I pyetur për mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Manjani shprehet se ende nuk ka një ftesë zyrtare nga presidenti Nishani i cili një ditë më parë deklaroi se do të mbledhë këshillin për të diskutuar mbi situatën e kanabisit në vend.
Ndalur tek deklarata e tij për mundësinë e përfshirjes së ushtrisë në luftën kundër kanabisit, Manjani sqaron se ai i qëndron të njëjtës ide pasi sipas ministrit të drejtësisë, Shqipëria duhet të luftojë përfundimisht këtë fenomen kriminal.
Intervista
Zoti Manjani një ditë më parë Presidenti i Republikës foli për mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë pjesë e të cili jeni edhe ju, keni një koment?
Nuk kam realisht asnjë koment, Presidenti i Republikës është kryetar i shtetit, është kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare është krejtësisht diskrecioni i tij ligjor, kushtetues që të çmojë e thërret apo jo këshillin e sigurimit. Unë nuk kam një axhendë zyrtare kështu që nuk kam ç’të them për këtë pjesë, kur të vijë ftesa do u them.
Z.Manjani, ju folët i pari për përfshirjen e Ushtrisë në luftën ndaj Kanabisit nqs do të ishte e nevojshme i qëndroni të njëjtës ide?
Unë ju falënderoj që na monitoroni në çdo gjë që themi dhe bëjmë por do tu lutesha t’i qëndroni besnik asaj që realisht themi, sepse nëpërmjet asaj që themi përpiqemi të emetojmë atë që mendojmë. Unë nuk jam i vetmi shqiptar, zyrtar gjithashtu që mendojmë se çështja e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit është një çështje serioze që duhet trajtuar. Unë kam folur në komentin tim të parë në përgjigje të një pyetjeje nga një kolegia juaj për një perceptim masiv të fenomenit. Dhe ky është një fakt, nuk e mohojmë dot. Dhe sigurisht është detyra jonë t’i përgjigjemi qoftë edhe këtij perceptimi me mjete proporcionale dhe këtu nuk përjashtohet askush. Kjo ka qenë është dhe do të jetë mendimi im përsa kohë që është mendimi i njerëzve. Nuk ka asnjë anëtar qeverie që nuk mendon kështu, edhe qeveria mendon kështu edhe kjo nuk është ndonjë hata, ndonjë blasfemi sikur çfarë ka ndodhur. Nuk ka ndodhur asgjë, nuk do ndodhë asgjë, por ky është një fenomen që nuk duhet zhdukur jo vetëm nga toka por në radhë të parë nga mendja e kujtdo që përpiqet të thotë se kjo është një punë që duhet ta bëjmë, kjo duhet shkulur, pikë. Askush nuk ka hajër nga ky fenomen. As ekonomia, nuk është ekonomi. Ekonomia e maleve është ekonomi luftë, njeriu del partizan kur ka ndonjë hall të madh, nuk është as politikë. Dhe nëse do lejojmë që ky fenomen të vazhdojë, për çfarë politike flasim? Nuk është as fenomen social sepse kriminalizohet shoqëria. Njerëz të cilët punojnë duke shfrytëzuar varfërinë dhe kriminalizohen, kryejnë aktivitet të paligjshme dhe kjo është një gjë që duhet ta shkulim. Tani sa është në fillesat e veta. Unë nuk di të ketë ndonjë dallim ndërmjet kësaj që po them unë që ju më keni bërë sikur do bëja hatanë, në fakt asgjë të pathënshme nuk kam thënë dhe nuk them por këtë gjë e mendojmë të gjithë në kabinetin qeveritar. Askush nuk është as për legalizim kanabisi , askush nuk është me ekonominë informale, përkundrazi ka një rresht të parë që është policia e shtetit sepse kontrollojnë territorin dhe kanë më shumë të dhëna dhe më shumë kontakte me territorin, por perceptimi ekziston dhe kjo është një gjë që nuk besoj se ka ndonjë ndasi aq esenciale sa të bëhet edhe temë e fortë publike.
Në fakt u ndal te ushtria për tu bërë temë publike sepse sipas kolegëve tuaj s’është e nevojshme.
Mire s’është e nevojshme, u zgjidh, s’qenka e nevojshme po nëse është e nevojshme pse jo.
Jemi 8 muaj pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të ligjit të dekriminalizimit, rezultatet janë krejt inekzistente. Kishte vërtetë nevojë Shqipëria për këtë ligj apo do t’i ketë efektet në zgjedhjet e ardhshme?
Sa herë flasim për perceptime mbi individë të caktuar çështjet janë të vështira sepse është tjetër gjë kur të përhapet një opinion publik që je një diçka një kriminel, një trafikant, apo hajdut që në fakt e kemi huq këtë gjë në komunikimin publik dhe kjo është e keqja më e madhe që ka emetuar gjuha politike, është etiketimi i tjetrit me gjithë mllefin e jetës. Kjo ka ndodhur në 20 vitet e fundit. Gjithë ky mllef nëpër media, nëpër portale nuk është e thënë që është lehtësisht i provueshëm në gjuhën zyrtare, në gjuhën juridike, sepse të akuzosh dikë pa prova, ashtu siç të lirosh dikë nga akuza kur ke prova është diktaturë. Ne mund të kemi debate juridike pa fund, unë vetë kam qenë nga skeptikët e ligjit të dekriminalizimit sepse mendoja dhe mendoj që instrumentet klasike të së drejtës janë të mjaftueshme për të ndaluar penetrimin në jetën publike të njerëzve me damkë, megjithatë shumë mirë bë që u bë, sepse është një instrument më shumë në dorën e institucioneve të shtetit dhe jo në dorën e partive politike për të etiketuar kundërshtarët që të ketë më shumë hapësirë promovuese kundër zyrtarëve publik. Ky ligj vendosi një standard dhe vendosi disa kritere mbi bazën e të cilave në fund fare u çel një debat që edhe nuk flitej. Ky ligj çeli një debat publik, vendosi në hapësirën mediatike dhe publike disa standarde që njerëzit i gjykojnë edhe vetë. Mund të jesh i suksesshëm ose i pasuksesshëm në provueshmërinë e një ngjarjeje por ama opinioni publik gjykon. Nuk besoj se ligji i dekriminalizimit ka dështuar, unë besoj se do një ritëm tjetër zbatimi, patjetër që duhet një ritëm tjetër. Ndoshta një prokurori pak më aktive, ndoshta institucione që e kanë për detyrë të jenë pak më të vendosur dhe më të shpejtë në procedura, por minimnalisht sot për shembull në databasein e KQZ, apo të Prokurorisë, apo të KLD e të institucioneve të qeverisë ka sot formular të vetëdeklarimit për të gjithë zyrtarët publik dhe s’është pak.
Pak ditë më parë komisioni Venecias i dha të drejtë qeverisë, parlamentit dhe ligjit për pronat. Ju e vlerësuat këtë qëndrim të Venecias. Kur do të hiqet përfundimisht termi pronar i ri e i vjetër dhe historia e pronës do të quhet e mbyllur të paktën me këtë ligj apo formulë të re kthim kompensimi?
Ajo që është e re në këtë proces që duhet të kishte ndodhur më shpjet,pra këtë ligj që kemi tani në fuqi duhet ta kishim që në vitin 1992, sepse ju garantoj që është një ligj i drejtë. Se është një gjë t’i thuash pronarit që kjo është prona jote, por është një gjë tjetër që të flasësh në emër të 90% të popullsisë dhe të harmonizosh interesin publik me interesin privat personal të pronarit. Mund të them me bindje se deri më sot ka patur një kakofoni premtimesh politike të pambajtura. Nga ligji 7051 deri tek ligji i parë i kthimit të kompensimit të pronave filluan e deri tek ligji i ri ka ndryshuar mbi 7-8 herë. Këto ndryshime vinin nga lista dëshirash të çastit për të menaxhuar ndonjë tension social dhe për t’i mbajtur pronarët pa pronë nga njëra anë dhe or të thënë që ky është ligji dhe për shkak të ligjit i rritej fatura financiare shtetit.
Nuk do doja të ndalesha me detaje tek Vettingu pasi tashmë Gjykata Kushtetuese ka folur dhe ai ligj është i pezulluar, por ju si ministër drejtësie mendoni se ka nevojë për një pastrim në radhët e gjyqtarëve dhe të prokurorëve?
Kam bindjen më të thellë, e kam pasur edhe kur nuk isha ministër, nuk ka ndryshuar asgjë në bindjen time në kohën që shërbej si ministër që pa më të voglin diskutim që nëse ky shtet do dojë që të ecë përpara do duhet që të ketë një gjykatë të pavarur dhe të besueshme. Gjykata është vendi ku të gjithë duhet të rrinë drejt. Nëse në gjykatë njëri rri drejt dhe tjetri shtrembër dhe fiton i shtrembëti kjo është e pabesueshme. Dhe fiton i shtrembëti për shkak se gjykatësi për njëmijë arsye duke përfshirë edhe rrogën e ulët të sheh nga xhepi kjo sigurisht që nuk është drejtësi. Kjo është bindja ime dhe është bindja ime, nuk e diskutoj fare këtë pjesë. Që të vijmë te fundi i historisë Parlamenti i Republikës së Shqipërisë me 140 vota me 100 % konsensus ka vendosur të hyjë në rrugën e reformimit të thellë të sistemit të drejtësisë nuk ka asnjë shans për tu kthyer mbrapa. Asnjë mënyrë, asnjë shans, asnjë hapësirë për tu kthyer mbrapa, do ecet veç përpara sepse kjo është e vetmja mënyrë që të shpëtojmë të gjithë. Kemi maraqe për zyrtar publik, për korrupsionin, për sjellje të gabuar, për shkelje të të drejtave të njeriut, të gjitha këto maraqe nuk zgjidhen në rrugë politike. Rruga politike është vota, rruga e përditshme është gjykata. Nëse njerëzit nuk janë komod të shkojnë në gjykatë për të kërkuar të drejtën e tyre nuk kemi bërë asgjë, prandaj duhet filluar me gjykatën dhe prandaj në trupën e sotme gjyqësore ka elementë që nuk duhet të jenë, unë nuk e di janë të pasur apo të varfër, por çdo gjë e justifikuar sipas ligjit dhe rregullave dhe jo e mikluar publikisht sepse nuk më pëlqen ky apo s’më pëlqen ai tjetri dhe hajde tani se e kam në dorë unë, kjo nuk është zgjidhje. Ajo që unë mendoj dhe besoj fort tek kjo reformë është se kriteret, steka ligjore dhe steka kushtetuese janë vendosur, kush i kalon ta gëzojë i nderuar i respektuar, kush s’e kalon i japim dorën, të na japi dorën të vazhdojë punën. Kjo është një histori shumë e qartë, transparente, shumë e hapur dhe pas asnjë kompleks. A është më e mira kjo që është zgjedhur, a mund të kishte më mirë? E mira pa diskutim nuk ka fund. Por mund t’u them vetëm një gjë, këto ndryshime kushtetuese janë spektakolare, të thella sepse e tillë ishte situata, janë proporcionale në raport me nevojën dhe nëse zbatohen 100% korrekt patjetër që ne do të kemi një sistem gjyqësor tjetër, krejt tjetër nga sa deri më sot, cilado qoftë kostoja. Ky nuk është diskutim as personal, as privat, as politik është një diskutim real që duhet ta marrim ashtu siç është .
Ju jeni një zë i rëndësishëm brenda radhëve të LSI, shpesh i konsideruar si zëri publik i Z. Meta. Partia Demokratike ka folur se është e hapur për një bashkëpunim me LSI, ju keni një përgjigje?
Të falënderoj për këtë pyetje, është interesante pavarësisht se nuk du atë marr hapësirë nga karrigia e ministrit për t’iu përgjigjur pyetjeve me natyrë thellësisht politike, por kam një ftesë për ju, për Report Tv ,meqë po flasim bashkë, që prej datës 6 nëntor e në vijim do shikoni që forumet dhe anëtarësia e partisë do jenë në një aktivitet të jashtëzakonshëm politik kështu që ftesa ime është për ju që të na ndiqni, mos e humbni këtë shans, na ndiqni se do ketë një proces spektakolar demokratik deri tani të një partie politike. Një votim që do donim të ishte më i fortë por sidoqoftë është një votim, është një përfshirje e anëtarësisë së partisë në vendimmarrjen më të rëndësishme të saj dhe sigurisht që forumet përfaqësuese janë ato që do0 duhet të marrin vendimet përkatëse kur t’i vijë radha. Presim të vini të na ndiqni sepse nuk kemi ndërmend të mbyllim dyert e mediave, vetëm na ndiqni sepse aty do të kemi përgjigje për çdo gjë. Të garantoj që do ketë zhvillime spektakolare.