preferuar Dorin edhe në fushën akademike, pavarësisht se edhe fjalimi i tij në parlament mbetet një pjesë shumë e vlefshme e oratorisë parlamentare.

Në shtëpinë tuaj, ka ndonjë gjë tjetër të pabotuar që ne do të duhet ta presim në vitet në vijim dhe Xhuli po e ruan me fanatizëm?

Bashkë me Ilirin, jemi duke përgatitur publicistikën e Dorit që do ta botojmë në një të ardhme jo të largët. Eshtë edhe pjesa e dytë e poemës 'E të tjera, e të tjera...". Unë si grua e kujdesshme që jam, nuk kam dashur ta botoj, sepse Dori ishte i lirshëm të përdorte emra...Mbase një ditë...Shumë vonë...Ka njerëz që unë i kam miq, që më janë gjendur në këto 10 vjet...Nuk e di, dyzoj në botim dhe nuk e di nëse do ta botoj apo jo. E vetmja gjë që kam ruajtur me fanatizëm janë letrat që Dori më ka dërguar. Janë personale e i kam për vete. Ndërkohë që vitin e fundit, biseduam me Dorin për botimin e kolanës së tregimeve të tij në një format të njëtrajtshëm. Dhe gjatë atij viti, në një formë a në një tjetër, i kërkoja të përcaktonte se cilat ishin tregimet që ai donte të botonte. Mundohesha të nxirrja nga Dori ato që ai kish më për zemër. Por asnjëherë nuk arrita ta bëja këtë dhe t'i kem të sakta ato që duheshin. Di që 'Lajmëtarja e Vdekjeve" është botuar tre herë dhe ishte dashuria e tij.

Dhe unë dua ta mbyll me një varg të poezisë së tij, Dori "ndërmend e ka të të dojë prapë"...
E sigurt.

Xhuli të falenderoj për këtë intervistë në suplementin "Rilindasi", një rrëfim kaq emocional në 10 vjetorin e vdekjes së Teodor Kekos...

Falemnderit ju.

(Shkrimi u botua në numrin e sotëm të suplementit RILINDASI në gazetën e përditshme SHQIPTARJA.com)

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Borsh/ Gomonia pësoi defekt, 9 familjarëve iu rrezikua jeta, mes tyre edhe fëmijë! Policia iu vjen në ndihmë

Borsh/ Gomonia pësoi defekt, 9 familjarëve iu rrezikua jeta, mes tyre edhe fëmijë! Policia iu vjen në ndihmë