Shtetet e Bashkuara të Amerikës, para dy ditësh bënë të ditur publikisht qoftë me një komunikatë të Departamentit të Shtetit, qoftë edhe me një njoftim të ambasadës amerikane në Tiranë, se Uashingtoni e ka ratifikuar marrëveshjen ushtarake me Shqipërinë.

Marrëveshje që parashikon një precedent të rëndësishëm, të parën hua në masë të madhe që SHBA i jep Shqipërisë për të modernizuar ushtrinë e saj.

Shtetet e Bashkuara, si një fuqi globale më e madhja në botë, ka në rekordin e saj, sidomos gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, shumë programe gjigande të ndihmave ushtarake.

Nuk ka asnjë shtet në botën e sotme, që ka kryer një politikë kaq massive dhe gjithëpërfshirëse që të ndihmojnë vende të tjera për tu mbrojtur nga armiqtë e tyre.

Në historinë botërore, ndihmat ushtarake kanë ekzistuar; por kanë qenë krejt ndryshe nga sot. Kur Jul Çezari shkoi në Egjipt që të ndihmonte Kleopatrën të ngjitej në fron, përdori legjionet e tij, posaçërisht të famshmen Decima Legione, që ishte praktikisht dhe garta e tij pretoriane.

Ndihmat ushtarake në botën deri para pax americana kanë qenë pushtime klasike. Ku çdo vend hynte me ushtrinë e tij për të ndihmuar aleatin në pushtet, por duke mbajtur forcat e saj ushtarake, që praktikisht e kolonizonin atë vend.

Edhe osmanët nuk qeverisnin vetë territoret e Perandorisë. Vendosnin qeveritarë vendas, të cilët çonin në Portën e Lartë sasinë e planifikuar të taksave, apo edhe ushtarë në raste kur sulltanit i duhej për një luftë të caktuar.

Sulltani, të gjitha territoret e Perandorisë i kishte pronë të tij, të ardhurat e të cilave i ndante sipas rregullave që nuk ishin gjithmonë fikse por ndryshoheshin sipas periudhave e situatave.

Pas Luftës së Dytë Botërore gjërat ndryshuan, kur edhe bota u nda në dy kampe, në dy aleanca politike e ushtarake. Ku mbrojtja u bë kolektive, por jo gjithkund e jo tamam.

Pasi Bashkimi Sovjetik nuk e pati problem të hynte me tanke në dy vende aleate si Hungari e Çekosllovaki, apo amerikanët nuk ndaluan dot Turqinë në 1974, kur kryeministri socialist Bylien Elçevit urdhëroi operacionin “Atila” të pushtimit të veriut të Qipros.

SHBA është vendi i parë që ka dhuruar, apo ka dhënë hua për të furnizuar ushtritë e vendeve me të cilët ka marrëdhënie. Egjipti për shembull, që në periudhën përpara marrëveshjes së Camp David-it furnizohej ekskluzivisht me armatim sovjetik, tashmë jo vetëm që mbrohet nga armë amerikane, por SHBA i jep çdo vit një ndihmë kolosale prej më shumë se 100 miliard dollar në vit. Njëjtë SHBA e bën me Izraelin, apo shumë vende të tjera në botë, e natyrisht tek aleatët e saj të NATO-s, aleancën më të rëndësishme për shtyllën gjeopolitike të Perëndimit.

Shqipëria është një vend i vogël, i cili si anëtar i NATO-s nuk e ka aspak problem që të merret përsipër të mbrohet nga forcat amerikane dhe aleate. Mjafton të kujtohet çlirimi i Kosovës, kur Amerika hyri në luftë për të shpëtuar shqiptarët, duke përdorur makinerinë më të madhe në glob për nga forca dhe teknologjia. Makineri që ka marrë miliarda e miliarda, për të cilat shqiptarët nuk dhanë asnjë cent as atëherë e as sot.

Megjithatë, sot në një stad të ri të politikës dhe zhvillimeve ndërkombëtare, SHBA ka vendosur që të ndihmojë me një hua shtetërore modernizimin e ushtrisë shqiptare, për të modernizuar kapacitetet dhe arsenalet e saj.

Ky akt nuk është aspak një operacion taktik apo lëvizje e Pentagonit, do të thotë një vendim në lëmin ushtarak.

Marrëveshje është një lëvizje e pastër politike, me të cilën administrata e Donald Trumpit po konturon marrëdhëniet e saj me aleatët, në këtë rast një të vogël fare si Shqipëria.

Vend i cili është sa një shtet i vogël i SHBA. Jo më kot mediat e ndryshme amerikane, kur flasin për ne, bëjnë një krahasim se Shqipëria është pak a shumë sa Meryland-i. Një shtet i vogël në Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara.

Një shtet me kapacitetin, fuqinë e mundësitë si ne, një relacion të një niveli të lartë me superfurqinë e botës duhet ta konsiderojë jetike, strategjike dhe të rëndësishme.

Duke u kthyer tek debati politik në Tiranë mbi marrëveshjen ushtarake me SHBA, kemi një qëndrim të fortë të Partisë Demokratike, e cila këtë marrëveshje e ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese. PD ka deklaruar se këtë nuk e ka bërë ngaqë është kundër marrëveshjes, por sepse nuk pranonte procedurën e miratuar me “procedurë të përshpejtuar”.

Por ç’ndodhi pas këtij akti: SHBA e ratifikoi marrëveshjen po “me procedurë të përshpejtuar”. Ky nuk është gjë tjetër veçse një akt politik i qartë si drita e diellit.

Sqarimin dhe elaborimin e të cilit, sipas të gjitha gjasave do ta trajtojë publikisht e zyrtarisht nga A deri te Zh-ja ambasadori i sapo ratifikuar nga Senati amerikan, Gjenerali Eric Wenndt. i cili si i dërguar i Presidentit dhe i udhëzuar nga DASH do ta zgjerojë gamën politike të vendimeve amerikane me detaje.

Siç kanë bërë gjithmonë parardhësit e tij, nga Ryerson te Yuri Kim. Pa gjuhë të drunjtë por shkurt e shqip.