Ylli Pata: Kufizimi politik i kandidatëve të çiftit Berisha-Meta

Ylli Pata: Kufizimi politik i kandidatëve të çiftit Berisha-Meta

Ilir Meta dhe Sali Berisha

Më gjithë teatrin e zhvilluar për një muaj për atë që u thirr si “bashkim” i opozitës, duket se gjithçka ishte e paravendosur.

Bëhet fjalë për aleancën mes Sali Berishës dhe Ilir Metës, si një koalogim inkluziv i asaj që ata e quajnë opozitë. Është një tandem politik i vendosur që para 6 marsit, por në zgjedhjet e pjesshme pati përballjen direkte në terren.

Lidhja e marrëveshjes së Sali Berishës me Ilir Metën, e paramenduar në detaj edhe për ndarjen e vndeve në këshillin bashkiak, nuk është gjë tjetër veçse një përjashtim i të gjithë elementëve dhe përbërësve të opozitës, të paktën politike që është në fushë prej vitesh. Duke nisur nga partitë e vjetra tradicionale të së djathtës e deri tek Fatmir Mediu, Agron Duka, Shpëtim Idrizi, Dashamir Shehi etj.

Ky tandem politik, sipas të gjitha sondazheve apo perceptimeve publike shikohet jo vetëm me siklet, apo nuk mirëpritet, por kundërshtohet nga një pjesë e madhe e atij opinion publik që nuk voton Partinë Socialiste.

Pasi është logjike që çdokush në vend, qoftë edhe militant më radikal të kërkojë një ndryshim ajri në mjedisin ku frustrimi si pasojë e dominimit të klikës së vjetër ka prodhuar një situatë që ka përçarë opozitën.

Kjo përçarje nuk ka ardhur për konkurrencë, për ide politike  apo pikëpamje ekonomike, por thjesht si pasojë e këmbënguljes së Sali Berishës për të marrë drejtimin e opozitës, pasu u ndëshkua fort nga qeveritë e dy fuqive të mëdha të Perëndimit: Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.

Gjithashtu, edhe këmbënguljes së Ilir Metës, që të rikthehet nga e para në ciklin politik, edhe pse e ka bërë të plotë të gjithë rrethin vicioz të pushtetit në Shqipëri, si asnjë personazh tjetër në historinë e shtetit shqiptar.

E në këtë situatë, kur Berisha e Meta kanë ndarë postet e zonat e influencës, kandidatët që ata do të nxjerrin në zgjedhje lokale si sigël politike, janë thjesht product politik i këtij çifti, e jo një kundërpeshë e opozitarizmit politik e social në vend, ndaj qeverisë dhe mazhorancës socialiste.

Sado që establishmenti politik i Berishës dhe Metës mundohet t’i vizatojë deputetët e grupit parlamentar të PD-së thjesht si individë, rezistenca e tyre politike është një “farë” politike që do të mbijë në një mënyrë apo tjetër në tokën djerrë të opozitës shqiptare.

Belind Këlliçi, apo edhe kandidatët e tjerë që pritet të përballen në mjedisin e foltores për të marrë kandidimin zyrtar për kryetar bashkie, në fund, pra në fushatën që do të nisë në pranverën e ardhshme, ata do të jenë përkatësisht kandidatë të Berishës dhe Metës dhe jot ë krejt opozitës.

Pasi çifti politik 30 vjçar është imponuar në publik me aleancën e tyre si subjekt politik, e që në fushatë do të dalin së bashku, duke u përballur me mazhorancën. Kjo aleancë mund të jetë invazive publikisht, apo protagonist në aksione politike si protesta, greva, emisione, intervista, konferenca, por kjo nuk e shmang ngjarjen reale brenda arqipelagut politik të opozitës, por edhe mjedisit të PD-së.

Ngjarja reale është se një pjesë shumë e konsiderueshme e Partisë Demokratike nuk do që Sali Berisha të jetë në krye të saj, nuk do që PD të jetë në aleancë ekskluzive me Ilir Metën, kur ky i fundit paracakton edhe postet që do të marrë në pushtetin e bashkive që fiton opozita. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për një fjalë në ajër apo propagandë politike, por që ka një zhvillim konkret në terren.

Në Shkodër, bastion 30 vjeçar i Partisë Demokratike, kryebashkiaku Bardh Spahia, i cili ka fituar si pjesë e aleancës “Berisha-Meta, ka larguar nga puna militantët e PD-së për t’i zëvendësuar me ata të LSI-së, që sot janë Partia e Lirisë. E kjo fshesë që atje konsiderohet si politike, nuk ka shkurajuar strukturën e bazës së PD-së, por e ka mbledhur më shumë për të qenë një grupim solid politik anti-berishist dhe kundër Metës.

Madje, siç mësohet, demokratët e Shkodrës po përgatiten fort për një betejë të fortë kundër tre palëve të fuqishme: mazhorancën në qeveri, partisë së Tom Doshit, si partisë Berisha-Meta. E sipas gjasave, nga ajo betejë do të krijohet një lëvizje krejt e re politike në Shqipëri. Fiks si në vitin 1996, kur rrëzimi i Berishës erdhi nga Shkodra dhe jo majtas, por nga e djathta tradicionale shqiptare…

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion