Ylli Pata: Procesi ndaj Berishës s’ka lidhje me opozitën. Thjesht ai ka marrë peng PD

Ylli Pata: Procesi ndaj Berishës s’ka lidhje me opozitën. Thjesht ai ka marrë peng PD

Sali Berisha në SPAK

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Posaçëm, që i dha Sali Berishës një masë fillestare sigurie, siç është detyrimi në paraqitje, nisi variacioni mbi temën, duke e trajtuar çështjen politikisht.

Përveç mbështetësve të Sali Berishës, të cilët normalisht janë në një linjë, jo thjesht kundër vendimit, por po linçojnë gjyqtarin, ka një qëndrim edhe nga ata që e quajnë veten “të moderuar”.

Sipas tyre, janë mediat e majta që kërkojnë burg për Sali Berishën, kur kjo nuk është normale për një shef opozite.

I gjithë ky narracion nuk qëndron, pasi kemi të bëjmë me një standard krejt të njohur e që ka krijuar precedent të qartë, në të gjithë ata vende ku drejtësia e ka mundësinë dhe fuqinë të hetojë njerëzit me pushtet.

Sali Berisha nuk është i akuzuar si lider i opozitës, pasi bëhet fjalë për një çështje krejt të qartë e konkrete. Për të cilën çdo homolog i Sali Berishës në Perëndim, jo thjesht do të ishte i kryqëzuar nga opinioni publik, por do të ishte distancuar çdo politikan i partisë së tij.

Dosja Partizani, për të cilën mjaft njerëz pranë mazhorancës, madje edhe vetë Edi Rama e kanë quajtur “gjyq për kafe”, krahasuar me akuzat e tjera, është një rast shumë flagrant.

Klubi Sportiv Partizani ka qenë një pronë shtetërore deri në vitin 2008. Trualli ku ndodhej klubi i Futbollit, përveçse ishte një klub futbolli, edhe i sporteve të tjera, ishte një hapësirë e madhe me mjedise sportive, ku shumë të rinj e fëmijë ushtronin sporte të ndryshme.

Deri në vitin 2008, asnjë kryeministër i Shqipërisë, nuk ka pasur guximin për të prishur territoret sportive në vend, e për t’ja dhënë ca personave, që ata të ndërtonin kulla për ndërtim, bare, restorante, garazhe apo edhe gomisteri e markete.

Ndërkohë, Sali Berisha, kur ishte kryeministër, vendosi që të tjetërsojë pronën publike të një mjedisi sportiv dhe t’ja japë një grupi njerëzish, ku në krye qëndronte dhëndri i tij. Dhe këtë e bëri me vendim qeverie, por edhe me ndryshimin e disa ligjeve në Kuvend, që tua mundësojë lirisht ndryshimin e përdorimit të territorit, jo si terren sportiv por si truall për të ndërtuar kulla. Pas ndërtimit të kullave, atje rezultoi si pronari më i madh dhëndri, përkatësisht i shoqi i vajzës, përkatësisht familja e Sali Berishës.

Përveç konfliktit të interesit dhe dhënies së truallit shtetëror familjes së tij, Sali Berisha dhe dhëndri i tij janë nën akuzë edhe për origjinën e parave që kanë ndërtuar kullat dhe përdorimin e parave të përfituara që kanë rezultuar në blerje asetesh në disa vende të Europës etj. etj.

Ky është një rast, që nuk ka lidhje fare me gallatën që Sali Berisha kërkon ta krahasojë veten me Donald Trump. Presidenti i zgjedhur i SHBA, akuzohet për vepra krejt minore dhe që po i përballon një nga një para drejtësisë, madje edhe duke u paraqitur në burg, ku bëri foton e famshme me nerva.

Donald Trump është një nga ndërtuesit më të mëdhenj në botë, ka qenë edhe president i vendit më të fuqishëm në botë me kompetenca të mëdha për 4 vjet. Por nuk i ka dhënë dhëndrit të vet asnjë aset publik, edhe pse Jaredi, bashkëshorti i Ivankës është një biznesmen prej kohësh.

Gjithsesi, Sali Berisha, është nën akuzë si person fizik së bashku me familjarët e vet. Askush nuk e ka akuzuar atë si shef i opozitës. Në një vend normal, një drejtues politik i rëndësishëm si Sali Berisha, jep dorëheqjen, përballet me akuzat ndaj tij, e nëse fiton pafajësinë rikthehet edhe më i fortë në krye të partisë. Gjatë kohës që përballet me drejtësinë, zgjidhet një lider i ri, duke e lënë kështu opozitën të lirë të merret me misionin e saj politik për të fituar zgjedhjet.

Sado insistojnë njerëzit e Berishës në publik, nëse sot opozita do të kishte një lider qoftë edhe provizor deri në mbarimin e procesit, edhe ata do të ishin më të lirë që të trajtojnë argumente politike.

Vetë doktori dhe avokatët e tij, mund të mbanin non-stop konferenca për shtyp për çështjen e Klubit Partizani, deri në përfundim të procesit.

Ajo çfarë ndodh tani është se Sali Berisha e ka marrë peng PD-në, që të shërbejë si avokate e rastit Partizani. Por jo avokate juridike apo një shpjeguese e rastit dhe të zbërthejë akuzat e dosjes së SPAK.

E përdor si avokate politike, për t’i rënë gozhdës në një vrimë, e cila është aq e hapur ku gozhda hyn e del e nuk qëndron.

Këtë e ka kuptuar shumica e opinionit publik në Shqipëri, që i jep aq mbështetje të dobët Sali Berishës, por edhe shumë politikanë të “vjetër” e të “rinj” të opozitës aktuale, q kanë zgjedhur një rrugë të ndryshme me doktorin.

I cili, siç dihej, e donte vulën dhe selinë, madje edhe deputetët për të qenë një bunker i çështjeve penale ndaj tij. Ku siç dihet “Partizani” nuk është e vetmja.

Megjithatë ky është një realitet që nuk ndryshohet tashmë; por edhe këtu ka një rrugë që Berisha të jetë si Trump. Le të fitojë shumicën e votave popullore këtu edhe në diasporë e shumicën e Parlamentit. Më pas të bëjë ç’të dojë, siç ka thënë me Skapin, Edi Ramën e të gjithë prokurorë e gjyqtarë.

Por a do t’i fitojë dot? Frika e doktorit është se do të humbë edhe më shumë se në 2023-shin. Madje pikërisht prej frikës se nëse vjen në pushtet ai do të rrëzojë SPAK-un. Kaq e thjeshtë! /TEMA/

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 3 Janar, 17:13

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Pesë shenjat e 'fshehura' që tregojnë se keni ‘kimi’ me dikë që në takimin e parë

Pesë shenjat e 'fshehura' që tregojnë se keni ‘kimi’ me dikë që në takimin e parë