Ylli Pata: ‘Drejtësia me regji’? Modele nga brenda dhe nga jashtë

Ylli Pata: ‘Drejtësia me regji’? Modele nga brenda dhe nga jashtë

Ish-deputeti Luçiano Boçi, Sali Berisha dhe Ilir Meta

“Kush e do SPAK nën kontroll”, “Drejtësia me regji”, “Pse arrestoi Berishën e nuk bën të njëjtën gjë për Ramën”, janë disa nga temat apo variacionet e temave që po diskutohen në panelet e televizioneve, pikërisht pas pikës kulmore të Prokurorisë Speciale.

Vënien nën hetim të Sali Berishës, akt që konsiderohet edhe nga ndërkombëtarët si pika që theu shkëmbin e fortë të pandëshkueshmërisë në Shqipëri.

Për mbi  vjet, të gjitha këto qarqe mediatike që bëjnë pyetjet e tilla, as nuk e kanë cekur fare temën e reformës në drejtësi. Për televizionet kryesore në vend, lajm ka qenë vetëm kur Venecia miratoi një intepretim në lidhje me vettingun, që e quajtën rrëzim, apo sulme me emra të njerëzve që u zgjodhën në trupat e para përzgjedhëse të organeve të reja të drejtësisë.

Për të ardhur në situatën e sotme, kur kemi një SPAK proaktiv dhe që ka hyrë në zemër të politikës së lartë si majtas dhe djathtas, Shqipëria është dashur të shkojë disa herë në zgrip të dështimit të saj si shtet.

Pranvera e 2017-s e vera e 2019-s ishin precedent të frikshëm, ku u rrezikua realisht kushtetueshmëria e vijimit të shtetit shqiptar. Në vitin 2017, vendi rrezikoi të mos hyjë në zgjedhje, si pasojë e çadrës së famshme, e cila si synim kishte bllokimin e ngritjeve të grupeve të deputetëve që do të zgjidhnin anëtarët e komisioneve të vettingut. Ndërkaq, 2019-a rrezikoi bllokimin e sistemit prej tërheqjes së opozitës nga Kuvendi, e më pas bojkotimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Të cilëve, Presidenti i atëhershëm Ilir Meta, i hodhi benzol me dekretin e tij famëkeq të anulimit të tyre.

Megjithatë ajo është një kohë e shkuar tashmë, e SPAK është institucioni protagonist i shtetit shqiptar. Që ka mbështetjen e monitorimin e SHBA e BE, e votën e mazhorancës, që ka miratuar thuajse të gjitha kërkesat administrative të prokurorisë speciale ndaj krimit e korrupsionit.

Po si mund të jetë një model kur mazhoranca, apo qeveria frenon apo bllokon punën e një prokurorie të posaçme antikorrupsion siç është SPAK? Historia e afërt por dhe shumë e afërt, por nga vende afër nesh na jep modele mjaft ilustruese për të parë se sim und të kontrollohet drejtësia antikorrupsion.

Në Rumaninë-anëtare e Bashkimit Europian, nuk ka shumë kohë që u ngrit një organ i njëjtë si SPAK-u ynë, që u drejtua nga një prokurore e re, mjaft energjike, Laura Codruța Kovesi, e cila i hyri me qilizëm hetimeve të nivelit të lartë. Çoi në arrest, e në hetim, një numër të lartë zyrtarësh të lartë qeveritarë, por edhe vendor si kryetarë bashkish, pa llogaritur drejtorë e funksionarë nivelesh në administratë. Hetimet e zonjës Kovesi shkaktuan një reaksion të fortë në politikë, sa mazhoranca qeverisëse e shkarkoi me vendim parlamenti. Natyrisht opozita e kundërshtoi dhe nxori njerëzit në shesh, e BE reagoi duke e marrë kryeprokurore në Bruksel. Por fakt është se pas largimit të Laura Kovesit, në Rumani nuk pati më ortek të madh ndaj politikës së nivelit të lartë. Në një farë mënyre, hetimet u frenuan, edhe pse nuk u ndaluan e vijojnë sërish. Pasi një akt i fortë nga drejtësia prodhon precedent nganjëherë më shumë sesa një ligj.

Ndërkaq, një model tjetër është më i hershëm, në fillim të viteve 90 të shekullit të shkuar, në një shtet më demokratik e më të fuqishëm Perëndimor siç është Italia.

Në vitin 1992, në prokurorinë e Milanos, prokurori Francesco Saverio Borrelli, ngre zyrën antikorrupsion të përbërë nga 5 prokurorë. Zyrë që u quajt “Mani pulitte-Duart e Pastra”. Kjo zyrë e përbërë nga prokurorë të rinj, të ndryshëm, por me një vullnet të hekurt, nis një ortek hetimesh ndaj kastës së lartë politike në vend.

Juristë të zot, e mjaft dinakë, Di Pietro me shokë, i nisin hetimet për ”Financime të paligjshme të partive politike”, por rrugës gjetën fakte bombastike korrupsioni, abuzimi me fondet publike. Ku brenda ishte edhe konflikti i interesit, apo siç quhet trajtimi klientelist i garave për punët publike.

Suksesi i “Mani Pulitte” ishte shokues; për pak muaj u shkërmoq sistemi i vjetër politik i “Penta Partitti” apo “Republika e Parë Italiane”. Prokurorët e Milanos u akuzuan ashpërsisht nga Bettino Kraxi, ish-kryeministri super i akuzuar për korrupsion, se po tregonin mëshirë ndaj Partisë Komuniste Italiane. E cila sipas akuzatorëve, edhe pse kishte qenë në opozitë, ishte financuar në mënyrë të paligjshme si nga Bashkimi Sovjetik, por edhe nga të ashtuquajturat “kooperativa të kuqe”, që nuk ishin gjë tjetër veçse ndërmarrje private të kontrolluara nga komunistët.

Antonio di Pietro e prokurorët e tjerë të zyrës antikorrupsion e kanë shpjeguar shpesh këtë fragment, pasi kanë kaluar mbi 30 vjet, e për këtë fenomen që tronditi Italianë janë bërë libra e filma pa fund.

Prokurorët arrestuan një zyrtar të lartë të Partisë Komuniste, përkatësisht arkëtarin e partisë, të ashtuquajturin “Shoku G”-Primo Greganti, i cili ishte i vetmi i arrestuar nga Di Pietro me shokë, që nuk foli asnjë fjalë për financimet e partisë së tij. Me një fjalë, u thanë se nuk u gjetën fakte apo dëshmi.

Ndërkaq, aksioni i prokurorëve të Milanos prodhoi reaksione të fuqishme politike. Nga një anë një fuqizim i së majtës nën udhëheqjen e ish-Partisë Komuniste Italiane e transformuar në Partinë Demokratike të Së Majtës, e një reaksion i fuqishëm djathtas që zbriti në fushën politike miliarderin Silvio Berlusconi.

I cili në vitin 1994, dy vjet pasi nisi “Mani Pulitte” fitoi zgjedhjet dhe u bë Kryeministër i Italisë. Sapo fiton zgjedhjet, Berlusconi, me një lëvizje të fuqishme fton Antionio Di Pietron, motorin e “Mani Pulitte”, që të bëhet ministër i Brendshëm i qeverisë së tij. Di Pietro e refuzon menjëherë. Pas karrotës, Berlusconi nis përdorimin e shkopit.

Me instalimin e qeverisë së tij, urdhëron ministrin e Drejtësisë, që të nisë një inspektim në prokurorinë e Milanos. Ndërkohë, paralelisht me këtë akt, Parlamenti me shumicë të djathtë miraton një amnisti të gjerë, ku nxjerr nga burgu të gjithë të arrestuarit në paraburgim, si pjesë e fushatës së “Duarve të Pastra”.

Ishte një betejë e madhe, aq e madhe sa Italia u përball me një luftë të qartë mes qeverisë dhe prokurorëve të Milanos. Të cilët, pasi shprehën publikisht kundërshtimin për këto aksione, udhëhoqën një lojë dinake të nivelit të lartë. Inspektorët e ministrisë së Drejtësisë, rrinin nga ora 8 deri në 5 në prokurori, duke ua nxirë jetën prokurorëve, e nuk i linin të punojnë. Por Di Pietro, 4 prokurorët e tjerë, e stafi administrative nuk bëzanin. Madje iknin në 5 së bashku me inspektorët. Sa binte nata, në mënyrë “ilegale” të gjithë ktheheshin në zyra një nga një, e pa zhurmë punuan mbi dosje. Për dy muaj, Di Pietro arriti të sigurojë provat e një dosje të bujshme, ku Silvio Berlusconi dhe vëllai i tij Paolo, akuzoheshin se kishin korruptuar oficerët e “Guardia di Finanza” për të mos i gjobitur në evazionin fiskal të grumbulluar në vite.

Menjëherë hartohet dosja, dhe kryeministrit Silvio Berlusconi i dërgohet me postë të posaçme një “Aviso di Garancia”, që në procedurën tonë penale do të thotë, thirrje për tu paraqitur përpara prokurorëve. Shkresa i dërgohet ndërsa Berlusconi drejton një samit ndërkombëtar në Napoli, të cilin e kishte përgatitur me kujdes, edhe për ta përdorur nëse i ndodh ky incident që e priste. Nuk kaloi shumë kohë dhe qeveria Berlusconi u rrëzua dhe vendi u drejtua për 2 vjet nga një qeveri teknike e mbështetur nga opozita e majtë dhe një pjesë e ish-mazhorancës së djathtë.

Kjo luftë e fortë mes prokurorëve dhe Berlusconit shënoi realisht dhe fundin e zyrës së posaçme “Mani Pulitte”. Di Pietro ju fut politikës, kurse kolegët e tij vijuan karrierën në gjyqësor. Por ama, ajo eksperiencë çoi që të gjithë prokuroritë e tjera italiane vijojnë hetimet ndaj korrupsion në mënyrë permanente. Por përplasja e qeverisë së Berlusconit, ishte realisht një kontroll i drejtësisë, çka e penalizoi gjithë jetën politike. E i ndjeri Berlusconi nuk e ndau deri sa vdiq retorikën kundër “Togave të Kuqe” siç i quante prokurorët. Por ai aksion i mazhorancës ishte realisht më shumë se regji, por bllokadë, që më pas prodhoi atë që prodhoi edhe politikisht, por në realitet, së paku në vitet e para i frenoi hetimet.

Në Shqipëri, qeveria, veçanërisht Edi Rama, është akuzuar për shumëçka, por në realitet nuk ka pasur asnjë akt administrative apo ligjor ndaj SPAK. Që mund të flasë apo shfryjë, të ushqejë kritika e mendime të ndryshme, kjo do të ndodhë, sidomos në bazë të ngjarjeve. Por tjetër është ana verbale, e tjetër akti i një qeverie që kontrollon ekzekutivin.

Meqë ra fjala, edhe pse e rëndë sulmi verbal i Kryeministrit Sali Berisha pas vrasjeve të 21 janari ndaj Kryeprokurores Ina Rama, që e cilësoi “lavire bulevardi” firkësoi por nuk i bllokoi hetimet. Ajo që i ndaloi ato ishte akti i paprecendent për të ndaluar administrativisht krerët e Gardës për tu pyetur sipas urdhërit të Kryeprokurorit të Republikës. Ai ishte realisht grusht shteti. Vetëm një gjë: hapni aktivat se çfarë kanë thënë këto panelet e darkës për atë puç? Tema

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit