Ylli Pata: 'Lexhenda' e kullës, ngujimi dhe rrotacioni

Ylli Pata: 'Lexhenda' e kullës, ngujimi dhe rrotacioni

Kulla 'Mali i Tiranës', Sali Berisha dhe Shkëlzen Berisha

Ka një episod epik në filmin më të diskutuar e më popullor të momentit. Kryeveprën “Oppenheimer” të regjizorit numër 1 në botë sot: Christopher Nolan, e cila po ngjall diskutim, pasi po shfaqet edhe në atmosferën e ankthit të përdorimit të armëve bërthamore.

Presidenti i SHBA, Harry Truman thërret në audiencë njeriun që drejtoi projektin “Manhatan”, i cili prodhoi dy bombat: “Litle Boy” që u hodh mbi Hiroshima dhe “Fat Man” që u lëshua mbi Nagasaki.

Truman, një politikan që vinte nga një përvojë frustrimi si pasojë e hijes së rëndë të shefit të tij Franklin D. Roosevelt dhe garës së diskutueshme me Henry A. Wallace në primaret e Partisë Demokratike të SHBA, ishte mjaft i eksituar pas suksesit “teknik” të bombave mbi Japoni.

Siç e kanë sqaruar në mënyrë shteruese historianët, Truman mendonte se do të trembte për vdekje Stalinin, që sipas tij nuk do të kishte bombën atomike. Gjë që rezultoi një naivitet olimpik i presidentit të SHBA.

Në një moment të audiencës, profesor doktor Robert Oppenheimer, i rënë shpirtërisht thotë: “Më duket se i kam duart me gjak”. Duke ju referuar qindra mijëra viktimave të dy krijesave të tij të tmerrshme.

Presidenti Truman, nxjerr mindilin e bardhë nga xhepi i vogël majtas i xhaketës, e tund si flamur, si për t’i thënë fshiji duart, por më pas pendohet, dhe e tund shaminë si zinxhir çelësash në gishtin e madh. “Jam unë që e hodha bombën, unë e mora vendimin, jo ti”. E audienca mbaroi aty. Shoqëruar me frazën gjithë nerva: “Atë njeri mos ma sillni më në zyrë”!

Sot pas 80 vitesh, edhe pse historia e njeh se Truman hodhi bombën kur Lufta e Dytë Botërore thuajse kishte mbaruar, Gjermania kishte kapitulluar e Japonia ishte e dërrmuar, sërish njeriu i bombës nuk konsiderohet presidenti, por fizikanti i lindur në New York me origjinë gjermano-hebreje.

Të cilin dy shkrimtarët Kai Berd dhe Martin Servin e kanë vizatuar si “Prometeu i kohës moderne” që i vodhi “Perëndive” zjarrin që do shkatërronte njerëzimin. Duke e legjendizuar në një nivel me mitin e Greqisë së Lashtë.

Sa donte Harry Truman të hynte në legjendë. Në fund të fundit ai e firmosi dekretin, dha urdhërin sa hap e mbyll sytë për të zhdukur brenda një nano sekondi qindra mijëra vetë-civilë në shumicën e tyre. E në histori, presidenti i SHBA që mori vendimin më të fortë të epokës sonë mbahet mend pikërisht për atë që mori.

Jo për vizionin e mbledhjes së shkencëtarëve më të mirë për të prodhuar një superarmë përpara se atë ta bënte Hitleri, që sipas të dhënave të shërbimeve sekrete, donte vetëm dy javë, dy javë për ta mbyllur.

Jo për financimin e një projekti, që ndryshoi totalisht botën. Historia është e thjeshtë në fund të fundit, edhe pse është bujare herë pas herë me shumë persona e personazhe, ajo nuk mitizon apo kthen në legjenda, sipas dëshirave të ndjekësve në Facebook.

Për të ardhur në nahijen tonë, e kontekstualizuar këtë aureolë kinematografike me realitetin e fshatit tonë të madh, Sali Berisha, ka që prej vitit 2013, që kërkon të qëndrojë me zor në një realitet që e ka tejkaluar.

Historia është treguar shumë bujare me të në vitin 1992, kur ndoshta jo në mënyrë krejt rastësore, e megjithatë në thelb krejt papritur, i dha mundësinë të bëhet një “Skënderbe”, me një mbështetje të stërmadhe që të udhëhiqte shqiptarët. Madje jo vetëm brenda kufijve. E pati rastin, e pati shansin. E keqpërdori në mënyrën më ekzemplare, për të cilën është folur e shkruar shumë. Madje edhe shansin e dytë që ju dha në vitin 2005. Ku si për inerci dhe me lëvizje të vogla qëndroi 2 mandate, e ku përveç ndërtimit të Rrugës së Kombit i mbahen mend më shumë katastrofa e Gëedecit dhe tragjedia e 21 janarit.

Pas mbijetesës 8 vjeçare nën hijen e Lul Bashës me iluzionin e “largimit nga politika” i erdhi goditja në ballë nga Amerika. Që e ndëshkoi përfundimisht e përjetësisht më 19 maj 2021.

Pas kësaj date e deri më sot, doli në skenë cilësimi që është kthyer në barcaletë e meme: “lexhenda”, siç e thërrasin me sforcim ndjekësit e shumtë e adhuruesit virtual që kërkojnë të mbajnë me gajret marazin e një personi, i cili është në fakt frustrimi jo vetëm i gjysmës politike të vendit, por i të gjithë politikës shqiptare.

“Lexhenda” natyrisht nuk na vizatohet si Promete që vjedh zjarrin e Perëndive, por si një “luftëtar” version telenovelash turke alla Osman që përdor levat e qysqitë që i përgatit Dauti për të rimarrë kalanë e Inegolit, që ja ka grabitur Turguti-djali plangrishës.

E natyrisht kjo legjendë e luftëtarit të paepur e ka ushqimin në bataretë e paneleve çdo natë që flasin për mundësinë e vetme për të rrëzuar Edi Ramën.

Në gjithë këtë zallamahi, variacioni mbi temën e legjendës shfryhet ditë pas dite, si tollumbacet e festive të kalamajve, e përsëritja e vazhdueshme e rrit në progresion aritmetik, dimenasionin e farsës dhe tragjikomedisë, siç është aksiomë.

Edhe pse të gjithë e dijnë se “lexhenda” nuk është një Promete që jeton në shpella e i çon zjarrin njerëzve për ta përdorur, por rri në Lalëz e në zemër të Tiranës ku vështron sesi rinia në rrugën që thirret në emrin e tij, bëhet çakërqejf ndanë birrilave të pallatit luksoz, vijon tjerrja e mitit të rremë, edhe pse një prej mbështetësve e thotë hapur që meqë ka një bandë në pushtet, duhet të kemi edhe nga dy banda të tjera që të luftojnë me të parën.

Por vjen një ditë, që legjendës së sforcuar i mbin një kullë, një kullë mbi një gropë, ku një tjetër “lexhendë” donte të ndërtonte një Sheraton e shumë apartamente e restorante, duke ju marrë lekët njerëzve. Ndryshe nga atmosfera e postmajit 2021 kur plasi enciklopedia sheshit në panele, ku njëri nxirrte Kronosin, e tjetri Judën, kreativiteti këtë radhë nuk po gjen analogji me antikitetin.

Por është gjetur Kulla e “Malit të Tiranës”, ku do ngujohen trimat për të pritur rrotacionin, e sipas zakonit të bëhen drejtorë doganash, shiku, e policie. Po sa vjet? Kush e di? Ngujimi kushton shumë. Sepse përveç përbindshit Rama, tani ka ridalë edhe Luli dhe kunati, që risillen si armiqtë e radhës. Për të bërë një luftë të re; kësaj radhe jo më qysqi e leva, por me zyra shitjeje e marketingu. Që blejnë me para cash…

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Qeveria në lëvizje për t’i ardhur në ndihmë këngëtares Simaku! Balla i ngarkuar, kontakte me Konsullatën në Nju Jork

Qeveria në lëvizje për t’i ardhur në ndihmë këngëtares Simaku! Balla i ngarkuar, kontakte me Konsullatën në Nju Jork