Ylli Pata: Çarja në PD, kur kriza s’vjen vetëm për keq!

Ylli Pata: Çarja në PD, kur kriza s’vjen vetëm për keq!

Enkelejd Alibeaj dhe Sali Berisha

Skenat që po shohim vazhdimisht në televizione të përplasjeve dhe shpërthimit të mllefeve ndërmjet dy palëve në Partinë Demokratike, nuk janë as gjë e re, e as zhvillim i papritur.

Sulmet poshtë brezit në atë që quhet lufta brenda llojit, i kemi përjetuar që në fillim të viteve 90 në Partinë Demokratike kur pësoi erozionet periodike, në Partinë Socialiste kur Fatos Nano ishte në burg, e më pas po me cikle që arritën kulmin me KPD-në e vitit 2002, e raste të tjera që i kemi parë jo vetëm në partitë e mëdha. Në partinë e Gjinushit që edhe pse e vogël pësoi më shumë se dy skizma, apo edhe LSI-në e Ilir Metës, e cila po ashtu kreu tre cikle ndarjeje.

Debati në fakt, sikur të bëhet me më norma sjelljeje e pa sharje e fyerjeje, është jo thjesht i dobishëm, por është ushqimi që i duhet jo vetëm një opozite, por opinionit si dhe shoqërisë. Nxit procese të reja e të vrullshme ndryshimi që sjellin pa tjetër zhvillime të rëndësishme në politikën shqiptare. Partia Demokratike, pas një impasi të gjatë në një opozitë vetëshkatërruese, e cila arriti kulmin me daljen nga sistemi politik në vitin 2019, nuk kishte rrugë tjetër veçse të hynte në një proces të vrullshëm katharsisi brenda vetes.

Pastaj ndëshkimi i Sali Berishës prej SHBA dhe dorëheqja e Lulzim Bashës, e kanë hapur fushën politike shqiptare aq shumë, sa ka vend për “lojra të mëdha”. Kriza aktuale  në PD, por edhe në fushën e opozitës shqiptare, duke qenë shumëdimensionale, mund të kthehet në një mundësi e artë për një process transformimi të rëndësishëm, të paktën në atë pjesë që kërkon vertëtë një ndryshim cilësor.

Pjesa e partisë së Sali Berishës, tashmë e ka të qartë logjikën e kursin e saj politik. Si grupi që e përbën atë, por edhe mënyra e të bërit politikë është e lexueshme. Siç e ka bërë të qartë edhe Berisha, ky grupim, sidomos kur të bashkohet edhe me “Gjënë e Re” të Ilir Metës pas lënies së  Presidencës, ka një kurs politik të lexueshëm e parashikueshëm. Opozitë radikale, protesta, bllokada, tension i ngritur në pritje që ata të prodhojnë incidente që të kthehen në rrëshqitje e rëndë e qeverisë apo e disa eksponentëve të saj në “dërrasë të kalbur” për të hyrë pastaj në mesfushën kundërshtare e për të sulmuar.

Oferta e Berishës dhe e Metës është krejt e qartë: pasi përshkohet nga ata vetë që duan të jenë alternativa politike në Shqipëri pas largimit të Edi Ramës. Ndërkaq, hapësira për “grupin 35”, që ngjan edhe në emërtim me një ofertë “trendy” ka mundësinë për të hapur politikën e saj, si në ofertë, sin ë ide, e natyrisht në rinovimin e klasës politike. Por para së gjithash, në mënyrën e diskursit politik, që të jetë krejt ndryshe me atë të Berishës e Metës. Të cilët synojnë elektoratin radikal të opozitës, ndërkohë që “grupi 35” duhet të synojë pjesën e elektoratit gri, i cili duket që është mjaft i gjerë në vend.

E sidomos kjo mund të zgjerohet, nëse PD-ja e të tridhjetëepestëve të nisë të propozojë reformat ë rëndësishme strukturore në vend. Duke nisur nga ndryshimi i modelit politik, pra modelit proporcional rajonal alla spanjoll, por mbi të gjitha depolitizimi dhe departizimi i komisioneve të administrimit të zgjedhjeve, ç’ka do ta çmilitarizonte aktin më të rëndësishëm të Republikës siç janë zgjedhjet.

Po ashtu mund të propozonte atë që është premtuar vazhdimisht por gjithmonë politika është tërhequr mbapsht: dhënia e të drejtës së votimit të shqiptarëve jashtë vendit, aty ku ata jetojnë e punojnë. Një zhvillim që mund të ndikonte edhe nga ana sasiore, por edhe cilësisht konfigurimin e Parlamentit të ri. Gjithsesi, beteja më e afërt, apo rasti më i shpejtë për një catharsis do të jenë zgjedhjet e përgjithshme vendore që do të zhvillohen vitin e ardhshëm. Edhe pse në distancë duket se PS-ja është e favorizuar nga ndarja e opozitës, si teorikisht ashtu edhe praktikisht nuk është kështu.

Pasi nëse opozita pa Berishën do të sjellë jo oferta “sa për sy e faqe” siç bëri më 6 mars, por kandidatë që do të dalin pas një gare të brendshme apo primare reale, atëherë ai proces mund të rezultojë i suksesshëm dhe i mirëpritur nga qytetarët. Shembulli i freskët i Dritan Abazoviçit, politikanit të ri që u bë kryeministër i Malit të Zi vetëm me 4 deputetë është një model që mund të inspirojë opozitën shqiptare.

Ndryshe nga LSI-ja e vitit 2009, Abazoviç nuk i përdori “4 mandatet e florinjta” për të marrë Energjinë, infrastrukturën e vendet e punës, por mori realisht në dorë flamurin properëndimor që i siguroi edhe mbështetje të fortë nga SHBA e BE, por edhe sukses politik në zgjedhjet lokale në Ulqin. Ku arriti që me anë të një koalicioni me grupe të shoqërisë civile të bëhet për herë të parë mazhorancë në Këshillin Komunal. Edhe pse mund të ketë një garë mes opozitës në zgjedhjet e ardhshme lokale, ajo mund të shërbejë si një process politik depurifikimi dhe dallimi prej ofertave të vjetra dhe ekstreme. Edhe tek ne ka pasur raste kur kanë fituar ofertat e treta që hyjnë në mes duke sfiduar ekstremet.

Sidomos, kur që në krye të herës është e qartë se referenca e partnerëve ndërkombëtarë është një ndryshim politik që vjen jashtë aktorëve të vjetër të politikës shqiptare. SHBA dhe zyrtarët e saj thuajse e përsërisin përditë frazën: “ndarjen nga e shkuara”. E kjo nuk është pak, veçse natyrisht kërkon një vizion të qartë se ku do shkosh dhe se si do ta bësh rrugën…/TemA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë