Ylli Pata: Radikalizmi me buton i fundit të korrikut në Parlament

Ylli Pata: Radikalizmi me buton i fundit të korrikut në Parlament

Berisha në Kuvend

Tensioni politik në ditët përveluese të fundkorrikut, nuk është një risi shqiptare. Tashmë është kthyer në një rit politik, e që pa frikë mund të kthehet në një fenomen i historisë politike.

E cila, ndizet e shuhet si me buton, sipas temperaturës dhe interesave të politikës së ditës. Në thelb, kjo është krejt normale, ndodh edhe në Parlamentet perëndimore që forcat politike, kryesisht ato opozitare të marrin shkas nga zhvillimet e ditës për të ndezur situatën e për të shkundur opinionin publik. Duke kërkuar llogari të fortë nga qeveria, me një ton patjetër të ngritur, me temp oratorik të lartë, por ka një ndryshim ajo që ndodh në vendet ku duam të shkojmë me Shqipërinë.

Sepse atje, përpos tempit e toneve të larta, opozita e merr rastin që të shfaqë veten jo vetëm si një kritike dhe kontestuese e qeverisë, por sjell idetë e veta, modelin e vet, e natyrisht plotëson profilin e lidershipit të saj në Parlament, për ta sjellë në eventet e radhës si alternativë për të qeverisur vendin.

Por opozita nuk ndodh që të ndalojë e bllokojë Kuvendin. Parlamenti nuk është i qeverisë, pasi qeveria është administruesja e vendit, e buxhetit, e indtitucioneve të ekzekutivit. Një bllokim i Parlamentit nuk dëmton fare qeverinë, përveçse jep një shfaqe teatrale për të rritur pikët e disa individëve. Gjë krejt legjitime, por teatraliteti politik ka masën e vet, ka kohën dhe logjikën. Metafora e fjalimi i mirë godet më mirë sesa agresiviteti. Argumenti, por në radhë të parë modeli politik godet më shumë sesa bllokimi i foltores.

Se përndryshe gjithçka kthehet në të kundërtën e asaj që kryhet, por jep doza edhe tragjikomedie. Siç ndodhi sot në Parlament, kur Sali Berisha fliste për shtëpinë e Edi Ramës, ndërkohë që veron e jeton në vilën përrallore të Gjirit të Lalzit së bashku me kolonelët e tij, ku gjithashtu kanë parajsën e tyre të krijuar gjatë qeverisjes së “marshallit”.

Në sensin praktik, nuk është se të gjithë këto gjëra deputetët e opozitës nuk i dijnë, por siç ndodh në Shqipëri, punët bëhen më shumë si formë se si përmbajtje, më shumë për sot se për nesër.

Në atë që ndodhi në Parlament seancat e fundit, është përpjekja e një grupi të PD-së që nuk është as në foltore, por që është distancuar nga partia e tyre, e kështu mendohen që të bëjnë për vete zemrat e elektoratit radikal.

Gazmend Bardhi kërkoi Edi Ramën në Kuvend me procedurë urgjente, e mazhoranca ju përgjigj që do të vijë më vonë e jo me procedurë urgjente. Politikisht, nëse di ta shfrytëzojë këtë fakt, Gazmend Bardhi ka fituar, madje më mirë sesa të debatonte me Edi Ramën, ku sigurisht nuk do të kishte debat, por siç ndodh shpesh do të bllokohej seanca apo foltorja e Kuvendit.

Nejse, me fjalë të tjera, politikisht Gazmend Bardhi e ka fituar një pikë në betejën e tij, kërkoi kryeministrin, ai nuk ju paraqit.

Ka mundësinë e artë, që atë që duhet t’ja thojë Edi Ramës në seancë, ta thotë qoftë në Kuvend, qoftë në public. Le ta bëjë atë interpelancë në distancë, duke i dhënë shansin publikut që të marrë një këndvështrim të ri për opozitën, për idetë e saj, e mënyrën sesi ajo e kontrollon dhe e konteston qeverinë.

Por nëse vëren fjalorin e Gazmend Bardhit e grupit të tij që kërkon të zerë vend në grupin radikal të opozitës, ka atë standardin e dyfishtë të Berishës. i gëzuar kur SPAK heton zyrtarë të nivelit të lartë të qeverisë, e më pas akuzon kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, zemrën hetimore të SPAK si militante socialiste. Përse e bën Bardhi këtë? Asnjë arsye tjetër nuk ka veçse t’i hyjë për zemër në mos doktorit, ndjekësve të tij fanatikë, që janë helmuar në masë me gazin e propagandës anti reformës në drejtësi.

Si mundet që një militante socialiste të bëjë të gjithë ato veprime hetimore të një volumi gjigand, ku ka pjesë të saj edhe struktura të policisë së shtetit? Ka qenë një epokë kur policia dhe prokurorë prishnin hetime për ngjarje të dukshme, të bujshme e madje të tmerrshme si ai i Gërdecit, 21 janarit, video Meta-Prifti, apo edhe vrasja aksidentale e Kosta Trebickës.

Opozita përveç zhurmës, apo përdorimit politik çka është dialektike të çdo ngjarjeje nga prokuroria speciale, ka armë edhe më të forta që mund të rriste peshën e saj këtë fund korriku në Kuvend.

Njëra, përshembull është e gatshme, thjesht të angazhohet. Bëhet fjalë për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë. Një reformë e cila, nëse kryhet në mënyrën më të mirë, mund të kthehet realisht në një tronditje politike në Shqipëri. Pasi sjell një frymë të fuqishme të një popullsie gjenuine, që jeton në Perëndim, kontribuon në Shqipëri me remitanca dhe përkushtimin njerëzor. Kontributi politik i kësaj mase gjigande zgjedhësish mund të ndryshojë nivelin e demokracisë shqiptare, edhe në nivelin sasior por edhe cilësor.

Edhe pse një pjesë e mërgatës është e lidhur me emocionet e militancës politike, pjesa më e madhe e saj nuk është partizane, por do të votonte për një cilësi të re të lidershipit politik të vendit. E nëse ndryshon statukuoja e masës së njohur të zgjedhësve, mund të tronditet nga themelet edhe statukuoja e rezultatit që pak a shumë dihet që para se të bëhen zgjedhjet.

Natyrisht ajo masë është e frikshme e nuk kontrollohet, pasi nuk dihet si do sillet, por të paktën ndryshon fort. Çdo vend i BE lejon çdo qytetar që jeton përkohësisht apo për një kohë të gjatë, aty ku ndodhet. E ne që duhet të bëhemi anëtar i BE, duhet ta bëjmë të parët. Le ta nisë nga kjo reformë e madhe opozita, e të hapë dyert për të gjithë që duan të hyjnë në politikë. Gjasat janë që nuk janë të sigurtë për këtë gjë, por duan të luajnë me të njëjta skema, të njëjtat zhurma, të njëjtat shfaqe teatrale që lëvizin si me buton. E që çdo fund korriku para se të nisin pushimet janë tashmë të zakonshme…

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • igor: 21/07/2023 18:39

    star duck

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat