“Ylli polar është BE-ja”, Ruçi me gazetarët: Opozita të lerë mënjanë luftën elektorale

TIRANË-  Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka zhvilluar një bashkëbisedim me gazetarët në kryesinë e Kuvendit. Në fjalën e tij para gazetarëve Ruçi ka thënë se “ylli polar” që duhet të udhëheqë pozitën dhe opozitën në këtë sesion të ri parlamentar është integrimi i vendit në BE.

Kjo ishte përgjigjia e Ruçit për aksionin e fundit opozitar, për të bojkotuar Kuvendin në Tiranë e për ta zhvendosur atë në Shkodër.  Ruçi s’harroi të thoshte se opozitës iu krijuan të gjitha kushtet për të qendruar në Kuvend, por se kjo e fundit është para një “lufte elektorale”.

Nga shtatori deri në dhjetor të 2018, fokus është integrimi në BE. Reforma zgjedhore shtyhet me 6 muaj.

Opozitës iu krijuan të gjitha kushtet për të marrë pjesë në Kuvend. Prej 2017, iu janë shtuar orët që kanë diskutuar në Kuvend. 673 diskutime deputetësh dhe 54% të këtyre diskutimeve nga opozita. Një seancë tjetër është kërkuar nga opozita, 101 kërkesa për informacion, 91 nga opozita. Rikthyem në Kuvend një standart të munguar prej vitesh. Institucionet e pavarura kanë raportuar rregullisht në Kuvend. Së shpejti, miratuam nisjen e sistemit të Vettingut në Polici. 294 grupe interese paraqitën qindra amendamente, prej të cilave 50% u miratuan. Komisioni për Sigurinë Kombëtare, dhe komisionet e tjera, nisëm një praktikë pune ku është raportuar rregullisht nga institucionet. Unë e thashë dhe dje, që grupet parlamentare të lënë mënjanë luftën elektorale, jo ta pushojnë luftën, përkundrazi ta intesifikojnë, por ta lenë mënjanë. Ylli polar është hapja e negociatave, fitojmë të gjithë, fiton Shqipëria. Duhet të kontribuojmë të gjithë. Kuvendi ka hartuar tashmë një plan veprimi si edhe ka plotësuar një performancë të mirë. Duhet t’i ngjasojmë parlamentit kroat. Do t’ju kërkoja që këtë standart ta fillojmë dhe ta zbatojmë që në këtë sesion. Shtylla kryesore e Reformës në Drejtësi do të jetë vazhdimi i procesit të Vettingut. Të ketë konsesus të gjerë nga të gjitha palët. T’i paraprijmë vitit, dhe të rrisim etikën parlamentare.

Gramoz Ruçi, kryetar i Kuvendit

Ruçi iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me shtyrjen me një javë të shqyrtimit të ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar. Ruçi tha se s’është shtyrje por kohë për shqyrtim më me përgjegjshmëri të vërejtjeve të Presidentit.

Nuk do e mendoja kështu, konferenca e kryetarëve u mblodh që të miratohet programi dhe kalendari. Përgatitëm draft-kalendarin. U kërkua një javë kohë për ligjin për Teatrin. S’është shtyrje por përgjegjshmëri. Mos të harrojmë kemi një impenjim edhe nga Komisioni Evropian. Është fare normale që të diskutohet. A do e miratojë mazhoranca? Këtë nuk e di. Të presim me maturi.

Gramoz Ruçi, kryetar i Kuvendit

Lidhur me ndryshimet në qeveri, kryeparlamentari u përgjigj se është i hapur ndaj çdo korrigjimi. 

Kur trajtoj problemin e kontrollit, Kuvendi kontrollon qeverinë, në të gjitha aspektet, edhe proceduriale, dhe në instrumentet parlamentare dhe kam qenë rigoriz të korrigjojmë cfarë nuk kemi bërë mirë mes dy pushteteve. Per ndryshime në qeveri nuk është detyra ime, si kryetar i kuvendit une do të mirëprisja që instrumentet pralamentarë, interpelancat, mocioni për debat, i besimit apo mosbesimit, në momentin dhe kohën që të kërkoheshin une do të ushtroj gjithë kompetencat e mia, që këto të kryhen.

Gramoz Ruçi, kryetar i Kuvendit


Fjala e plotë dhe pyetje-përgjigjet e Kryetarit të Kuvendit në takimin me gazetarët
Ky sesion dhe ai i pranverës 2019 do të kenë si mision kurorëzimin e hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor 2019.

I.                  Arritjet e sesionit janar-korrik 2018

Cilat janë disa arritje të sesionit të kaluar:

1.     Rezultatet në zbatimin e reformës në drejtësi janë suksesi më i madh i sesionit të kaluar.

Deri tani kemi miratuar 17 nga 27 ligjet e paketës së reformës, 2 prej të cilave, pjesë e shtyllës së profesioneve të lira, u miratuan gjatë sesionit të kaluar.

Gjatë sesionit që mbyllëm filluam pastrimin e sistemit të kalbur të drejtësisë dhe hapëm rrugën e ndërtimit të sistemit të pastër, që bën e nuk shet drejtësi.

48 seancat e vetingut konfirmuan 21 dhe nxorrën nga sistemi 27 gjyqtarë e prokurorë.

Kuvendi miratoi 5 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe 5 anëtarët e Kolegjit të Lartë Gjyqësor, që vijnë nga trupa e joprokurorëve dhe jogjyqtarëve.

Megjithatë, angazhimi ynë për reformën nuk ka sjellë gjithmonë produktin që prisnim.

Këshilli për Legjislacionin nuk e përmbushi detyrën për ndryshimet në zbatim të pesë vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Nuk miratuam dot Kryeinspektorin e Lartë të Drejtësisë, për shkak të mosfunksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Mosmiratimi i Ligjit për Magjistraturën tregoi se dakortësia për pastrimin nuk u mbështet nga konsensusi për ndërtimin e arkitekturës së sistemit të ri. Do të përpiqemi ta korrigjojmë këtë në sesionin që po nisim.

2.     Gjatë sesionit të kaluar, roli ligjbërës i Kuvendit u forcua dukshëm.

Rreth një e pesta e 101 akteve ligjore të depozituara prej shtatorit 2017 erdhën nga deputetët, duke bërë që Kuvendi të ketë një rol proaktiv në ligjbërje.

Gjatë sesionit të kaluar u depozituan 63 projektligje, nga të cilat 56 nga Këshilli i Ministrave e 7 me iniciativë të deputetëve.

Miratuam 55 ligje, nga të cilat me shumicë të cilësuar (absolute) 26, me shumicë të thjeshtë 29 dhe me konsensus 8 ligje.

Prej shtatorit 2017 u miratuan me konsensus 17 ligje, pra një e pesta e akteve të votuara.

Miratuam 26 marrëveshje ndërkombëtare, që u hapën rrugë programeve për zhvillim e shërbime cilësore, nëpërmjet bashkëpunimit me vende e organizata partnere.

Miratuam 89 vendime, rreth gjysma në ushtrim të kompetencave për emërimet në institucione kushtetuese e të ngritura me ligj, dhe të tjerat për konsolidimin e funksionimit demokratik të Kuvendit.

Miratuam 3 rezoluta, për çështje strategjike, si rekomandimin për hapjen e negociatave; reformën për diasporën dhe qëndrimin për statusin e Jeruzalemit.

3.     Reforma elektorale ishte ndër angazhimet prioritare të Kuvendit gjatë sesionit të kaluar.

Ndryshe nga çdo herë tjetër, Komisioni i reformës zgjedhore u ngrit që në fillim të legjislaturës. 

Prej konstituimit, Komisioni ka zhvilluar 14, ndërsa gjatë sesionit të kaluar 11 mbledhje, 3 seanca dëgjimore dhe 8 tryeza teknike, në bashkëpunim me OSBE-në dhe Këshillin e Europës.  

Çështjet e trajtuara, me rekomandimet e ekspertëve të OSBE/ ODHIR-it, Këshillit të Evropës dhe Komisionit të Venecias, do t’i shtrohen grupit të ekspertëve të Komisionit për të propozuar ndryshime ligjore.

Në korrik vendosëm zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit edhe për 6 muaj.

4. Sesioni i kaluar shënoi sukses në forcimin e etikës, integritetit e moralitetit të degës legjislative të qeverisjes.

Në prill 2018 u miratua “Kodi i Sjelljes ne Kuvend”, i cili përmbushi një rekomandim të Komisionit Europian.

U përgatit dhe po konsultohet me OSBE “Udhëzuesi i Detajuar Për Sjelljen në Kuvend” dhe u ndryshua Rregullorja e Kuvendit për të implementuar këtë Kod.

5.    Opozitës iu krijuan të gjitha kushtet për të ushtruar plotësisht pushtetin e saj legjislativ dhe për të kontrolluar shumicën qeverisëse.

Prej shtatorit 2017 janë zhvilluar 43 seanca plenare, në një shtrirje kohore 276 orë.

Gjatë sesionit të kaluar zhvilluam 25 seanca plenare me 141 orë, 2 mocione për debat, 673 diskutime të deputetëve, nga të cilat  46% nga mazhoranca dhe 54% nga opozita, 4 interpelanca urgjente,  nga të cilat 1 e kërkuar nga maxhoranca dhe 3 nga opozita dhe 1 seancë pyetjesh e kërkuar nga opozita.

U plotësuan 111 kërkesa për informacion të deputetëve nga të cilat 91 nga opozita.

6.     Ngushtuam asimetrinë midis rolit ligjbërës dhe kontrollues të Kuvendit. 

Ndaluam shkeljen e nenit 103 të Rregullores dhe rikthyem në Kuvend një standard të munguar prej vitesh, thelbësor për kontrollin parlamentar: 19 drejtues të institucioneve të pavarura paraqitën raportin vjetor në seancë plenare dhe Kuvendi miratoi 19 rezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së tyre. 

Përmirësuam Mekanizmin e Monitorimit Kuvend-Qeveri-Institucione të pavarura, dhe së shpejti do të aktivizohet platforma online e rekomandimeve, duke e bërë mekanizmin efikas. Mekanizmi po jep rezultatet e para të zbatimit të rekomandimeve.

Miratuam ligjin dhe ngritëm nënkomisionin  e monitorimit për vetingun në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

7.     Transparenca dhe bashkëpunimi me shoqërinë civile e qytetarët u rritën.

Zhvilluam 19 seanca dëgjimore për projektligje e  dhjetra të tjera për çështje me interes publik, me ministra e titullarë institucionesh.

294 grupe interesi e përfaqësues të shoqërisë civile paraqitën qindra amendamente e sugjerim, 555 prej të cilave u miratuan.

Disa komisione parlamentare si Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë edhe Mjedisin, Komisioni për Sigurinë Kombëtare, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë vendosën një praktikë të re: zhvillimin e seancave dëgjimore në institucionet e interesuara.

II.               Objektivat dhe prioritetet e sesionit shtator-dhjetor 2018

Ky sesion do të vulosë legjislaturën e çeljes së negociatave me BE-në. 

Prandaj u bëj thirrje të gjithë grupeve parlamentare, në rradhë të parë opozitës,të ndajmë luftën politike midis nesh, nga beteja e përbashkët për Europën. 

Ylli ynë Polar do të jetë çelja e negociatave.

Nga çelja e negociatave nuk fiton as qeveria as opozita, por Shqipëria. Por që të fitojmë të gjithë, duhet të kontribojmë të gjithë.

Të unifikojmë qëndrimet me Brukselin si një ushtrim për të unifikuar qëndrimet me të gjithë faktorët ndërkombëtarë.

Duke u nisur nga sfidat që ka përpara Shqipëria, veprimtaria e Kuvendit gjatë sesionit të ardhshëm parlamentar do të përqëndrohet në aspektet e mëposhtëme;

1.Fuqizimi  i rolit mbikëqyrës të Kuvendit në çështjet e integrimit Europian.

Kuvendi  ka hartuar Planin e Veprimit me 46 masa në zbatim te rekomandimeve të Komisionit Europian dhe përmirësimin e përformancës, sipas standardeve të larta demokratike.

Përsëris thirrjen që të zbatojmë përvojën e parlamentit kroat, i cili miratoi me konsensus gjithë kuadrin ligjor të përafrimit, jo pak, por 683 ligje, si edhe të gjitha vendimet e Këshillit Kombëtar të Integrimit dhe rekomandimet e përbashkëta të BE-së.

Prandaj do tu kërkoj grupeve parlamentare dhe secilit deputet që këtë standard të fillojmë ta zbatojmë që në këtë sesion.

Kuvendi do të krijojë një mekanizëm të ri për mbikëqyrjen e veprimtarisë së qeverisë gjatë procesit të negociatave, bazuar në praktikat më të mira europiane.

2.Sigurimi i përputhshmërisë cilësore e përmbajtësore  të legjislacionit shqiptar me standartet eBE-së.

3.Përgatitja me prioritet e ligjeve për zbatimin e reformës në drejtësi.

Shtyllat kryesore të reformës do të jenë vetingu, parandalimi e ndëshkimi  i korrupsionit në të gjitha nivelet dhe lufta kundër krimit të organizuar.

Për ligjet e reformës, kam parasysh:

Miratimin e akteve të reformës në proces

Konsensusin për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, si ndryshimet në ligjin për Shkollën e Magjistraturës etj.

Miratimin e ndryshimeve ligjore, në reflektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mbi reformën në drejtësi, si:

projektligji Për statusin e gjyqtarëve;

projektvendimi Për ngritjen e komisionit të pavarur për zbatimin e ligjit Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, depozituar në maj 2018.

Ndryshime të tjera për përmirësimin e kornizës ligjore të sistemit.

Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, për të reflektuar ndryshimet kushtetuese.

Finalizimin e ngritjes së organeve të reja të sistemit të drejtësisë.

4.Kryerja e reformës zgjedhore, përmes hartimit e miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe paketën ligjore, me qëllim adresimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it. Reforma do tu paraprijë zgjedhjeve vendore.

5.Garantimi i triadës legjitimitet-integritet-moralitet i legjislativit, nëpërmjet përfundimit të akteve rregullatore të Kodit të Sjelljes dhe përmirësimit të etikës parlamentare.

6.Rritja e kontributit të Kuvendit në ngushtimin e defiçitit demokratik, nëpërmjet garantimit të transparencës parlamentare dhe përfshirjes së shoqërisë civile e qytetarëve në procesin legjislativ.

7.Rishkimi i kuadrit rregullator të mekanizmit për mbikëqyrjen e veprimtarisë së qeverisë e institucioneve.

Asnjë ministër, ministri dhe institucion i pavarur nuk do të mbetet jashtë monitorimit prej Kuvendit.

Gjatë këtij sesioni do të organizojmë tryezën e dytë të Mekanizmit Ndërinstitucional me Institucionet e Pavarura e Qeverinë.

Do të ndërtojmë e ndjekim platformën online të rekomandimeve të institucioneve.

Kalendari i Kuvendit do të jetë i hapur për agjendën e ekzekutivit, por në përputhje me priroritetet legjislative dhe interesat e vendit.

8.Kuvendi do të aktivizojë të gjithë “radarët”, për të shqyrtuar ndjeshmëritë  legjitime të qytetarëve, publikut e medias, brenda ose jashtë kalendarit të miratuar, për t’i “përkthyer” ato në dispozita ligjore, në shërbim të interesit publik.

Ne nuk mund të qeverisim pa i dëgjuar, pa konsensusin dhe pa bashkëpunimin e qytetarëve. Dëgjimi i tyre rrit besimin publik dhe përmirëson performancën e Kuvendit.

Ju faleminderit.

Pyetje-Përgjigje me gazetarët

Jolldiz Mitro – Jolldiz Mitro nga televizioni “Klan”.
Zoti Ruçi, në fakt, kam dy pyetje, që do t’i bëj të ndara për të mos e marrë përgjigjen në bllok nga ju, në lidhje me dekretin e Presidentit të Republikës për ligjin për Teatrin Kombëtar.
Përse maxhorancës i duhen 14 ditë kohë për shqyrtimin e një dekreti, kur shqyrtimi dhe miratimi i ligjit nga ana e shumicës u bë me urgjencë brenda tri ditëve? 
Pyetja e dytë: A do ta rrëzojë shumica dekretin e Presidentit në datën 20 apo do ta shtyni vendimin sërish në një kohë tjetër?
Gramoz Ruçi –Kam dëgjuar dje në të gjitha lajmet se Konferenca e Kryetarëve shtyu... Nuk do ta mendoja kështu. Konferenca e Kryetarëve prandaj u mblodh, prandaj mblidhet, që të bëjë programin dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit. 
Stafi i Kuvendit, me mua në krye, i përgatiti Konferencës së Kryetarëve draftprogramin dhe draftkalendarin për shqyrtim dhe miratim. Në projektin e paraqitur ishte (në mos gaboj) data 13. Nga komisionet parlamentare u kërkua një javë kohë dhe kjo nuk është shtyrje, përkundrazi, është përgjegjshmëri për ta shqyrtuar me shumë vëmendje, me shumë interes dhe me shumë vlerësim si për të sensibilizuar publikun, ashtu edhe për të studiuar dhe për të implementuar sugjerimet  apo  argumentimet që ka dhënë institucioni i Presidentit. Ashtu sikurse edhe ju keni dëgjuar, për këtë çështje është impenjuar edhe Komisioni Europian. Kështu që për t’i rakorduar të gjitha këto, Komisionit iu desh edhe një  javë kohë. Kjo është shumë normale, në mënyrë që dekreti të shqyrtohet. 
Lidhur me pyetjen e dytë, nëse maxhoranca do ta rrëzojë apo do ta miratojë, unë këtë nuk e di. Nuk jam këtu si përfaqësues i maxhorancës, por si përfaqësuesi i Kuvendit dhe përfaqësoj të gjitha sensibilitetet e Kuvendit, ndaj duhet të më kurseni lidhur me këtë çështje. 
Unë e kam deklaruar edhe herë tjetër, (vërtet i përkas maxhorancës dhe jam i zgjedhur nga maxhoranca), se që nga momenti kur do të zgjidhem, unë do të jem Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Sigurisht, unë kam të drejtën time që në Kuvendin e Shqipërisë, si çdo deputet tjetër, të jap mendimin apo votën time.
Lidhur me interesimin e pyetjes suaj le të presim datën përkatëse të seancës së parlamentit.

Indrit Maraku – Zoti Ruçi, përshëndetje!
Unë jam Indrit Maraku nga kanali “Top Channel”. 
Gjithsesi ju thoni se nuk doni që të flisni në emër të maxhorancës, por jeni një nga eksponentët kryesor të saj dhe nga figurat më të njohura të Partisë Socialiste që drejton sot vendin, kështu që na lejoni të insistojmë në këtë drejtim.
Në muajin korrik maxhoranaca theksoi se do ta rrëzonte në rastin më të parë dhe në respekt të procedurave dekretin e Presidentit, kurse tani thotë se do që të njihet me argumentet e saj. A vini re ju ndonjë ndryshim të qëndrimit të maxhorancës në këtë drejtim? 
Pyetja  e dytë ka  të bëjë me  nisjen  e punimeve   të sesionit  të ri parlamentar dhe mungesën e opozitës.  Zoti  Basha   deklaroi dje nga Shkodra se  e konsideron parlamentin  “një fole  të krimit”.  Si e interpretoni ju këtë shprehje  të  zotit Basha   dhe a keni një përgjigje  për  të? Referuar kësaj shprehjeje, nëse kjo do  të çojë drejt  djegies   së mandateve  të opozitës,  si mendoni  ju se mund  të  funksionojë parlamenti? Çfarë mund  të ndodhë me parlamentin?
Gramoz Ruçi – Për  sa u përket  deklaratave politike, unë përsëri refuzoj  të bëj komente, si për  deklaratat politike  të maxhorancës,  ashtu edhe për  deklaratat politike   të minorancës. Megjithatë, unë  nuk mund    të  qëndroj jashtë këtyre  deklaratave, por, siç ju  thashë, jam këtu për  të  bërë detyrën e Kryetarit të Kuvendit. Çdo  kryetar Kuvendi nuk  do   ta  vlerësonte  që një projektligj, një rezolutë, një vendim  dhe aq më tepër një dekret  i Presidentit të finalizohej pa i hedhur një  sy, përkundrazi,  duhet të  gjykohej  dhe  vlerësohej  me    gjithë maturinë, pjekurinë, kohën, profesionalizmin, përgjegjshmërinë  dhe pastaj të  jepte verdiktin Kuvendi. Kështu që, unë jam në mbështetje  të këtij problemi  që ka marrë kaq  sensibilitet,  të  gjykimit  dhe  vlerësimit  të komisioneve  parlamentare  dhe  të seancës plenare. 
Për  sa u përket  deklaratave, përsëri rezervohem t’u kundërvihem atyre, megjithatë mund  të shpreh një konsideratë timen  për  të  dyja problemet. Kuvendi nuk mund  të konsiderohet  fole  kriminelësh. Kuvendi, në çdo vend dhe aq më shumë në një republikë parlamentare është sovrani, sepse ai e ka prurë aty, sipas Kushtetutës  dhe ligjeve  të shtetit. Kush ka   vlerësime   të veçanta  për individë  të veçantë, ka organe  përkatëse  dhe legjislacion përkatës që bën  vlerësimin apo ndëshkimin e tyre, kurse Kuvendi përfaqëson interesat e  vendit dhe ka të gjithë përgjegjshmërinë kombëtare  të justifikojë misionin për  të  cilin është  ngritur. 
Për sa i përket  djegies  së mandateve, unë   nuk  e kam  dëgjuar këtë tezë. Kam  dëgjuar tezën “marrëdhënie  të kushtëzuara” apo   hapa  të tjerë siç mund  të jetë bojkoti i parlamentit. Sigurisht, para këtij sesioni ka pasur zëra të veçantë për të shkuar deri në djegie mandatesh. 
Më falni për mungesën e modestisë, por nga përvoja  ime e  gjatë në politikë  në pozicionin e deputetit  të thjeshtë, kryetarit  të grupit  apo opozitës i kam provuar të  dyja, luftën politike  brenda sistemit dhe atë jashtë sistemit. Si kushtëzimi, ashtu edhe bojkoti janë forma demokratike, kurse djegia  e mandateve  nuk ka ndodhur te ne. Megjithatë gjithmonë ka një herë të parë, (unë nuk e këshilloj këtë), ama më rezulton se si termi “kushtëzim”, të cilin unë e kam përdorur kur kam qenë përfaqësues i Partisë Socialiste apo kryetar i grupit parlamentar të opozitës, ashtu sikurse edhe termat “bojkot parlamentar” dhe “djegie e mandateve” kanë qenë të diskutuar edhe nga opozita e dikurshme, kur unë isha përfaqësues, por më rezulton se efektiviteti i një opozite janë lufta dhe përpjekjet brenda sistemit, jo jashtë sistemit. Ky është një gjykim dhe vlerësim i çdo force politike, të cilin unë e respektoj.

Esiona Konomi – Esiona Konomi nga “Report televizion”. 
Zoti Ruçi, ju thatë dje se është parlamenti ai që e kontrollon qeverinë dhe jo anasjelltas. Në këtë kontekst, si Kryetar i Kuvendit, por edhe si funksionar i lartë i Partisë Socialiste, a mendoni se ka nevojë për ndryshime në qeveri?
          Faleminderit!
          Gramoz Ruçi – Kur trajtohet problemi i kontrollit parlamentar, në një republikë parlamentare, sigurisht që është Kuvendi ai që e kontrollon qeverinë dhe jo qeveria që kontrollon parlamentin. Kjo është në të gjitha aspektet, që nga aspektet procedurale të raporteve parlament-qeveri dhe deri në përdorimin e të gjitha instrumenteve parlamentare, si dhe në çështje për të cilat unë kam qenë rigorozisht i përcaktuar dhe i vendosur që të korrigjojmë çfarë nuk kemi bërë mirë dhe ta bëjmë edhe më mirë këtë raport ndërmjet ekzekutivit dhe legjislativit.
          Për sa u përket ndryshimeve në qeveri, kjo nuk është detyra ime. 
Unë, si Kryetar i Kuvendit, do t’i mirëprisja të gjitha instrumentet parlamentare: seancat e pyetjeve, seancat e interpelancave, mocionet pa debat, mocionet e besimit apo të mosbesimit dhe, në momentin kur ato do të kërkoheshin, do të ushtroja të gjitha kompetencat e mia, si Kryetar i Kuvendit, që parlamenti të shprehej. Kështu që, unë jam në pritje qoftë nga opozita, qoftë nga pozita. Kush ka, do të ketë të gjithë hapësirën që parlamenti do të gjykojë dhe do të vlerësojë mbi këto instrumente parlamentare.

Thimi Samarxhiu – Thimi Samarxhiu nga “Vizion plus”. 
Zoti Kryetar, në fjalën tuaj lidhur me arritjet, dështimet dhe pritshmëritë për sesionin e ri, u ndalët te reforma në drejtësi. Në fakt, kemi një Gjykatë Kushtetuese që nuk ekziston dhe një Gjykatë të Lartë që nuk ekziston, por, mbi të gjitha, një KLD, ku ka rënë në shumicën e saj. 
Pak muaj më parë ju i jeni drejtuar me një shkresë, në mos gaboj, Presidentit Meta, ku kërkonit rihedhjen e shortit, dhe Presidenti Meta është shprehur se “në atë moment ishte kuorumi dhe nuk është hedhur shorti”. Po në këtë moment kur nuk kemi një KLD, madje, në mos gaboj, janë katër anëtarë, çfarë do të ndodhë? Çfarë hapi do të marrë Kuvendi i Shqipërisë?
Gramoz Ruçi – Faleminderit për pyetjen!
Unë mund t’ju jap edhe një informacion të plotë lidhur me të gjitha organet ku janë krijuar vakanca si rezultat i vetingut. Në qoftë se do të dëshironi, unë jua paraqes atë juve, por meqenëse më pyetët direkt për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, apo jo...
Mund t’ju them vetëm kaq: është e vërtetë se i jam drejtuar Presidentit, por i jam drejtuar këtij të fundit jo sepse nuk e dija që kishte vakanca, kjo është e vërtetë, pra kuorumi ishte, ama për të funksionuar nuk funksiononte. Madje kishte krijuar probleme pikërisht në këto vakanca që krijojnë organet e tjera që varen nga KLD-ja. Pra, kjo ishte arsyeja. 
Presidenti, në përgjigje të shkresës që unë i drejtova, me të drejtë argumentoi se kuorum ka, dhe është e drejtë e tij. Sigurisht, as Presidenti nuk e dinte, por as edhe unë nuk e dija se punë ditësh apo javësh do të krijohej mungesa e kuorumit. Në këtë kuadër, Presidenti ka detyrimin kushtetues dhe ligjor që të ushtrojë kompetencën e tij për hedhjen e shortit. Në qoftë se ai nuk e ushtron këtë detyrë, është e drejtë e tij, ashtu sikurse ligji e ngarkon që, në qoftë se Presidenti shprehet së nuk do ta ushtrojë këtë kompetencë ligjore, unë, si Kryetar i Kuvendit, do ta ushtroj atë menjëherë. 

Ergys Gjençaj – Ergys Gjençaj, News 24.
Zoti Ruçi, ndër objektivat që ju prekët për sa i përket këtij sesioni të ri parlamentar, ju folët edhe për reformën zgjedhore, por në momentin kur ne po flasim klima politike është tejet e tensionuar, opozita ka shprehur raportin e saj të kushtëzuar me parlamentin dhe sot nuk ishte e prezente në  mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, në këto kushte të kësaj klime të acaruar politike, a mendoni se reforma zgjedhore rrezikon të miratohet brenda këtij afati të përcaktuar, ose në rastin më të mirë mund të miratohet në një moment të fundit dhe  do të kishte vërtet vështirësi për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme?
Faleminderit!
Gramoz Ruçi – Pyetja juaj përbën një shqetësim edhe për mua. Kjo është edhe arsyeja që unë kam këmbëngulur, siç thashë dje në fjalën time hapëse për sesionin e ri parlamentar, por edhe sot në këtë komunikim të parë me ju, që Komisioni i Reformës Zgjedhore të krijohej në sesionin e parë të legjislaturës së re, në dallim nga të gjitha legjislaturat e tjera, pasi unë kam qenë në të gjitha prezent, që është krijuar gjithmonë në vitin e fundit të mandatit legjislativ. Sigurisht që pritshmëria ime ka qenë e lartë që ky komision do ta kishte përmbushur misionin e vet. Nuk është arritur kjo pritshmëri. Sigurisht që unë i kam nxitur të dy bashkëkryetarët të punojnë.
Ne kemi njerëz, s’ka vakuum ligjor, sigurisht Kodi ekziston, por kemi edhe dy detyrime të domosdoshme për t’i shqyrtuar dhe për të dhënë verdiktin tonë:
E para, janë tri palë zgjedhje, për të cilat ODIHR-i dhe OSBE-ja kanë bërë disa rekomandime, të cilat nuk janë implementuar. Kjo është një detyrë e papërmbushur nga Kuvendi i Shqipërisë dhe nga forcat politike shqiptare. Në qoftë se të gjithë çirren dhe bërtasin se jemi proeuropianë, se e duam Shqipërinë si gjithë Europa, kjo fillon në radhë të parë nga standardi i zgjedhjeve dhe jo nga kokëfortësia për të mos zbatuar rekomandimet e organizmave ku ne aderojmë. Përkundrazi, duhet të jemi të parët në implementimin e të gjitha rekomandimeve që ata bëjnë dhe, para se të predikojmë, duhet të përkushtohemi që t’i zbatojmë dhe t’i implementojmë këto rekomandime. 
E dyta, me të drejtë Kodi Elektoral nuk mund të bëhet nga një forcë politike, edhe sikur ta kishte maxhorancën e cilësuar.  Kodi Elektoral i përket të gjithë parlamentit shqiptar, pra kërkon një konsensus të gjerë. Kështu që nuk ka Kod Elektoral, ndryshime apo implementime të këtij Kodi pa dakordësinë e të gjitha forcave politike, veçanërisht të opozitës. 
Forcat e ndryshme politike kanë objeksione të ndryshme, maxhoranca kërkon votimin e emigrantëve, ndërsa minoranca kërkon votimin elektronik. Unë, personalisht, i mbështes të dyja, si votimin dhe numërimin elektronik, ashtu edhe votimin e emigrantëve, por çështja është se nuk duhet të humbasim kohë. Boll kohë kemi humbur, këtë shqetësim ngritët edhe nëpërmjet pyetjes suaj. Në qoftë se futet qoftë votimi dhe numërimi elektronik, qoftë votimi i emigrantëve, sigurisht që për t’u bërë realitet kjo që predikojmë apo kjo që kërkojmë ne të implementohen duhet një kohë jo e vogël. 
Së dyti, unë aq kohë sa kam në pushtet, pothuajse kam edhe në opozitë, po bëj një skonto nga ajo që ju premtova, që, ju lutem, kursejini  deklarimet politike, por nga përvoja ime dua t’ju them se kur kam qenë në opozitë, kam qenë i interesuar që një ditë e më parë të bëheshin përmirësimet e Kodit Elektoral, sepse është në interes të opozitës. Çdo forcë politike që del në opozitë ditën e parë pranon humbjen, ditën e dytë fillon dhe mendon për zgjedhjet pasardhëse apo për zgjedhjet e parakohshme. Por që të bëjë realitet këtë  objektiv strategjik që ka çdo opozitë, në radhë të parë, duhet të ketë infrastrukturën ligjore, që është Kodi Elektoral. Kështu që unë shpresoj dhe besoj se ky sesion do ta përmbyllë veprimtarinë e komisionit ad hoc të ngritur për çështjen e ndryshimeve të Kodit Elektoral me miratimin e ndryshimit dhe  të përmirësimit  të Kodit Elektoral  për zgjedhjet  e ardhshme  vendore dhe më pas për zgjedhjet politike.

Lindita Bushgjokaj nga gazeta “Shekulli”- Përshëndetje zoti Ruçi! 
Në vijim të kësaj bisede, doja t’ju pyesja  përsëri për reformën zgjedhore, kush e ka kontraktuar si ekspert të Kodit Zgjedhor ekspertin nga Moldavia, zotin Juri Kurian? Është kontraktuar nga pala shqiptare apo nga Komisioni i Venecias? 
E dyta, përse  nuk bëhet  publik raporti i Venecias, pasi një pjesë  tashmë është publikuar nga disa medie?
Duke qenë se  komisioni deri tani ka vijuar vetëm me seanca dëgjimore, a ka ardhur  momenti që të bëhen konkrete propozimet  si nga  ana e maxhorancës, ashtu edhe  nga ana e  opozitës për sa u përket  propozimeve  për ndryshimet konkrete në Kodin Zgjedhor? Kur do të përgatitet drafti  për t’u dërguar në parlament?
Faleminderit!
Gramoz Ruçi – Lidhur me ekspertin moldav, nuk është ekspert i kërkuar nga  parlamenti apo nga komisioni përkatës, me siguri  duhet të jetë nga Këshilli i Europës, OSBE-ja, ODIHR-i, pasi është e drejta e tyre  të marrin ekspertë. Ne kemi kërkuar asistencë të plotë të ODIHR-it, të OSBE-së dhe të Këshillit të Europës. Se kë përzgjedhin ata si ekspertë, sigurisht është e drejta e tyre. Ne kemi kërkuar që komisioni ad-hoc i parlamentit të përzgjedhë ekspertët. Në dijeninë time ai i ka përzgjedhur ata, të cilët po punojnë për draftin. Në dijeninë time veçanërisht  drafti për të implementuar rekomandimet e  bëra në tre palë zgjedhje, që nuk e kemi bërë, tashmë duhet të jetë i gatshëm për diskutim. Sigurisht  që kërkon vullnetin politik të palëve, ashtu sikurse duhet draftuar propozimi për votimin elektronik pilot ose i përgjithshëm, ose votimi i emigrantëve, i cili ende nuk është draftuar. 
 Unë jam këtu që me interesimin tim të përditshëm  së bashku me dy bashkëkryetarët e komisionit dhe me të gjithë anëtarët e komisioneve që kjo punë të ecë.
Ambruzia Meta – Unë quhem Ambruzia Meta nga Faks News. 
Zoti Ruçi, do të vazhdoj të rri te reforma zgjedhore për të bërë një pyetje të karakterit tjetër. Në vitin 2016 ne kemi pasur një situatë të ngjashme lidhur me reformën në drejtësi, pra në atë kohë lipsej konsensus. Në atë kohë Kryetari i Kuvendit, zoti Meta, ka ndërmjetësuar dhe ka tentuar disa herë për të bërë bashkë Kryeministrin Rama dhe kryedemokratin  Basha në funksion të një konsensusi. A do të bëni edhe ju përpjekje të tilla për të ndërmjetësuar një tryezë dialogu të Ramës me Bashën apo do të prisni që zoti Meta ta bëjë këtë në cilësinë e presidentit?
 Pyetja e dytë lidhet me situatën e kriminalitetit në vend. Si Kryetar i Kuvendit dhe si qytetar, a jeni ju i shqetësuar për ngjarjet e  fundit në Shkodër, por edhe për sulmet e kërcënimet  me armë ndaj  dy gazetarëve?
 Faleminderit!
 Gramoz Ruçi – Sigurisht, ju përmendët nëse do të bëhesha unë interlekutor. Fjalët “të bëheshit intelekutor” nuk më pëlqejnë dhe nuk do t’ia këshilloja askujt të bëhej interlekutor, përkundrazi, shoh dhe vlerësoj që takimi, dialogu, negociatat janë rruga e vetme për të pasur një demokraci funksionale. Në qoftë se në të kaluarën këto janë bërë me sforco, janë bërë pas kuintave ose janë bërë jashtë vëmendjes së publikut, jo shumë transparente, janë bërë me interlekutorë shpeshherë të jashtëm apo shpeshherë me aktorë dhe faktorë politikë apo jopolitikë, mendoj se pas 28 vjetësh ka ardhur koha që aktorët dhe faktorët e forcave politike duhet ta kuptojnë që ka gjëra që na ndajnë, siç është lufta për pushtet, por ka edhe shumë gjëra që na bashkojnë dhe për  gjërat që na bashkojnë, siç janë interesat kombëtare të vendit, të cilat janë të shumta, mënyra e komunikimit, qoftë direkte, qoftë indirekte, qoftë mediatike, qoftë jomediatike duhet të kthehen në normalitetin e aktivitetit politik të aktorëve dhe të faktorëve politikë veçanërisht pozitë-opozitë. 
Ju e patë se në 2016-ën që ju e përmendët, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dërguan përfaqësuesit e tyre për të ndërmjetësuar dhe prunë edhe një paketë propozimesh, dhe kur erdhi puna edhe pse u vendosën disa ditë kohë, kjo më në fund u bë realitet nëpërmjet një takimi fundor në afate inekstreme midis takimit të dy lidërve, të maxhorancës dhe të opozitës. Sipas gjykimit tim që sa më shpejt të ishte bërë ky takim, ky dialog, kjo negociatë aq më mirë do të kishte qenë dhe në atë rast nuk ishte as Kryetari i Kuvendit, as Presidenti i Republikës, as negociatorët ndërkombëtarë, por përkundrazi ishin vetëm këta të dy, të cilët vendosën të takoheshin dhe në këtë godinë apo në atë godinën tjetër, nuk e di se ku (në mos gaboj e bënë këtu takimin, shpalljen e bën atje) arritën në përfundimin që nuk fitoi as njëri dhe as tjetri, por zgjedhjet e vitit 2017 i fitoi vendi. Ato zgjedhje ishin më të qetat që kishin ndodhur ndonjëherë në Shqipëri, sepse faktorët politikë ishin shumë të qetë. Së fundi ata u bindën se edhe në Shqipëri mund  të zhvillohen zgjedhje pa shumë shpenzime; se edhe në Shqipëri mund të zhvillohen zgjedhje, duke mos e pasur pushtetin vetëm një forcë politike; se edhe në Shqipëri mund të zhvillohen zgjedhje, duke e monitoruar dhe kontrolluar të gjithë administratën që të të mos bëheshin pjesë e zgjedhjeve; se edhe në Shqipëri mund të zhvillohet një fushatë zgjedhore pa shumë shpenzime në bazë materiale e të tjerë.
Kështu që unë e vlerësoj, e inkurajoj dhe e mbështes këtë gjë. Nga dialogu nuk humbet asnjë njeri, përkundrazi fitojnë të dyja palët, por, mbi të gjitha, fiton vendi.
Lidhur me kriminalitetin kam dëgjuar se përdoret shumë në retorikën politike dhe në luftën politike. Si fillim, dua të nënvizoj se ju jeni shumë të rinj dhe mund ta arrini atë ditë, e cila do të jetë dita e lumturisë së madhe për të gjithë njerëzimin, që të kemi një kohë pa krim dhe pa kriminalitet. Kjo është një luftë dhe një betejë që nuk është fituar askund dhe më vjen keq që bëhet kauzë politike. 
Pikërisht lufta kundër kriminalitetit duhet të bashkojë faktorët politikë dhe jo t’i ndajë ata, të cilët e luftojnë dhe ata, të cilët e mbrojnë krimin. Për mua  krimi nuk ka ngjyrë dhe për mua, kur ai të merr nuk të pyet as për kë voton dhe as kujt subjekti politik i përket, por ai të merr jetën për interesa të veta. Kështu që, në qoftë se thashë se ka plot gjëra që na bashkojnë, një nga ato është lufta kundër krimit. 
Unë do të isha shumë i ndjerë dhe shumë i lumtur në qoftë se ai gjest që bëri dje opozita në Shkodër të mos bëhej në mënyrë të njëanshme, por ta merrte iniciativën opozita dhe i gjithë parlamenti shqiptar të shkonte në Shkodër, të gjithë deputetët me mua në krye, në mbështetje të të dëmtuarve dhe në rritjen e opinionit publik ndaj krimit dhe kriminelëve. Sa më shumë të ndahen forcat politike, opinionet politike apo të shoqërisë dhe sa më pak të jetë unik qëndrimi i shoqërisë dhe i politikës për krimin, aq më shumë gjallërohet krimi dhe kriminaliteti. Kështu që unë do të mbështesja  çdo nisëm ligjore që forcon legjislacioni shqiptar, jo për të eliminuar krimin, sepse, siç e thashë, do të ishte lumturi e madhe për njerëzimin kur të vijë ajo ditë që të mos ketë më krim, por për të zvogëluar dhe minimizuar atë, ashtu siç do të mbështesja çdo iniciativë që do të bashkonte qëndrimet politike për të përballuar krimin. Ky është  pozicioni im. 
Për sa u përket gazetarëve, besoj se qëndrimin e institucionit të Kryetarit të Kuvendit dhe Kuvendit të Shqipërisë në emër të tij, sepse unë kur jam shprehur, jam shprehur në emër të Kuvendit të Shqipërisë, e kam bërë publik nëpërmjet faqeve të gazetave apo ekraneve tuaja. I ndëshkojmë këto dhe jemi përkrah gazetarëve që gjëra të tilla të mos ndodhin. Shteti duhet të jetë në këmbë për të vënë para përgjegjësisë së ligjit ata që ua kanë shkaktuar këtë shqetësim përfaqësuesve të medies dhe jo vetëm, por çdo qytetari shqiptar. 

Fjorela Beleshi – Fjorela Beleshi nga Ora News.
Zoti Ruçi, 2 kryetarët e grupit të PD-së dhe LSI-së, dje, pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, deklaruan se kërkojnë rishikimin e 6 ligjeve të reformës në drejtësi, si një mënyrë për të pasur konsensusin e opozitës për të zgjidhur ngërçin,  në të cilin është futur reforma në drejtësi. Cili është qëndrimi juaj në lidhje me këtë kërkesë?
Faleminderit!
Gramoz Ruçi – Nuk u kërkua kjo. Por ç’rëndësi ka që nuk u kërkua dje! Kjo është kërkuar herë tjetër. Sigurisht, qëndrimi ynë është ky: janë disa gjëra që duhet të rishikohen, por disa gjëra janë pa kthim mbrapa. Një nga këto gjëra që është pa kthim mbrapa është pikërisht reforma në drejtësi. Prandaj çdo aludim që kërkon të komprometojë, të revizionojë, të shikojë që ta kthejë pas këtë reformë, sigurisht që nuk jam dakord me të. Prandaj jam këtu. Kemi plot gjëra. Siç e thashë janë disa ligje dhe deri tani nuk shoh  të ketë ndonjë  pengesë kushtetuese apo ligjore që parlamenti duhet të shikojë për zhbllokimin e situatës në Gjykatën Kushtetuese, në Gjykatën e Lartë, në KLD, në KLGJ, në Këshillin e Emërimeve, në Inspektoratin e Përgjithshëm. Nuk ka. Ligjërisht janë të zgjidhura. Sigurisht, kur ka  bërë  legjislativi reformën, ndryshimet kushtetuese apo paketën ligjore, nuk mund të parashikonte që një situatë e tillë mund të krijonte  një vakuum  kaq të madh në Gjykatën Kushtetuese, në Gjykatën e Lartë etj., apo nuk mund  të imagjinonte se organeve të vetingut mund t’u duhej një kohë kaq e gjatë për verifikimin e  figurës së prokurorëve dhe të gjyqtarëve. Pra, deri tani unë nuk shoh të ketë ndonjë  pengesë kushtetuese apo ligjore për avancimin dhe për zhbllokimin e organeve   përkatëse për reformën në drejtësi. 
Në qoftë se do të kishte të tilla, sigurisht do të  inicioja dhe do të kërkoja që kjo situatë të zhbllokohet, por deri tani nuk as ka  bllokim kushtetues,  as bllokim ligjor. Kështu, për mendimin tim, reforma në drejtësi  nuk ka kthim mbrapa. Kjo do të thotë se duhet të shikojmë përpara.
Ka pyetje  tjetër? Nuk ka.
Atëherë, ju falënderoj për kohën që  më vutë në dispozicion!
Nuk e di se sa i përmbusha kërkesat dhe interesat tuaja në funksion të detyrës sime si Kryetar i Kuvendit.
Ju faleminderit!
Mirupafshim në takimet e tjera!

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg