Ylli Pata: Sali Berisha me Albin Kurtin, rikthim në 1994-n

Ylli Pata: Sali Berisha me Albin Kurtin, rikthim në 1994-n

Berisha dhe Kurti

Fundjavën e shkuar u bë gurgule në Shkup, pas një vizite të Albin Kurtit, i cili ishte në një ekspeditë të ngjashme me atë që zhvilloi në Tiranë në prillin e 2021.

Në Maqedoninë e Veriut, ka ndodhur një zhvillim politik në krahun politik shqiptar. Tre deputetë të mazhorancës qeverisëse janë larguar nga shumica, duke kaluar në opozitë. Izet Mexhiti, një eksponent i rëndësishëm i partisë së Ali Ahmetit, ish-numri dy i partisë dhe ish-kryetari i komunës Çair-që përfshin Shkupin e vjetër që banohet nga shqiptarë prej kohësh është në konflikt me “Babën”, siç thërritet politikani tashmë më i rëndësishëm shqiptar atje. Mexhiti krijoi të ashtuquajturin “Grupi i Zjarrit”, me të pakënaqurit nga Ali Ahmeti, e tani ka krijuar një parti të re politike, e cila menjëherë ka bërë aleancë me partinë “Besa” dhe Alternativën Shqiptare.

Besa është një parti me një profil proislamik, e cila i krijua me shumë zhurmë por u nda rrugës në dy-tre pjesë. Por një vit më parë, lideri i kësaj partie, Bilall Kasami, arriti të fitojë ndaj BDI-së, edhe pas ndihmës që mori nga nacionalistët maqedonas të VRMO-DPMNE, natyrisht edhe nga pakënaqësia ndaj partisë së Ali Ahmetit.

Tani mazhoranca qeverisëse në Maqedoninë e Veriut që është një koalicion mes BDI-së së Ali Ahmetit dhe socialdemokratëve të Zoran Zaevit është në fije të perit. Mjafton të ikë një deputet dhe kjo mazhorancë rrëzohet. Ndërkaq, patatja më e nxehtë në Shkup është miratimi i ndryshimeve kushtetuese për gjuhën, kërkesë e Bullgarisë që të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut për të hapur negociatat me BE. Nacionalistët e djathtë të VRMO-DPMNE, për të ofruar votat e tyre-të domosdoshme kanë kërkuar largimin e BDI nga qeveria. Ali Ahmeti, menjëherë ka ofruar dorëheqjen e ministrave të tij, nëse opozita voton ndryshimet kushtetuese. Vendi hyn në votime vitin tjetër, por opozita synon që të bëhen zgjedhjet këtë vjeshtë, që të shkohet në zgjedhje me qeveri teknike.

Me një fjalë, vendi është në vibrim të plotë elektoral, ku do të luhet shumë me emocionet nacionale për të bërë kush është më patriot se tjetri. Si nga maqedonasit, si nga shqiptarët, turqit, romët e të gjithë popujt që e përbëjnë këtë shtet.

Në këtë zulm, futet Albin Kurti, i cili viziton Maqedoninë e Veriut pa ftesë zyrtare, takon partitë shqiptare kundër Ali Ahmetit, si për të ndezur edhe njëherë zjarrin atje. Kryetari i bashkisë së Çairit i vendos një rruge emrin e Adem Demaçit, duke i hequr emrin e Brigadës Partizane Maqedonase. Pas kësaj nisin edhe tallavatë nacionaliste. Sot kryetarja e bashkisë së madhe të Shkupit, pjesë e të cilit është edhe Çairi, ka çuar kërkesën për të hequr emrin e Adem Demaçit nga rruga.

Gjasat janë që kjo të miratohet, pasi maqedonasit janë në shumicë, por të përçajë keqas shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, në një kohë kur ata janë një pozitë të lartë shtetërore. Ku jo vetëm kanë gjysmën e qeverisë, por drejtojnë edhe institucione të larta si prokuroria e Gjykata Kushtetuese.

I vetmi që e ka përkrahur Albin Kurtin në këtë aventurë pa lidhje e pa sens politik, ka qenë Sali Berisha nga Tirana. i cili me një pamflet të gjatë bën patriotin e madh dhe sulmon liderët maqedonas.

Në vitin 1994, këtë që bëri Albini, e ka bërë Sali Berisha në Maqedoni. Atëherë, shqiptarët nuk kishin pozitë shtetformuese. Ata kishin një parti politike: Partia e Prosperitetit Demokratik, e cila u formula në modelin e LDK-së së Ibrahim Rugovës. Në këtë parti pati intelektualë nacionalistë por edhe të moderuar që kishin qenë komunistë. Partia drejtohej nga Nevzat Halili, një mësues anglishteje nga një fshat i Tetovës. Sali Berisha, ndërhyri direkt nëpërmjet të ndjerit Ali Spahia dhe diplomatët shqiptarë në Shkup, duke përkrahur fraksionin kundër Nevzat Halili, të drejtuar nga Mendu Thaçi. Kjo solli përçarjen e shqiptarëve dhe lindën dy parti.

Thaçi me përkrahësit e tij themeluan Partinë Demokratike Shqiptare, që u drejtua nga intelektuali i njohur, i ndjeri Arbën Xhaferi. Kjo solli një dobësim të faktorit shqiptar, rritje të presionit dhe dhunës së maqedonasve, që çoi në konfliktin e vitit 2001, ku u përleshën me armë ushtria e policia maqedonase me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare që drejtohej nga Ali Ahmeti. Maqedonasit humbën luftën në terren dhe me ndërmjetësinë e NATO-s u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit që i bën shqiptarët shtetformues.

Sot shqiptarët e Maqedonisë, natyrisht që kanë probleme e pakënaqësi të shumta ndaj klasës së tyre politike. Por ndërhyrja e Kurtit dhe e Berishës, nuk ndihmon aspak pozitën e tyre, por bashkon faktorin maqedonas ndaj shqiptarëve.

Retorika nacionaliste mund të polarizojë situatën, e të rikthejë edhe njëherë tensionet ndëretnike, të cilat siç dihet në Maqedoni kanë sjellë gjak e viktima. Ndërkohë shqiptarët duke u përplasur mes tyre nuk i shtojnë por i humbin votat e tyre në Parlamentin prej 120 vendesh, e nuk janë më factor i rëndësishëm.

Albin Kurti nuk është hera e parë që fut hundët në Maqedoninë e Veriut. Në zgjedhjet e kaluara mbështeti Aleancën Shqiptare të Zijadin Selës, me shpresën e ngritjes së Vetëvendosjes atje. Por siç dihet zgjedhjet i fitoi sërish Ali Ahmeti, e partia e Selës sot është pjesë e qrverisë së koalicionit së bashku me BDI. Sot Albini ka ndërruar aleat, duke u bërë me Besën që ka lidhje të afërta me Erdoganin, si dhe të larguarit nga Ali Ahmeti. Politikisht, këtu as Kurti, e natyrisht as Berisha këndej nuk se fitojnë pikë.

Edhe nëse arrijnë që të rrëzojnë nga froni “Babën”. Por Kurti e bën këtë, fiks duke kopjuar Berishën në 1994, i cili gjithashtu futi hundët për tu bërë karshillëk ndërkombëtarëve që ështëi aftë të ndezë rajonin e të prishë punë. Edhe Albini po kërkon që izolimin nga SHBA e BE që i kanë vënë sanksione, ta luftojë me një kërcënim se është i aftë të hapë tensione ndëretnike në Maqedoninë e Veriut. Nëse Sali Berisha e bëri 30 vite më parë e dështoi, a mund t’ja dalë Kurti me këtë ringrohje të “supës së destabilizimit”? Natyrisht që jo.

Ai thjeshtë tenton që të rrëzojë Ali Ahmetin që është një nga interlekutorët më të afërt të SHBA e BE në faktorin shqiptar në rajon. Nëse Albini ndikon ta rrëzojë e bën, synon t’i thotë ndërkombëtarëve që keni një factor të besueshëm më pak, ndaj duhet të merreni me mua dhe tipat si puna ime. Dhe e Sali Berishës që amerikanët e kanë shpallur Non Grata, njësoj si Milorad Dodikun e Bosnjës…

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë