Ylli Pata: Shqipëria, një republikë kundër punëtorëve

Ylli Pata: Shqipëria, një republikë kundër punëtorëve

Foto ilustruese

Edi Rama ka rimarrë prej thuajse një viti një aksion politik për të frenuar një hemorragji frenetike të ikjes së fuqisë punëtore në vend. Një hemorragji që ka nisur herët, e nga niveli i lartë i kualifikimit po merr dalë ngadalë të gjithë shtresat, aq sa edhe baret e qendrës së Tiranës nuk arrijnë dot të gjejnë më kamerierë e banakierë.

Çështja e largimit të shumë shqiptarëve në Perëndim është përdorur dhe vijon të përdoret politikisht nga opozita, çka në fakt është e pritshme edhe është dialektike. Është një nga çështjet që padyshim duhet të rrihet më shumë, por që më shumë sesa retorikë kërkon një qasje më të menduar mirë jo thjeshtë si sulm ndaj qeverisë e mazhorancës, por edhe rrugët për të frenuar këtë hemorragji.

E përveç politikës, kjo është një temë kyçe që mund t’i sjellë audiencë paneleve të darkës që janë kthyer në bunker zjarri ndërmjet palëve apo “armikut të radhës”. Megjithatë, nëse trajtohen me mënyrën e kakovonisë së përnatshme apo lubisë së “investigativëve” më mirë ta lënë fare.

Gjithsesi, fakt është se çështja e punëtorëve apo më mirë të thuhet konservimit e mbrojtjes së punës dhe të drejtave të punëtorëve, nuk është aspak një fenomen i ri. Shqipëria, e nisi rrëzimin e komunizmit si një republikë “pushimesh nga puna”, një republikë që rrënoi punëtorët dhe degradoi sindikatat. Edhe pse Partia Demokratike erdhi shpejt në qeverisje, si pasojë e një greve të madhe të sindikatave të minatorëve në vitin 1991, që më pas u kthyen në pronarë pasurish të paluajtshme në bregdet dhe ortakë të krimit të organizuar.

Pushimi nga puna u kthye në një nga mënyrat e “Republikës së Re”, e cila nga 1991, me një nen famëkeq 24/1 ndërmori një fshesë masive ku hodhi në rrugë intelektualë e specialistë nga më të kualifikuar në vend. Që nga industria, shërbimet, ushtria, policia e etj përfunduan në rrugë duke shitur rroba e banane, e më pas përfunduan në Perëndim. Kanadaja i priti krahahapur specialistët shqiptarë të naftës dhe sektorit minerar, pa i detyruar fare që të bëjnë provime shtesë, e u mori kështu know how-n e konsiderueshëm dhe të përgjithshëm që ata kishin. Kështu ndodhi me oficerët e policisë që u kthyen në specialist security, apo grumbullues, klasifikues dhe administratorë të tregut të pasurisë së patundshme në SHBA, Kanada apo Britaninë e Madhe.

Fshesa e qeverisë së parë “demokratike” e cila nuk kishte fare lidhje me një largim të atyrë që nuk ishin të aftë, pasi u zëvendësuan me njerëz pa shkollë, solli një precedent të rrezikshëm. Ku çdo qeveri që do të vinte do të fshinte të gjithë ata që punonin në administratë për t’i zëvendësuar me militantët e saj. E Kështu u krijua klasa e drejtorëve që punojnë 8 vjet me qilizëm duke vjedhur, pushojnë 8 vjet, e më pas rikthehen sërish. Kemi pasur oficerë policie që emigronin në SHBA apo Belgjikë, e janë kthyer për t’u bërë shefa e drejtorë.

Ky model natyrisht që u mor edhe te privati, i cili as nuk e çau kokën për staf të kualifikuar, por ashtu si politika i mbushte vendet e punës me rrufjanë e servilë. Para ca ditësh një sipërmarrës i madh që ka edhe televizione qahej për një gjobë që kishte marrë nga tatimet, duke mos dalë vetë, por nxjerrë disa punëtorë.

Ndërkohë që para ca kohësh ka larguar nga puna një sasi të madhe punëtorësh, me të cilët kanë edhe gjyqe, për të cilat nuk kanë thënë asnjë fjalë në mediat e tyre.

Neni i parë i Kushtetutës së Italisë, që u shkrua në vitin 1947 nga thuajse të gjithë partitë parlamentare: demokristianët, socialistët, komunistët neofashistët, liberalët etj, thekson: “Italia është një Republikë e themeluar mbi punën”.

E pikërisht e drejta e punëtorit është një nga më të rëndësishëm më Europën e re që doli pas luftës së dytë botërore, duke bërë që jo rastësisht shtetet e saj të jenë sot vendet më të zhvilluara ekonomikisht.

Shqipëria për 30 vjet ka nëpërkëmbur çdo të drejtë të punëtorit, sa është krijuar një brez i tërë i cili ka punuar gjithë kohën në të zezë, e nuk ka mundësi të dalë në pension.

Një brez që ka punuar non stop pa orar, pa ditë pushimi, pa leje të zakonshme të paguar siç e ka Europa, pa lejen e lindjes etj etj. Pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet më të mëdha që detyrojnë krahun e kualifikuar që të largohet, sepse në Europë e SHBA, apo Kanada respektohen të drejtat e punëtorëve.

Shqipëria nuk ka arritur të vijë as në standardet e periudhës komuniste për punonjësit e kualifikuar. Disa profesione si minatori për shembull paguhej më shumë se CEO(drejtori ndërmarrjes). Një minatory merrte edhe 15 mijë deri 20 mijë lekë të vjetra në muaj. Duke bërë kështu jo vetëm të jetonte më mirë, por edhe të shkollonte fëmijët, duke krijuar kështu mudnësinë e rritjes së numrit të inteligjencës shqiptare.

Në Bulqizë për shembull numri i të diplomuarve nga fëmijët e minatorëve është i konsiderueshëm, e shumë prej tyre arritën me rezultate të shkëlqyera të diplomoheshin e të ngriheshin në majat e vendit. Po nuk ishin vetëm minatorët, shumë paguheshin edhe profesione të tjera si montatorët apo saldatorët etj që punonin në hidrocentrale apo vepra publike.

Para pak vitesh kur u ndërtua TAP në Shqipëri, kompania nënkontraktore i mori saldatorët nga Turqia sepse nuk kishte në Shqipëri.

Edhe drejtësia shqiptare asnjëherë nuk ka respektuar Kodin e Punës, i cili ka mbetur vetëm letër,  sipas gjasave nuk e di asnjë gjyqtar apo prokuror. Thjesht janë marrë vendime për të larguar nga administrate, duke krijuar kështu precedentin skandaloz të pagesës së dy listave: ata që emërohen dhe ata që shkarkohen, çka është rëndesë e madhe për ne si taksapagues. Për vite e vite.

Në vendimet e gjykatave të komunizmit, nëse një heqje nga puna cilësohej i paligjshëm, paratë i paguante nga xhepi drejtuesi që kishte larguar punëtorin. Duke mos shkaktuar asnjë problem në buxhet. Natyrisht që ka shumë e shumë probleme të mprehta që së bashku me ligjin e pronave është një nga shkaqet e degradimit të jetës dhe shoqërisë në Shqipëri.

 Një shoqëri që asnjë ditë nuk e respektoi njeriun e punës por njeriun e dhunës, horrin dhe mashtruesin. Këtu edhe shoqëria politike hyn në lojë si një garë për të marrë vendin e humbur të punës, kur në fakt ai vend apo qeveri që largon dhe heq njerëz nga puna, sidomos punonjës, jo thjesht drejtues, krijon kështu predispozitat e një humbje të madhe, që bëhet gropë që nuk mbushet dot. Siç ka ndodhur edhe me ne…

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Trafikonin emigrantë duke i ndihmuar për të kaluar kufirin, arrestohet një 53-vjeçar nga Kukësi

Trafikonin emigrantë duke i ndihmuar për të kaluar kufirin, arrestohet një 53-vjeçar nga Kukësi