Ylli Pata: Arsyet e drithërimave që po vijnë nga SPAK-u

Ylli Pata: Arsyet e drithërimave që po vijnë nga SPAK-u

Prej 24 orësh, opinioni është gozhduar mbi zhvillimet që vijnë nga SPAK, ku ky uragan përfshiu edhe reporterët e kronikës, të cilët prej ditësh po pasqyrojnë aferën tashmë “popullore” të rrëfimit të të penduarit Nuredin Dumani.

SPAK shkaktoi furtunë, ngaqë  pasi javë me radhë në media u publikuan çarçafët e deponimeve të Dumanit, një ditë të bukur, prokurorët thanë jo vetëm “ndal”, por detyruan gazetarët të firmosnin një dokument që të mos publikonin lajme “sensitive” nga kjo dosje.

Me të drejtë reporterët e kronikës janë irrituar, pasi kjo dilemë është zgjidhur prej kohësh: Sekretin e ruajnë zyrtarët e shtetit, nëse dalin të dhëna gazetarët jo vetëm nuk kanë faj, por fitojnë lavdinë e marrjes së lajmit.

Në rastin e hetimeve për rryshfetet e politikanëve në vitin 1992 në Itali, Antonio di Pietro, irritohej shumë me bashkëpunëtorët e tij, kur reporterët e kronikës nxirrnin sekrete, pas një darke apo edhe pije miqësore.

Por asnjëherë nuk e bëri të madhe, edhe pse, pasi e mori vesh kush kishte nxjerrë të dhënat, u bërtiste shumë kolegëve të tij. Duke e parë që opinioni ishte i etur për të marrë informacion, e një Itali e tërë kërkonte të dinte për korrupsionin në politikë, Di Pietro nisi të darkonte me drejtorët më të njohur të gazetave të mëdha, si Indro Montanelli, Vittorio Feltri, Eugenio Scalfari etj, si dhe me reporterët më të mirë të çështjeve të drejtësisë.

Ku, pa dhënë detaje nga hetimet, nisi tu shpjegojë në vija të trasha zbulimet e bëra se si funksiononte sistemi i rryshfeteve. Kjo mënyrë solli që gazetarët të ishin të qartë dhe më pas vetë ata të nisnin hulumtimin mbi ngjarjet.

Madje kishte shumë raste, ku reporterët u treguan më të zotë e më operativë se prokurorët apo OPGJ-të e Pool Mani Pulite të Milanos, duke zbuluar nga afera e rryshfeteve.

Po si? Nëse një person i hetuar kishte përmendur emra, ngjarje, qytete apo institucione, gazetarët shkonin të gërmonin në ato vende për të marrë të dhënat që vijnë nga territori.

Në vitet e para pas rrëzimit të komunizmit, ishte shumë e vështirë për të marrë informacione mbi ngjarjet, hetimet apo dosjet e prokurorisë. Komisariatet e Policisë nuk shpërndanin komunikata, pasi e quanin sekret.

Në vitet 1994-1997 isha reporter për disa gazeta të përditshme në Shkodër, e kur vritej një person, informacioni më i parë që merrja, ishte në familjen e të vrarit. Duke ngushëlluar si të gjithë qytetarët për humbjen e familjarit të tyre, më pas afrohesha me takt tek ndonjë familjar i afërt e i przantohesha si gazetar. 

Kishte raste, që edhe reagonin keq, e kuptueshme mes dhimbjes së madhe, por në shumicë, ata flisnin, natyrisht pasi hynin në brendësi se kush isha, çfarë kërkoja dhe në fund, viktimat ishin të parët që donin të dilte e vërteta.

Nga përvoja ai është burimi më bio, plus njerëzit që njihnin personat që u vranë, e kështu rindërtohej me kujdes ngjarja. Që kthehej në artikull, i cili nuk kishte si përgënjeshtrohej pasi tregonte një realitet që vinte nga brenda. 

E pikërisht pas kësaj, niste të hapej kasaforta e shtetit, që synonte fillimisht të bllokonte portën, duke besuar se reporterët nuk do të shkruanin nëse nuk flasin zyrtarët.

Dumani, deri tani ka folur shumë, ka përmendur emra njerësish, qytetesh e fshatrash, ka treguar harta banesash dhe ndërtesash industriale. Sikur të gjitha të ishin “krehur” nga ne, do të jepnim një version më të plotësuar të historisë, duke pyetur edhe njerëzit për të cilët Dumani përmend. 

Natyrisht një pjesë nuk gjenden, por të gjithë kanë avokatë mbrojtës. E kështu plotësohet puzzle i historisë apo historive për të cilët bëhet fjalë.

Megjithatë, çështja nuk është aspak tek media, e cila si gjithmonë mundohet të furnizojë publikun me informacione sa më të plota dhe të verifikueshme. Natyrisht edhe më të bujshme e konkurruese, pasi media është treg.

Problemi që duket se shtrohet këto ditë është se çfarë ka çmendur Tiranën për atë që po “gatuajnë” prokurorët e SPAK? Madje Spartak Braho deklaroi se prokurorët që po merren me çështjen kanë marrë kërcënime shumë të rënda. Po pse ndodh kjo?

Para pak ditësh, në auditorin e organizuar nga e përditshmja italiane La Repubblica, tashmë një event i përvitshëm : “Republika e ideve”, prokurori i famshëm antimafia,  Roberto Scarpinato, mbajti një ligjëratë që u cilësua brilante dhe e plotë nga analistë dhe gazetarë të shumtë.

Scarpinato, ish-bashkëpunëtor i Giovani Falcone-s në Palermo, sot është një lektor universitar, shkrimtar dhe publicist që flet shumë për raportet e krimit të organizuar me shtetin.

Ai theksoi në ligjëratën e tij se “ata që njohim ne si baronë të mëdhenj të mafias, nuk janë gjë tjetër veçse ushtarë të shefave të tyre”. E si shefa, Roberto Scarpinato përmendi politikanë, e zyrtarë të lartë, të cilët ishin realisht urdhëruesit e vrasjeve më të frikshme politike që kanë ndodhur në Siçili, që nga rasti “Mattarella”.

Piersanti Matarella, vëllai i madh i presidentit të sotëm të Italisë Sergio Matarella, u vra nga Cosa Nostra siçiliane më 6 janar 1980, pasi vendosi që të mos u japë asnjë tender mafiozëve dhe kompanive të tyre, ndërkohë që largoi të gjithë ubranistët e lidhur me klanet e kupolës së Cosa Nostra-n. Pas vrasjes së Matarella-s, u vra Pio la Torre, kryetari i Partisë Komuniste të Siçilisë, një denoncues i madh dhe sfidues i mafias, sidomos aktivitetit të tyre politik e ekonomik.

Prokurori Scarpinato, theksoi se vrasja e dy politikanëve siçilianë erdhi nga lart, pasi ishte pjesë e asaj që quhet “pengim i drejtësisë”. Pra ndalimin që prokuroria të hetojë mbi lidhjet mes krimit e politikës. E në momentin që prokurorë kurajozë dolën të hetonin, nisi stina e dhunës pa fre që vrau egërsisht prokurorët antimafia. i pari që u vra ishte Roço Cinici, kreu i parë i Pool Antimafie i Palermos dhe njeriu që frymëzoi Giovani Falcone-n. 

Një makinë e mbushur me tritol shpërtheu para banesës së tij sapo dilte për në punë. Pas asaj nisi transferimi i prokurorëve, zëvendësimi me të tjerë, ndarja e grupeve të hetimit, pra “pengimi i drejtësisë” nga lart. Një vrasje demonstrative, siç ishte edhe ajo e Giovani Falcone-s. E mbani mend vrasjen e Skerdilajt Konomit në Vlorë kur shpërtheu makina e tij në mes të qytetit?

Një proces që në Shqipëri njihet shumë mirë. Njerëzit e mbajnë mend që sa nisën hetimet mbi çështjen e Remzi Hoxhës, Rrugës së Kombit, marrjes në pyetje të Fazliç, apo Gërdeci e 21 janari, kur Prokurorët u sulmuan, linçuan e dikush, si Xhevat Hana, i cili zbardhi çështjen e Remzi Hoxhës vdiq në rrethana shumë të çuditshme, ku ka shumë dyshime. Por asnjëherë deri më sot nuk janë zhvilluar hetime për “Pengimin e Drejtësisë” që është një vepër penale gati e rëndë sa vetë vepra për të cilët ka ndodhur prishja e hetimeve.

U desh që të kalonin kohë, kur qeveria e SHBA të hapte “Kutinë e Pandorës” për “pengimin e drejtësisë”, një nga akuzat për të cilën Sali Berisha, por edhe Adriatik Llalla janë shpallur non grata.

Ajo që po ndodh aktulisht, duket se kemi të bëjmë me një proces domino në radhët e autorëve të krimeve. E radha më pas i vjen urdhëruesve dhe nxitjes së tyre. Ndaj dhe ka nisur tronditja…

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 18/06/2022 11:22

    Dalja e sekretit hetimor perben veper penale dhe shjaku duhet gjeryr tek SOAKu se nga aty dalin te dgenat per gazetaret .SPAKu te bej shembell te veter dge csgtha zgjdhet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë