Presidenti kinez  Xi Jinping ka ndjekur paradën më të madhe detare në historinë e vendit të tij gjatë ditës së djeshme, pasi Kina përfundoi një manovër ushtarake dy ditore në detin jugor kinez që është kthyer në burim konfliktesh vitet e fundit, në një demonstrim masiv force teksa tensionet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara sa vijnë e rriten.

Të paktën 10,000 ushtarë morën pjesë në manovra, të cilat përfshinë përdorimin e 48 anijeve luftarake dhe 76 avionëve luftarakë, sikurse bëri të ditur ministria e Mbrojtjes.

Xi, i veshur me kamuflazh ushtarak foli nga destrojeri kinez Changsha, dhe bëri thirrje për përpjekje më të mëdha modernizimi dhe theksoi qëllimin e tij për ta shndërruar flotën detare të vendit në një “forcë të klasit botëror” nën udhëheqjen e Partisë Komuniste kineze.

Aeroplanmbajtësja e vetme kineze, Liaoning, mori pjesë në paradë së bashku me avionët luftarakë J-15 që fluturuan përpara syve të Xi.

Presidenti kinez pozon me ushtaret ne bordin e nje anije destrojer

Që kur mori pushtetin në vitin 2012,  Xi parashikoi një rritje të konsiderueshme të fuqisë detare kineze. Ndërkohë që më parë flota detare e vendit ishte kryesisht mbrojtëse dhe e kufizuar në ujërat e saj territoriale, sot ajo ka aftësi të mëdha të llojit të “ujërave blu”, që do të thotë se ajo mund të ushtrojë forcë në zona si oqeanet Indiane dhe Paqësore.

Por është Deti Jugor Kinez ai që përbën sfidën më të madhe potenciale. Qeveria kineze pretendon mjaft ishuj përreth detit, çka bie ndesh me pretendimet e Filipineve dhe të Vietnamit, ndërmjet të tjerëve.