Ylli Pata: Prognoza e zvarritjes politike për Sali Berishën!

Ylli Pata: Prognoza e zvarritjes politike për Sali Berishën!

Sali Berisha

Siç pritej, kërkesa e SPAK për Sali Berishën do të vishej me legjenda konspirative, bomba tymyese mediatike, apo edhe kundërsulme me fuqi sa më të madhe artilerike në eter.

Por në fakt, kërkesa e prokurorisë speciale për të kaluar në një fazë tjetër marrëdhënie ligjore me të pandehurin Sali Berisha, është thjesht një protokoll i radhës.

SPAK, në hetimin ndaj Sali Berishës ka hapur një precedent, të cilën nuk e ka zbatuar përpara këtij rasti. Në të gjitha dosjet e mëparshme, prokurorët specialë kanë qenë drakonian në kërkesën e arrestit me burg për çdo njeri që akuzohej. Qoftë burrë, qoftë grua, qoftë për një arkë peshk, apo miliona euro. Me rastin e privatizimit të klubit Partizani, SPAK kërkoi masën e detyrimit të paraqitjes për Sali Berishën, ndërkoi që arrestoi Jam Arbër Malltezi me burg, masa e të cilit u zbut më pas nga Apeli i Posaçëm.

“Detytrim Paraqitje” është masa më e lehtë për çdo të akuzuar, ku i pandehuri, ka të gjitha mundësitë për të shijuar lirinë, përveç ndalimit për të dalë jashtë shtetit. Kjo masë përdoret shumë në Perëndim, kryesisht ndaj politikanëve apo ish-zyrtarëve të lartë të shtetit.

Por Sali Berisha nuk e ka respektuar fare këtë vendim gjykate, çka krejt normalisht mund të kishte edhe kërkesë tjetër për të vlerësuar siç Kodi Penal e parashikon, se ç’ndodh nëse nuk zbatohet një vendim gjykate.

Megjithatë, hapi më i pritshëm i radhës ishte që SPAK të bënte këtë që bëri sot. Ndryshe, jo thjesht do të lekundej besueshmëria dhe autoriteti i një institucioni të rëndësishëm në vend, por edhe precedent që krijohej do të minonte rrëzimin e mitit të pandëshkueshmërisë.

Sali Berisha, me fjalë të thjeshta, është shtetari i hetuar më butë se të gjithë drejtuesit e shtetit në 100 vjet shtet. Pasardhësit e Sali Berishës, ose janë vrarë, ose janë burgosur, duke përdorur mbi ta një paraburgim të tmerrshëm. Kështu ndodhi edhe pas rrëzimit të komunizmit, ku Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha, apo edhe udhëheqësit e tjerë komunistë, u paraburgosën gjatë. Proceset ndaj tyre u zhvilluan pas 1 ose dy vitesh, ku me procedura të shkurtërta u dënuan siç dihet për “kafet e bllokut”. Të gjithë udhëheqësit e fundit të PPSH-së, i përballuan proceset pa zë, duke mos pasur asnjë mbrojtje politike, por një mallkim mediatik të pjesës më të madhe të mediave politike në vend. Ndërkaq, Fatos Nano, kur u arrestua në korrikun e vitit 1993, derisa ka dalë në process, ka qëndruar te 313-a, i izoluar pa asnjë kontakt me mjedisin e jashtëm, madje nuk mund të lexonte asnjë gazetë përveç librave të shenjtë që i kishte me procedurë drejtoria e burgut.

Sali Berisha, edhe pse kur erdhi në pushtet në vitin 1992 si President i Republikës premtoi një drejtësi të barabartë dhe europiane për të gjithë, nxiti dhe shtuy një gjueti shtrigash ndaj çdo njeri që mendonte ndryshe, apo do ta përdorte politikisht për të justifikuar se po ndëshkon të këqinjtë. Askush nuk pati një process të drejtë; këtu nuk hyjnë vetëm politikanët, por edhe biznesmenët e parë të mëdhenj të arrestuar për t’ju vënë gjoba nga pushtetarët e rinj.

Hetuesia apo paraburgimi i pushtetit postkomunist berishjan ka një vulë të tmerrshme: Remzi Hoxhën. i cili sipas të gjitha gjasave ka vdekur në “procedurat penale” të hetuesve të Gazidedes.

Duke ditur gjithçka ka si legacy dhe trashëgimi të pushtetit të tij në kuadrit të të drejtave, Sali Berisha nuk ka pranuar asnjëherë të përballet me ligjin. Të gjithë kundërshtarët e tij politikë e kanë bërë, madje edhe kanë vdekur në burg, në shenjë proteste duke ndaluar edhe ushqimin. Siç ndodhi me Shefqet Peçin më 22 tetor 1995.

Megjithatë, tani jemi në një kohë tjetër, kur me fuqinë e tij, Sali Berisha, po krijon edhe një precedent të ri të SPAK, i cili e nisi me masa drakoniane. Por sipas të gjitha gjasave, doktori nuk do të lërë gurë bashkë për të ndaluar, shtyrë, e vonuar procedurat e vendimit të Parlamentit për t’i dhënë leje SPAK për ta arrestuar.\

Ato që kemi para deri tani me flakadanë dhe zjarr në Parlament, duhet t’i shumëzojmë me 10 e 20. Kuvendi i Shqipërisë do të jetë në një provë nga më të rëndësishmet të funksionimit të tij. Por kjo është thjesht në aspektin juridik.

Pasi politikisht, kemi arritur në një fazë ku opozita jakobiniste e revolucionale në gjithë këto vite duke denoncuar e bërë prokurorin për këdo se mendon se është sipas tyre “hajdut”, “kriminel”, “narkotrafikant” etj, nuk përballon një proces normal penal ndaj një personi që ka qenë President dhe Kryeministër i vendit. Një proces, të cilët e përballojnë çdo shtetar madje edhe në detyrë, siç është sot Biden në SHBA, apo një mori e madhe shtetarësh në Europë.

Me këtë narrativë, çdo akuzë që do të dale nga goja e grupeve të gatshme mediatike të Berishës, do të squllen menjëherë sapo të arrijnë ajrin e freskët. Sado e fortë dhe tymuese të jetë ajo.

Sali Berisha ka një muaj që është i pandehur, e megjithatë flet, mban fjalime, aktivitete, djeg Parlamentin, akuzon dhe prokurorët kriminelë, e gjithçka shkon normalisht. Megjithatë, problem duket se nuk është rasti Partizani, por hapja në seri e dosjeve të tjera, të cilët më pas mund të kthehen jo vetëm në strapacim procedurial, por edhe pamundësi edhe fizike për të kundërsulmuar në terrenin e PR e propagandës. Ndaj, sipas të gjitha gjasave do të kemi zvarritje e sulme të forta në këtë çështje, për t’i detyruar prokurorët e SPAK që dosjet ndaj tij të mos i hapë në breshëri, por një nga një. Kaq e thjeshtë!/Tema

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë