Ylli Pata: Sa tremb realisht rikthimi i Berishës në krye të PD dhe sinjalet politike në politikën shqiptare

Ylli Pata: Sa tremb realisht rikthimi i Berishës në krye të PD dhe sinjalet politike në politikën shqiptare

Sali Berisha

Shpallja e Sali Berishës që mund të kthehej formalisht në drejtimin e Partisë Demokratike ka shkaktuar një black-out në ambjentin politik dhe mediatik në vend, përsa i përket zhvillimeve që vjen nga e djathta.

Të gjithë njerëzit mediatikë pranë PD-së, që nga shpallja e Sali Berishës Non Grata, po flasin për një “rikthim të tij në betejë”, por në fakt asnjëri nuk hodhi tezën se “doktori i madh” siç e quan Ilir Meta, do të rimerrte drejtimin e Partisë Demokratike.

Ajo deklaratë e Berishës në televizionin e familjes së tij ka natyrisht disa sinjale të forta, gjithashtu do të ketë edhe pasoja politike jo vetëm në opozitën shqiptare, por mbi të gjitha tek e djathta.

Sinjali i parë dhe kryesori, është logjika e rrëzuar e një propagande mbi 8 vjeçare, sipas së cilës Sali Berisha ishte larguar nga PD dhe vendimet e saj nuk ndikohen nga ai.

Deklarata e mbrëmshme, është dëshmia më autentike se Berisha jo vetëm që nuk është larguar, por e quan si një veprim automatik marrjen e drejtimit të PD-së, që do të thotë se Lulzim Basha është thjesht një kryetar formal.

Pasi nëse Berisha do të vendoste për tu rikthyer në krye të PD-së, do të vepronte siç bëri Fatos Nano në vitin 1998, kur kandidoi për kryetar partie në kongresin e Partisë Socialiste përballë Pandeli Majkos dhe fitoi.

Aktualisht PD po zhvillon një garë për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, e Sali Berisha, mund të shprehej se do të vendoste kandidaturën, e të garonte me të tjerët përballë Lulzim Bashës që është ende në detyrë.

Por jo, doktori tha që do të rikthehet automatikisht, pra kur ta vendosë, do të bëhet fakt të kryer. Ç’ka e konsideron si një veprim politik automatik e PD-në një pronë personale e familjare.

Sinjali që rrjedh nga kjo, në kuadër të garës që po bëhet në PD, është qartazi një mbështetje e Lulzim Bashës. Pra “unë kryetar de fakto” e Luli de jure, që mund t’i hiqet kur ish-kreu i PD-së ta shikojë të nevojshme.

Por përveç sinjalit të fortë pro Bashës në këtë kontekst, Berisha bën të ditur se ai do ta kthejë Partinë Demokratike në një bunker politik kundër SHBA, që e ka shpallur ish-Presidentin dhe ish-kryeministrin Non Grata për korrupsion të rëndësishëm dhe minim të demokracisë.

E nëse doktori bëhet edhe de fakto kryetar i PD-së, del se edhe kjo forcë politike do të jetë Non Grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ç’ka sjell si rrjedhojë që rifutja në sistem që Lulzim Basha firmosi në “tokë amerikane” më 5 qershor është fake, e mund të prishet kur t’i teket kryetarit de fakto, që mund ta kthejë këtë formacion politik, në një formacion paramilitar, si kundra sistemit politik në vend, por edhe kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e natyrisht Bashkimit Europian.

Pasoja tjetër lidhet natyrisht me emrin e Ilir Metës, i cili më shumë se njëherë ka deklaruar se dëshiron të bëhet lider i opozitës pas zgjedhjeve të 25 prillit nëse fiton Edi Rama.

Sinjali i berishës për rikthimin, krijon automatikisht krijimin e çiftit Meta-Berisha si poli politik opozitar në Shqipëri që i kundërvihet Partisë Socialiste. E natyrisht edhe si një alternativë për të ardhur në pushtet. Normalisht, kjo dyshe do ta linte PD-në dhe opozitën shqiptare përjeësisht në opozitë, por qëllimi nuk është për pushtetin, pasi si Berisha ashtu edhe Meta kanë të tjera telashe. Kërkojnë që një mundësie hapje dosjesh nga SPAK të mos i përballin duke qenë qytetarë të lirë, por liderë opozite.

Një mekanizëm që Berisha e ka përdorur kur ishte kryetar opozite pas 1997, kur nuk shkoi asnjëherë në prokurori, si për akuza ndaj tij, apo edhe raste të tjera kur është thirrur si dëshmitar.

Mirëpo, problemi është se ky insistim i Berishës, natyrisht edhe Metës për të marrë peng opozitën shqiptare dhe për ta zvaritur atë drejt problemeve të tyre personale, nuk ka një përkim tek elektorati opozitar. E kjo u pa qartë në rezultatet e 25 prillit, ku Sali Berisha nuk ishte i votuar nga zgjedhësit e vet, ndërkohë partia e Metës është shkërmoqur në margjinat e politikës shqiptare.

E këtë e dijnë mirë si Berisha që shpalli rikthimin, ashtu edhe Meta që e ka deklaruar se do të marrë opozitën në dorë. Këtë qëndrim ata do ta bëjnë me forcë dhe kundër një vullneti politik tek elektorati opozitar.

Megjithatë, ky qëndrim i sforcuar, ka shumë pak gjasa që të gjejë terren për të krijuar edhe njëherë nga e para shtratin politik për këto figura që tashmë nga të gjithë, edhe nga analistë amerikanë pranë së djathtës si David Philips, sikohen si “personazhe të së kaluarës”.

Noti i Berishës kundër rrjedhjes në këtë moshë dhe pafuqi politik, duket i pamundur, duke pasur parasysh se këtë sport ai e ka pasur vështirë edhe në det të qetë edhe me një enturazh e kontekst të blinduar politik kur kishte të gjitha pushtetet, e jo më sot…

Megjithatë,  fakt është se deklarata për rikthimin edhe de jure në krye të PD-së, ka pasur qëllim të trembë si mazhorancën, ashtu edhe të gjithë kritikët apo njerëzit që nuk e duan brenda PD-së dhe tek mjedisi i opozitës shqiptare.

Por duket se një ditë pas kësaj deklarate, ajo më shumë ka qenë objekt për faqet e memeve humoristike sesa ka shkaktuar frikë e “terror” politik. Shqetësim po, pikërisht sepse ende opozita shqiptare ka në fytyrë, dy maska të trasha(Berisha e Meta), që po i zënë frymën e nuk merr oksigjenin e duhur. Edhe tani që Covid 19 po shkon drejt fillimit të fundit të pandemisë…./ Gazeta "Tema"

J.GJ.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja