Aulon Kalaja, kandidat për deputet i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit, activist, gazetar, në një emision të darkës, pak kohë më parë, mori përsipër të tregonte një anektodë reale sipas tij që i kishte ndodhur Edi Ramës me Donald Trump.
Bëhet fjalë për një ngjarje të dhjetorit 2024, një muaj pas fitores së Trump në zgjedhjet presidenciale, gjatë eventit të inagurimit të katedrales Notre Dame në Paris, e rindërtuar pas diegies së vitit 2019. Event që mori pjesë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda, të ftuar nga Emmanuel Macron.
Sipas Kalasë, në darkën zyrtare për krerët e shtetve, Edi Rama, i ulur në tavolinën e darkës, kishte larguar pecetën prej mëndafshi dhe e palosi duke e vënë në tavolinë, e po bëhej gati të ngrihej nga karrigia. Por nuk arriti dot as të lëvizte as një milimetër, sa një prej truprojave të Donald Trump i tha kryeministrit shqiptar: Ulu, ha bukën, mos shiko as majtas as djathtas, e mos guxo të ngrihesh për asnjë rast. Madje as për të shkuar në banjo.
Kalaja, theksoi në deklaratën e tij në panel, se gjithë këtë histori e kishte nga një burim i sigurtë në stafin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Pa një referencë shumë të qartë, por një rreth me Kompas e bëri.
Mbrëmë tek Fevziu, deputeti i PD, Belind Këlliçi, citoi sërish burime në stafin e Presidentes Vjosa Osmani, për të thënë se Edi Ramën, Donald Trump e ka takuar pa dashje, duke e ngatërruar me një President apo kryeministër të një vendi tjetër.
Kurse Sali Berisha, deklaroi sot, se në korridore, Edi Ramën e kanë grirë me sharje e sulme, sa ja kanë bërë kurrizin më të butë se barkun.
Këto tre anektoda janë vetëm grimca të një repertori të pafund që është hapur që nga 2024-a në panelet e darkës, sa mund të ishin botuar disa volume librash të mëdhenj.
Një lloj zhanri rrëfenjash, ku nuk ka as Borëbardhë e Shtrigë, as xhuxha e Hirushe, por përgjithësisht rrotullohen te “stafi” i Vjosa Osmanit, apo edhe të Susie Wiles, shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, të cilën mediat amerikane e kanë përshkruar si “Ice Maiden”, me një llaf “Vajza e akullt”.
E cila, pra “Vajza e Akullt” sipas disa anektodave që janë thënë pa doganë nga spinë dhe bashkëpunëtorë të doktorit, e ka përcënë disa herë Edi Ramën, sa herë ky i fundit është afruar tek perimetri i Presidentit. Sipas tyre e ka bërë, kur zv.Presidenti Vance ishte star-i i Konferencës së Mynihut një vit më parë, e ka bërë në Paris te darka e Notre Dame-s(ku mungoi Esmeralda e shkretë), e në ca evente të tjera.
Pyetja spontane që ngrihet, përtej gallatës që prodhon e gjithë kjo fantazi çakërdisur është: Pse i thonë gjithë këto gjëra, a kanë ndonjë gjë nse jo të vërtetë, të mundshme?
Tani, fantazia e tillë, e sjelljes së skenareve me shkarkime, burgosje, pengmarrje, apo edhe bllokime, mund të jetë edhe pjellë e nëndërgjegjës siç thoshte Frojdi.
Megjithatë, për ta parë këtë problem me më këmbë në tokë, duhet thënë se problemi është gjetiu. Në realitet Partia Demokratike, alias Sali Berisha, me fitoren e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, në nëntorin e vitit 2024, i vuri vetes synim që të lobonte fort tek njerëz afër të tij për të hequr Non Grata-n e tij, pore dhe për të dëmtuar sa më shumë Edi Ramën.
Në fakt nuk është hera e parë që Sali Berisha e ka bërë këtë punë. Në 2005, ishte lobimi i Damir Fazliç-it që e afroi me kompani të rëndësishme imazhi e lobimi në administratën republikane të Presidentit George Bush(I riu).
Në 2011, PD pagoi qimet e kokës për kompaninë e fuqishme Podesta të njeriut të afërt të Hillary Clintonit, qoftë për të përmirësuar imazhin e pushtetit të tij, për të gjetur një kontakt të aksesueshëm në kancelaritë e Uashingtonit, dëmtuar imazhin e kundërshtarit Edi Rama, pore dhe për të këshilluar fushatën elektorale.
Lobimi i Podesta-s i solli realisht sukses PD-së, pasi Berisha shkoi takoi Clinton në DASH, Sekretarja e Shtetit erdhi në Tiranë dhe foli fjalë shumë të mira për qeverisjen e Berishës. Të mos harrojmë ishte ajo kohë që pas 21 janarit Sali Berisha e kaloi klasën, duke marrë edhe frazën e “burrit të shtetit”. Nejse kjo është histori e vjetër ku Borëbardha ishte Hillary-ja, të cilën në 2016, qoftë Berisha qoftë të tijtë e bënë nga borëbardhë në shtrigë që hante fëmijë në një piceri në Nju Jork, të cilën e vrau burri portokalli.
Të vijmë në kohën aktuale. Kur fitoi Donald Trump, Sali Berisha dhe të tij-të panë të gjithë shfaqen gjigande të fitores në Convention Center në Palm Beach-Florida më 6 nëntor 2024.
Në atë festë të madhe, Donald Trump pati një falenderim të gjatë për dy personazhet o të rinj në moshë që kishin poste drejtuese në fushatën MAGA: Susie Wiles dhe Chris Lacivita.
Të gjithë njerëzit pranë Berishës me një akses(dhe vizë) në SHBA u turrën me vrap në Uashington dhe bënë bingo.
Arritën të pajtojnë si këshilltar elektoral dhe konsulent lobimi Chris Lacivita. Të cilët mediat pranë opozitës e ilustruan si “magjistari elektoral” i fitores së Donald Trumpit, i cili bënte të pamundurën të mundur.
E vërtata ishte mjaft ndryshe: Lacivita është në të vërtetë një konsulent me përvojë në fushatën republikane, madje që nga koha e Bushit të ri. Dhe me rezultate jo të këqia, pasi ishte i specializuar në zonat ku mbizotëronte vota latinos, pra e qytetarëve me origjinë nga vendet e Amerikës Latine. Të cilët në rastin e fitores së dytë të Donald Trump rezultuan shumë determinant. Me të drejtë pati falenderimin e shefit, ndërkohë që në Shtëpinë e Bardhë hyri vetëm Susie-“Ice Maiden”.
E cila kishte qenë në fushatë gjatë me Lacivitën, e kjo marrëdhënie, u cilësua si kyçe në ç’njollosjen e doktorit, si dhe fitoren e tij në zgjedhje. Në fakt kjo e dyta ishte më shumë një inerci, pasi për PD-në, heqja e Non Grata-s cilësohej fitorja reale.
Siç dihet La Civita erdhi me shumë bujë, i shoqëruar nga Fatmir Mediu, u duk pak në fushatën e PD-së, por u tha se do të bënte mrekullinë. E cila natyrisht nuk pretendohej në Tiranë, por në Uashington. Siç u mr vesh më vnë, për këtë operacion publikisht ishin paguar plot 6 milionë dollar amerikan!!!
Shumë në fakt. Kjo ishte arsyeja që nga Uashingtoni vinin legjendat me Ice Maiden dhe Edi Ramën, të cilat bashkuar me “Nonat” e sajimit, do të ktheheshin në një potpuri estradash amatore, që të mbanin jo 6 muaj por edhe më shumë.
Pra, e thënë më seriozisht: Sipas të gjitha gjasave, por pa ju referuar stafit të Vjosa Osmanit, nga Magjistari që Edi Rama e pagëzoi si Latif, mund të kenë ardhur emaile të tilla të tipit: Po unjmë fort, jemi afër, Susie ja ka treguar vendin etj etj. Me fjalë të tjera, nuk ka dyshime që në zyrat e Kongresit, DASH, apo edhe në Shtëpinë e Bardhë kanë mbërritur materiale nga lobuesit, qoftë për Sali Berishën, qoftë për Edi Ramën.
Edhe pse nuk e kanë bërë efekt fare për të hequr njollën e Berishës, ka gjasa që të ketë krijuar një konstelacion opininesh më shumë në zëra, në lidhje me relacionin e administratës Trump me qeverinë e Edi Ramës.
I cili nga ana tjetër, jo vetëm që kishte punuar katër vjet me administratën e Trumpit të mandatit të parë, kishte marrëdhënie të afërt me Richard Grenell, një nga bashkëpunëtorët e këshilltarët e rëndësishëm, si dhe me dhëndrin e Presidentit, Jared Kushner dhe vajzën e tij Ivanka, të cilët kanë vizituar disa herë Shqipërinë. Ku kanë nisur edhe një projekt investimesh me partneritet me disa korporata botërore dhe shtetin shqiptar.
Pra Shqipëria e vogël, u bë një lloj konkurence ndërmjet njerëzve të “oborrit të Mbretit Portokalli”.
Nga qarqet pranë opozitës, j vetëm deputetë e panelistë, por edhe spin-a që punojnë me think-tanke overseas, bombarduan narrativën se Trump nuk e mban afër Ivankën, dhëndrin se ka futur në staf, kurse Grenellin e ka zbuar, duke e lënë në periferi. Ai pyet vetëm “Hirushen e akullt” që vendos gjithçka.
Kulmi ishte fundi i vitit të ardhshëm kur dhanë afat 25 dhjetorin për të ndodhur kiameti. Kishte dy tre skenare: Ose marinsat në kryeministri, ose arrestim në Uashington, ose nami i zi që mbahet sekret.
Edi Rama, duket ju dha material, kur priti Ivanka Trump në Tiranë, e mungoi në Davos kur pati një paradhënie të firmosjes së Bordit të Paqes. “Ishte fshehur në protokollin e Vjosa Osmanit” tha njeriu kryesor i medias familjare. Kurse mbrëmë Vjosa Osmani foli vetë, pas takimit të saj dhe Edi Ramës me Trump. Po sërish nuk i bindi, anektodat vazhdojnë…./TemA
Komente








