Ylli Plovina: Shqipëria mund edhe
të mos bëhet?

Ylli Plovina: Shqipëria mund edhe<br />të mos bëhet?
Fragment nga libri i ri i Ylli Polovinës “Shqiptarët, diamantët e pagdhendur/ Për t’ia dalë mbanë duhet të plotësojmë një kusht: të mbajmë vazhdimisht në sy një rrezik tepër të madh, atë të metë që e kemi identitare, pothuaj gjenetike: mospajtimin tonë me publiken, shpesh edhe antagonizmin me të.
 
“Homo albanicus” në shoqërinë e hapur ka mjedisin më të pëlqyer të tij, terren ku virtutet i ruan dhe defektet nuk i gjejnë rehat. 
Forcimi institucional i këtij sistemi, qoftë edhe sikur të bëhet fare në kuotë minimale, nis dhe e çmëson opinionin tonë publik nga legjenda urbane, sipas të cilës “homo albanicus” ka një papajtueshmëri tradicionale ndaj pluralizmit dhe sidomos demokracisë.

Sigurisht pluralizmi i deritanishëm ala-shqiptar nuk është ai ku secili ndodhet në vendin e vet, por kjo gjithsesi ai mund të rregullohet për të funksionuar më mirë dhe më drejt. Shpresë jep pluralizmi ynë i besimeve fetare, raportet e ekuilibruara me njëri-tjetrin që ata kanë ruajtur dhe ruajnë prej shumë kohësh.

Me demokracinë, po, mund të thuhet se “homo albanicus” ka ende një raport të vështirë. Deficiti i shoqërisë shqiptare me të, sistemin e papërkryer që deri tani është më i miri, në parim duhej të nxiste një dukuri të qartë: ngritjen e frymës së shërbimit të politikanëve vendas ndaj popullit.

Janë pikërisht ata që nëpërmjet profesionit të tyre luajnë rol të parë në orientimin e zhvillimit dhe të ritmeve të tij. Nuk kërkon arsyetim të ndërlikuar çështja se që të bëhet Shqipëria përveç vetë masës së shqiptarëve dhe individëve të saj, misioni për këtë qëllim i është ngarkuar pikërisht politikanëve.

Ata, në një farë mënyre, kanë zanatin e “inxhinierit” të shtetit.  Mirëpo përvoja e shqiptarëve me ta deri tani mbetet tepër dëshpërimsjellëse.
Mes kontributit herë për të ndrequr dhe herë për të prishur, forcë që e kanë të përmasave të mëdha, në shekullin e parë të historisë së shtetit tonë bilanci mbetet me tepri në këtë kahe të fundit.
Më së shumti kjo ka ndodhur sepse politikanët tanë të mëparshëm që ja kanë dalë në mbërrijnë në krye të Shqipërisë, janë pak ose asfare politikanë të vërtetë, por thjesht njerëz të pushtetit. Ushtrimi i politikës zgjidhet prej tyre jo si ambicie realizimi profesional, por si mjet për të sunduar e kontrolluar personalisht territorin si edhe fatin e nënshtetasve të tjerë.

Po ashtu për të hyrë me çdo mënyrë në histori dhe ca më keq, për t’u pasuruar. 
A e keni vënë re sa shumë e duam të gjithë Gjergj Kastriot Skënderbeun, mes nesh edhe pushtetushtruesit, e megjithatë asnjë prej këtyre të fundit, kur merr postin e njëshit të Shqipërisë, nuk bën pothuaj asgjë si heroi ynë kombëtar.

Pas viti 1990, siç do të ishte logjike, politika duhej të ndërtonte një model të ri. Kjo nuk ndodhi.
Arsyeja më e parë është se politikani i ri shqiptar del prej barkut së politikanit të vjetër.

Në këtë kuptim pushtetushtruesit e Shqipërisë së pasdiktaturës deri këtë çast kur po shkruhet ky libër, nuk ja kanë dalë dot të krijojnë modelin e tyre të kohës tjetër, të shoqërisë së hapur.
 
Duke i lënë politikanit politikanist vetëm pjesën e merituar të së drejtës për pushtet, pra shumë më pak nga sa në jetën publike zotëron dhe ka uzurpuar tani, mundësia e bërjes së Shqipërisë ofron një shteg nëpërmjet të cilit ekziston gjasa të mbrothësohet: brezi i ri.
Pra është euroshqiptari.

Kjo gjeneratë e re sot nuk është vetëm në një bum demografik, çfarë u bie në sy jo vetëm statistikave, por edhe ardhësve të huaj. Ajo u vu re menjëherë edhe nga Papa Françesku në vizitën e tij në Tiranë në 21 shtator 2014. Këtë karakteristikë, që e kishte përjetuar si një befasi të këndshme, ia përcolli medias së botës dhe opinionit publik të saj.

Ky brez i ri euroshqiptarësh ka një shtrirje gjeografike globale, ndodhet kudo dhe çdo ditë e më tepër përfton përvojë të përparuar prej shumë popujve. Kështu, në mos fizikisht me praninë e tij, të paktën nëpërmjet teknologjisë moderne të komunikimit, rrjeteve sociale në internet, ai e mbart dhe e sjell të dhjetrafishuar këtë eksperiencë në vendlindjen e vet. Duhet thënë, madje, se më shumë nga një përvojë kjo është frymë, çka e lehtëson të shndërrohet për bashkëkombësin tonë në një mendësi, në një mënyrë të re të jetuari.

Euroshqiptari është në shumim edhe në rastin kur mbetet banues në vendin e tij tashmë kufijhapur. Ai i kapërcen lirisht ato dhe për mjaft nevoja të veta, që nga shkollimi, vizita tek familjarët e emigruar, ushtrimi i biznesit e deri tek pushimet vjetore, sheh dhe mëson nga bota.

Këto, kur rihyn në atdheun e tij, nuk i hedh prapa kurrizit, por përpiqet sadopak t’u gjejë një mundësi zbatimi.
Nuk e bën këtë për shkak se patjetër e ndjen si detyrë atdhetare apo si mision qytetar, por sepse ajo që ka parë jashtë zotëron vlera të mëdha pragmatiste për t’ia përmirësuar jetën brenda vendit.
Pikërisht kjo nevojë utilitare ia siguron kësaj dukurie vetëfunksionimin dhe gjallërinë, veprimin dhe realizimin konkret.

Qytetari shqiptar i viseve tona, tashmë edhe udhëtues nëpër botë, duke gjetur në vendin e vet një mjedis më të favorshëm për të mos jetuar më si më parë, e ka shtuar dëshirën e shkëputjes nga e shkuara.

Duhet thënë se në këtë pamje të re të gjërave duket tepër i qartë një fakt, i cili duhet nënvizuar. Kur mjaft prej të rinjve tanë me anë të hyrjes në ambasadat e huaja të Tiranës, në korrik 1990, ikën nga Shqipëria, po ashtu të tjerët që më pas, të hipur nëpër vaporë dhe anije të pushtuara prej tyre, bënë të njëjtën gjë të gjithë mbartnin me vete për në Perëndim edhe shumë prej defekteve.

Kur dy dekada më pas u hapën kufijtë e Bashkimit Evropian dhe shqiptari me një pasaportë biometrike nisi të shkojë në çdo vend të kësaj bashkësie, jo vetëm kur rikthehet nuk sjell asnjë ves, por edhe kur del për të qëndruar përkohësisht është shumë më i kujdesshëm për korektesë qytetare se pararendësit e tij.

Kjo do të thotë se jo vetëm në Perëndim kjo gjeneratë e re që jeton në trojet tona kalon vazhdimisht një proces purifikimi moral dhe etik, plotësimi  dijesh dhe pasurimi shpirtëror, por sadopak kjo ka filluar edhe në Shqipëri.

Kështu mund të pohohet se të paktën tek brezi ynë i ri, në mënyrë të kryqëzuar, nga jashtë dhe brenda, me një shpejtësi të dyfishtë, po ndodh një zhvillim shndërrimi i tij në njeri të Perëndimit.   
“Homo albanicus”, edhe këtë herë, ndoshta nuk do të dijë ta shfrytëzojë deri në fund rastin (dhe fatin) e do të ndalet në mes rrugë, por faktori favorizues i ndryshimit është dhe mbetet tepër inkurajues: përreth tij kanë ndryshuar vetë rrethanat historike si edhe ato shoqërore.

Me pak fjalë përveç botës në globalizim të vrulltë, ku kulturat e tjera depërtojnë më shpejt dhe ndikojnë më shumë, por ndërkohë ajo vendase vetëmbrohet e forcohet, zhvillohet po ashtu, ajo që e ndihmon posaçërisht Shqipërinë, shtetin, shoqërinë, individin dhe elitat e saj, është pjesëmarrja aktive, kandidimi dhe më pas hyrja si pjesëtar me cilësi të plota në Bashkimin Evropian.
Jeta në këtë supershtet, në këtë konfederatë, në këtë “perandori” të demokracisë politike dhe sociale, ku rregullat kryesore të funksionimit si shtet, ku ne kemi pikën më të dobët, do të ndikohen vendosmërisht prej modeleve më të përparuara të Perëndimit.

Nënshtetas të Perandorisë Osmane, asaj të Bizantit dhe më në fund të Perandorisë Osmane, si të jetë një fat i mbarë që na bie tepër rrallë, njëherë në dymijë vjet, BE paraqet për shqiptarët mundësinë më të sigurt se vendi dhe shteti i tyre ka të ngjarë, për aq sa nëpërmjet cilësive tradicionale të “homo albanicus” gjen shteg realizimi, të bëhet.

Bashkë me të edhe një “homo albanicus” i shndërruar njëkohësisht në “homo europeus”, ua kufizon përherë e më shumë pushtetushtruesve lokalë, që nën ambicien për ta mbajtur vetë ata nën kontroll territorin dhe shoqërinë shqiptare, të pengojnë nëpërmjet zvarritjes procesin e këtij integrimi.
Tirana me mbi kokë të saj Brukselin është zgjidhja më e mirë për çfarë vjen më pas.

Kjo mund t’i inatosë disa nacionalistë të sinqertë, sepse shohin që shqiptarëve u ikën nga duart një pjesë jo e vogël e sovranitetit të tyre, por kjo është vetëm pamja e sipërfaqshme.
Sovranitetin e plotë nuk e kanë prej kohësh edhe vetë shtetet e mëdhenj.

Tirana apo Prishtina, të cilat nesër duhet të jenë shtete në dy konfederata, në të madhen, Bashkimin Evropian, dhe në të voglin, Shqipërinë e ardhshme, sovranitetin e tyre e kanë pasur përherë mjaft të ngushtuar.

Siç edhe pluralizmi jep më shumë hapësirë për sadopak sovranitet real, po ashtu edhe pjesëmarrja në BE nuk e ngushton, por e rrit edhe më tepër këtë pavarësim të kufizuar.
Në një farë mënyre alternativa se shteti dhe shoqëria shqiptare, bashkë me individin e saj, do të bëhen vetëm me tutor Bashkimin Evropian, provojnë se ka diçka shumë të vërtetë dhe realiste në sentencën e Faik Konicës se Shqipëria do të bëhet edhe për inat të shqiptarëve.

Me hyrjen në BE ne shpëtojmë prej rrezikut të mbijetimit në hapësirë gjeostrategjike fërkimi apo përplasjesh e thyerjesh të ndërsjella.
Nuk do të jemi më rrugëkalimi të njërës palë kundër tjetrës.  
 
Një mëdyshje e fundit: po sikur të mos bëhemi dot?
 
Jemi një etni me qëndresë ekzistence të sprovuar.
Një varg i himnit tonë thotë “Se Zoti vetë e tha me gojë/Që kombet shuhen përmbi dhe/Po Shqipëria do të rrojë/Për të, për të luftojmë ne”.
Nuk janë as megalomane dhe as shovene këto fjalë, as nënvleftësim për popuj të tjerë, por thjesht një mënyrë metaforike për të kumtuar idenë e mësipërme, pra që ne nuk shkatërrohemi, që etnikisht nuk shbëhemi dot.

Historia në mjaft raste na ka marrë edhe kufijtë shtetërorë, ata që ishin në kohë të ndryshme të principatave apo edhe të ndonjë mbretërie kohëshkurtër. Madje kjo ka ngjarë edhe pas 28 nëntorit 1912, por asnjëherë nuk na ka marrë dot kufijtë gjeografikë ku jetonim, ruanim të folurën tonë karakteristike, kulturën, traditën, breznitë, të shkuarën dhe të ardhmen.

Si e tillë, tokë ku nëpër mijëvjeçarë do të jetojnë vetëm shqiptarët, bëhesh optimist se një ditë do ta ngremë edhe ne shtetin tonë ashtu siç e dëshirojmë.
Kur sheh rezultatin e deri tanishëm të bren pesimizmi.

Por pesimizmi nuk është asnjëherë pasojë e një analize konkrete. Po ashtu as optimizmi.
Të dy qëndrimet janë pika orientimi që të gabojnë.
Qëndrimi realist do të qe i vetmi më i sigurti.

Me këtë rast, duke e përfunduar sprovën e këtij libri, autori do t’i lejonte vetes edhe një merak të fundit: aftësitë shqiptarit nuk i janë të pamjaftueshme për shtetformim, por për shtetbërje.
Ndokujt kjo mund t’i ngjajë si një lodër fjalësh. Megjithatë të dy konceptet kanë mes tyre një hapësirë të dukshme mëvetësie. Të kesh apo të mos kesh cilësi shtetformuese do të thotë se nuk di as ta ëndërrosh këtë shtet, as ta projektosh, as të luftosh për ta realizuar, as ta shpallësh ndërkombëtarisht dhe as t’ia mbrosh ekzistencën.

Por të gjitha këto bashkë, një për një, shqiptarët i kanë kryer më së miri. “Shqipëria çka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” i rilindësit Sami Frashëri, libri projekt i ndërtimit të shtetit dhe i funksionimit të shoqërisë së saj, për nga largpamja, moderniteti dhe fryma e prakticitetit, deri tani nuk ka më asnjë tjetër të ngjashëm. Po ashtu modelin real të këtij shteti, për aq sa mund të ishte bashkëkohor në motin e vet, por që gjithsesi qe një shembull, shqiptarët e kishin të njohur dhe të vlerësuar nga pothuaj e tërë bota: ishte ai i Lidhjes së Lezhës të udhëhequr nga Skënderbeu.
Në 28 nëntor 1912 shpalljen e pavarësimit të vendit po ashtu e bënë vetë shqiptarët.

Po vetë ata, duke manovruar midis trysnisë së interesave të kundërta të fuqive të mëdha e fqinjëve, mbajtën Kongresin e Lushnjës, themelvënësin e shtetit.
Po vetë shqiptarët e shpallën Tiranën kryeqytet dhe e bënë njëkohësisht atdheun e tyre të njohshëm ndërkombëtarisht, anëtar të Lidhjes së Kombeve.

Vetë ia kanë mbrojtur integritetin territorial, për aq sa kanë mundur dhe sa i kanë lejuar rrethanat, duke dhënë shembuj vetëmohimi aspak turpërues.
Hedhja e italianëve në det në 1920 dhe lufta antifashiste nga viti 1939 deri në 1944 janë dëshmi shkëlqimtare të kësaj të vërtete.

Qenë republikanët, monarkistët apo komunistët në pushtet, antidemokratët, pseudot e tyre apo edhe demokratët e vërtetë, Shqipërisë deri tani nuk i është marrë asnjë centimetër tokë.
Sepse qe një popull me ndjenjë të qartë shtetformuese edhe bashkëkombësit në Kosovës, pas qëndresës së gjatë paqësore, i hynë rrugës së luftës çlirimtare me armë dhe, me një përkrahje vendimtare të vendeve demokratike të Perëndimit, ia dolën të shpallin shtetin e tyre.

Tani jemi etni me dy shtete. Prandaj vetëm si mosshtetformues nuk mund të qortohemi!
Defekti ynë problematik është tek krijimi i një shteti me frytshmëri të lartë, pra tek shtetbërja, shtetndërtimi, shtetpërsosja.
Ndërkohë mendësia se Shqipëria nuk bëhet, po na u shndërrua në bindje, shumë shpejt mund të kthehet në fatalitet.

Ja pse ajo duhet mbajtur dhe ruajtur si shpresë. Kjo vdes e fundit, bashkë me vetë njeriun.
Shqipëribërja apo më saktë shtetbërja shqiptare le të vdesë edhe ajo bashkë me shqiptarin.

Ndërkohë, që të jemi realistë gjer në fund, na duhet, për t’ia dalë mbanë,  të plotësojmë një kusht: të mbajmë vazhdimisht në sy një rrezik tepër të madh, atë të metë që e kemi identitare, pothuaj gjenetike: mospajtimin tonë me publiken, shpesh edhe antagonizmin me të.

Do të ishte përgjegjësi e madhe edhe për autorin e këtij libri të thyente rregullin e përgjithshëm të marrëveshjes së brendshme të një populli të tërë për të mos e thënë me gojë asnjëherë kobin se mëmëdheu dhe kombi ynë nuk ka për ta bërë kurrë një shtet të mirorganizuar, të fortë dhe me autoritet, të shpëtuar përfundimisht nga ajo shprehje dufi kaq të shpeshtë “ne nuk bëhemi”.
E megjithatë ai mund të mos bëhet.

Duke e thënë këtë, pra që ne Shqipërinë e kemi të pavdekshme, por shtetin e saj, dje dhe sot, copë e trokë, mbase, përveç të zemëruarve që do të na tregonin me gisht si tradhtar, do të shfaqeshin edhe ata, të cilët sedërprekur prej këtij kumti të keq, do të zgjonin thellë ndërgjegjes dhe karakteristikave tona kombëtare atë energji vullkanike që pëlqen të flejë kur dikton se ne mjaftohemi me vetëm pohimin e të metës. Por që shpërthen kur kupton se ne me të vërtetë i jemi përveshur punës për ta ndryshuar atë.

ylli plovina


















































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Armir Mehaj: Refleksion në Kishën e Martirëve ku shërbeu Dom Antonio Sciarra

Armir Mehaj: Refleksion në Kishën e Martirëve ku shërbeu Dom Antonio Sciarra