Ylli Polovona/ Shqipëria bëhet apo nuk bëhet

Ylli Polovona/ Shqipëria bëhet apo nuk bëhet
Fragment nga libri i ri i Ylli Polovinës “Shqiptarët, diamantët e pagdhendur” “Me tezat e Shqipërisë së Bashkuar, asaj Etnike apo Natyrale apo edhe më keq, Shqipërisë së Madhe, bashkë me lehtësitë që u krijojmë mosdashësve tanë për të na njollosur botërisht dhe për të humbur kështu përkrahjen ndërkombëtare, na detyron ta konsumojmë energjinë e brendshme për një kauzë që sigurohet vetëm kur, nëpërmjet një shoqërie të zhvilluar, të bëhemi shtet i fortë. 

......Shqipëria e ka një dramë të saj kombëtare: ajo historikisht ende nuk është e realizuar.
Në pamje të parë me këtë nënkuptohet çështja e njësisë së plotë territoriale etnike, e bashkimit apo e harmonizimit të trojeve të veta kombëtare.
Në pamje të dytë, por jo në radhë të dytë, është ajo e realizimit të një shteti funksional.

Po pse shqiptarët ndodhen në udhëkryq?
Kjo ngjan sepse ata nuk duan të jetojnë si më parë, por akoma nuk dinë si të jetojnë në të ardhmen.
Shteti shqiptar po ashtu vijon të jetë në krizën e vet të gjatë që nga çasti kur në 28 nëntor 1912 kreu përpjekjen e parë për të dalë nga mosekzistenca shumëshekullore.

Disi e ashpër por e thënë troç, ashpërsisht e shprehur por aspak në mënyrë dashakeqe, në fillim të verës 2014 gazeta e Kosovës “Express” botoi, të përkthyer nga “New York Times”, një shkrim, i cili mes të tjerave qëmtonte për ne edhe këto fjalë: “Ekziston një vend në Ballkan, i cili kufizohet me vetveten...Ku të gjithë nxitojnë për në punë dhe askush nuk arrin në kohë. Aty ku tetë-orëshi i punës zgjat 12 orë. Aty ku shëndetësia është pa pagesë ndërsa shërimi i shtrenjtë. Ku gazetarët janë të lirë të shkruajnë çdo gjë që ju urdhërohet. Aty ku historia përsëritet çdo ditë. Ku më të pasurit janë njerëzit të cilët kurrë nuk kanë punuar...Aty ku ligjet janë të paligjshme, ndërsa anarkia gjendje normale... Është në Ballkan një vend ku me ndershmëri, sinqeritet dhe zell, kurrë nuk do të arrish qëllimin e dëshiruar …”

Sipas interpretimit të këtij vëzhguesi të përtej oqeanit Atlantik shtet normal shqiptar ende nuk ka.
Kjo nuk ndodh aspak për herë të parë e ndërkohë nuk është hera e fundit që pohohet. Në shënimet e të huajve mund të gjesh pafundësisht opinione pozitive për shumë prej cilësive individuale të “homo albanicus”, por nuk gjen dot kurrë një mendim entuziast për shtetin që ai ka ngritur tash e njëqind vite të shkuara.

Këtë hendek mosbërjeje shqiptare, që edhe ne, nga më i riu në moshë e deri tek më i vjetri në përvojë e kuptojmë, na duhet patjetër ta mbushim, sadopak. Ne e dimë njëkohësisht se pengesë kryesore që t’ia dalim mbanë këtij misioni ndërtues është moderimi i karakterit dhe zbutja, liberalizimi i mendësisë tonë të protagonizmit individualist, ku gërvisht në refuzim një mosdëshirë e hapët për të mos pranuar të rrijë mbi kokat tona kryeneçe një autoritet i madh si ai i shtetit.

Ky “i tretë”, shteti, është një faktor shumë i rëndësishëm mëkëmbës, ai ka forcën e rregulluesit dhe të harmonizuesit tonë të brendshëm, të organizatorit të energjive të të gjithëve dhe i bashkimit të tyre në projekte të mëdha zhvillimi, të ndërmjetësit gjakftohtë e të paanshëm për të zbutur dhe zgjidhur konfliktet tona, të frymëpajtuesit dhe, mbi të gjitha, të mbrojtësit të bashkësisë së shqiptarëve, të çdo familjeje dhe veç e veç të çdo individi të etnisë.

Duke qenë se në historinë tonë ka pasur momente ku një shtet më i dobishëm dhe më i vetërregulluar se në më të shumtën e kohës së tij tek ne ka ekzistuar, a nuk mundemi, si shqiptarë të viteve tremijë, ta ngjisim atë edhe një shkallë më lart?

Midis pashtetit, pak shtetit, shtetit minimal dhe një më funksionali, pra për midis këtij raporti problematik, a nuk ka shpresë për ndonjë përmirësim?
Me pak fjalë a mundemi ne këtë defekt të rëndë, këtë shishe me përgjysmë ujë, ta shohim jo si gjysmë bosh, por si gjysmë plot?

Trembëdhjetë karakteristikat që na u duk se janë më kryesoret në vizatimin e identitetit individual të shqiptarëve si edhe ato që i përshkruam si pjesë të tablosë të shoqërisë së tij, mbeten veti të qëndrueshme për shekuj e gjenerata të tëra, për dje, po ashtu edhe për nesër.

Nën këtë kuptim çështja se një pjesë mund të zbehen dhe të shuhen e në vend të tyre të bulëzojnë e të krijohen të tjera, pra që në mote të ardhshme të kemi një “homo albanicus” disi tjetër, të këmbyer, nuk besojmë se ka për të ngjarë. Vërtet në letërsinë shkencore përkatëse thuhet se me ndryshimin e rrethanave historike dhe sidomos shoqërore mund të transformohen edhe karakteret e popujve, por në të njëjtën kohë jemi të detyruar të pranojmë se duhet të jenë ndikues edhe të tjera kushte, e shkuara e largët dhe e afërt e etnisë, kujtesa e saj dhe deri tradita e vetëformimit.

Me pak fjalë për të realizuar ndryshimin e madh, shndërrimin, duhet të përmbyset e tjetërsohet pothuaj gjithçka e mëparshme.
Ndërkaq shqiptari është tip mjaft konservator dhe atë riformatim të identitetit që popuj të tjerë, në rrethana të këmbyera, e bëjnë më lehtë dhe më shpejt, ai e kryen tepër ngadalë dhe me shumë vështirësi.
Por në rast se një rimodelim tjetër të identitetit shqiptar nuk ka të ngjarë që të ketë, një rafinim i atij që ekziston përse të mos shpresohet? “Homo albanicus” një përmasë autokorregjimi apo vetplotësimi duhet patjetër ta ketë. 

Sa është kjo mundësi dhe njëkohësisht aftësi rishikimi e rindreqjeje e vetvetes le të bëjmë një provë për ta vrojtuar.

 
“Shqipëria s’bëhet” një apo dy dekada më parë qe një slogan që në të shumtën e herëve vërtitej në mënyrë cinike nëpër dhembët e disa bashkëkombësve snobë, të cilët luanin në sytë e botës të turpëruarin nga populli i tyre, por tani e ndesh qartësisht tek ata që e duan sinqerisht vendlindjen dhe do ta mirëprisnin me gëzim një ndryshim pozitiv të tij.

Kjo masë mjaft e ndërgjegjësuar për hendekun që ekziston midis dy botëve, asaj të huaj dhe shqiptares, përbën një faktor ndikues në një vetëpërpjekje kombëtare për ripërtëritje morale dhe rindërtim funksional të shtetit.
Sa do të qe i pritshëm një rol i tyre është një çështje që duhet kuptuar si mundësi reale, por edhe si pamundësi, çfarë varet mjaft nga veprimi i protagonistëve të tjerë të mosdashjes, të moslejimit dhe të mbajtjes larg të shqiptarëve prej çdo reformimi.

Një fat të tillë të shpërdorur e pothuaj të humbur ne e kemi përjetuar me arbëreshët.
Gjatë tërë kohës së pushtimit osman, por veçanërisht periudhës së përpjekjes çlirimtare për shkëputje prej asaj robërie, gjatë Rilindjes Kombëtare, ata ndihmuan tepër fort në rizgjimin nacional shqiptar, por ky kontribut i tyre më pas, kur ne përkëtej detit e shpallëm shtetin tonë të pavarur, u kujtua gjithnjë e më rrallë, ndonjëherë edhe u harrua. Pjesërisht të vërtetën shkëlqimtare të kësaj ndihme kolosale e dinë vetëm disa pak dijetarë dhe albanologë, kurse opinioni publik shqiptar e ka tashmë gjë të mosdëgjuar.

Madje dinamika e procesit të këtij harrimi ka shkuar duke u rritur, sepse mjaft dekada më parë këtë kontribut të arbëreshëve e njihnim më mirë dhe e pranonin më shumë, përfshi edhe kohën e qeverisjes komuniste, ku raportet mes dy pjesëve të kombit gjithsesi i mbajti të ngrohta propaganda.

Pas vitit 1990 tisi i moskujtesës dhe bashkë me të edhe i shkujdesjes për t’i nderuar, ka rënë paq. Për pasojë kur nga përtej bregu ndonjë prej dijetarëve arbëreshë, mbase edhe duke e tepruar në përmasën e pretendimit, e kujton rolin dukshëm ndihmues të kësaj diaspore në çështjen jetike të çlirimit prej pushtimit osman, siç edhe ngjau në fillim të shtatorit 2014 me profesorin dhe nënrektorin e Universitetit të Kozencës, Françesko Altimarin, një historian i rëndësishëm i Tiranës iu kundërvu me vrull të madh.

Duke dashur të korrigjonte një ide të disa dijetarëve arbëreshë se 7 marsi, mbështetur vetëm mbi ngjarje të ndodhura në Shqipëri, nuk mund të qe dita reale jubilare e përkujtimit të shkollës shqipe, por një e tillë duhej të ishte një ngjarje e ndodhur në Arbëri, kritikuesi nuk gjeti të nevojshëm asnjë rresht ku bashkë me mospajtimin e tij të rishprehte, me këtë rast, edhe dy fjalë të mira për ndihmën e jashtëzakonshme të bashkëkombësve të emigruar pesë shekuj të shkuara.
Qe një mirënjohje e harruar.
 
 
Shpresa dhe mosshpresa nëse bëhet apo jo Shqipëria lë të kuptojë se kjo nuk është vetëm çështje vullneti, padëshire, pamundësie apo paaftësie. Nga bashkëkombësit ky mision konsiderohet si i ndërlikuar dhe tepër i vështirë. Shqiptari është plot kontradikta, për pasojë e koklavitur mbetet edhe ajo çfarë ai sendërton.

I pari i materializuar prej lëndës së tij njerëzore është kombi, kjo krijesë që në historinë e botës është e vetëm disa shekujve më parë. Për të siguruar të drejtën e të qenit komb mjaftojnë tre përbërës kryesorë: gjuha, trojet dhe zakonet e përbashkëta. Për ta ruajtur këtë tërësi duhet shteti dhe shoqëria. Këto dy të fundit nuk janë patjetër identike me përmasat e kombit. Mund të jenë edhe më të zgjeruara, por më së shumti shprehen në përmasa më të vogla.

Në rastin tonë kombi është dy herë më i madh se shteti i Shqipërisë dhe pesë herë më tepër se shteti i Kosovës.
Shoqëria shqiptare nuk përputhet plotësisht as me kombin, as me vetëm njërin prej dy shteteve tona.

Por gjendje të gjymtuara ka kudo në botë. Në rastet e një parregullsie të tillë shqiptarët, përveç kësaj mangësie, i kanë shumë më pak të harmonizuara dhe të natyrshme raportet mes kombit, shtetit dhe shoqërisë. I kanë po ashtu edhe më pak funksionale.

Doemos që pa pasur komb nuk bëjmë dot as shtet dhe as ngremë dot një shoqëri. Ndërkohë që të tria këto nuk mund t’i harmonizojmë në rast se nuk kemi një elitë. Por elitat nuk funksionojnë pa vetë njeriun, në rastin tonë pa vetë shqiptarin.

Kështu krijohet një kordon i përshkallëzuar i pesë elementëve të ndërvarur dhe që, si enët komunikuese, vënë në lëvizje njëri-tjetrin. Një ngutje e njërit përbërës dhe ngadalësimi i një tjetri, pra enjtja e kombit apo e shtetit dhe ligështimi i shoqërisë apo i elitave dhe individëve, ose e anasjella, nuk ndihmojnë në formimin e një trupi të fortë dhe të shëndetshëm etnik, e një identiteti koherent dhe me stabilitet të brendshëm, me zhvillim rritës të qëndrueshëm.

Shqipëria hyn në këtë rast të fundit.
Deformimi i parë ka të bëjë me raportin e katër përbërësve të tjerë me kombin.
E tërë vëmendja e shqiptarit, e elitave dhe e shoqërisë së tij nuk është e përqendruar tek shteti, por mbi të gjitha mbetet i ngulmuar tek nacioni. Ndërkohë nacionalizmi ynë ka fare pak të bëjë me përkatësinë e të qenit qytetar dhe nënshtetas i Shqipërisë apo i Kosovës. Ai nënkupton vetëm lidhjen e drejtpërdrejtë me trojet etnike.

Kombin “homo albanicus” e kërkon në gjendjen klasike të tij, si shekuj më parë kur shtetet përpiqeshin të qenë kombe dhe kombet të bëheshin shtete. Në siujdhesën e Ballkanit dy të barabartët e tij numerikisht, grekët dhe serbët, shtetet i zgjeruan më shumë nga sa kishin hapësirat e kombeve të tyre. Këtë prirje e kanë edhe tani, edhe pse për shkak të zhvillimeve qytetëruese globale si edhe të rrethanave ndërkombëtare më frenuese, për zgjerim të mëtejshëm tashmë përdorin jo mjetet e luftës, por ato të depërtimit paqësor, siç janë ekonomia, kapitali financiar dhe ndërhyrja kulturore.

Në Ballkan edhe malazezët si edhe maqedonasit sllavë kanë shtete më trupmëdhenj se territori kombëtar. Pa ndonjë mungesë të qenësishme në raportet komb-shtet janë edhe kroatët bashkë me sllovenët.
I shpërpjesëtuar është vetëm ai me shqiptarët.

Duke mos arritur dot të bënte një shtet feudal unik në mesjetë, pra pa qenë ndonjëherë shtet në përputhje me etninë dhe territorin e natyrshëm, “homo albanicus” u mësua të mbijetojë me ndjenjën e kombësisë.
Në një farë mënyre shqiptari ishte një lloj jetimi. Në mungesë të “nënës” kishte vetëm “babanë”. Me pak fjalë u kap pas kombit dhe u rrit vetëm prej tij.  

Kjo, doemos, edhe i pëlqente “homo albanicus”-it. E pati më për zemër kombin se shtetin edhe për arsyen se i pari nuk kishte qeveri, pra një autoritet suprem, komandues, epror, çfarë kryeneçësinë e tij e bezdiste.
Ndërkohë kush nuk ia deshi të mirën u përpoq t’i hiqte aftësinë për të mëvetësuar edhe vetëm si komb. Një ish kryeministër serb i shekullit të shkuar, Vlladan Gjeorgjeviç, shpalli se “shqiptarët nuk janë një komb, por një përzjerje fisesh të ndryshëm..”

Edhe deklarata e formatuar më në brendësi të Evropës se shqiptarët qenë vetëm një shprehje gjeografike në thelb këtë prapamendim kishte.
Kur më në fund “homo albanicus” e krijoi shtetin e vet (me përpjekjen e tij dhe aspak se ia bënë gati të tjerët), qe vonë për t’iu baraslarguar këtij rregulli. Tashmë për t’u zhvilluar dhe forcuar i ishte bërë zakon të investonte vëmendje dhe përpjekje tek kombi dhe aspak tek shteti. Ndërsa dihej që vetëm ky i fundit dhe jo e kundërta, ia siguronte vazhdimësinë e rritjes.
Kombi mund t’i jepte vetëm vijimësinë e ekzistencës.

Ky deformim i raportit shtet-komb do të sillte si pasojë mospërputhje të tjera edhe më të mëdha e në rrethana të tilla do ta kishte të vështirë të kompaktësohej një shoqëri e harmonishme me në funksionim cilësinë e saj kryesore: të punonte në dobi të shqiptarit.

Kështu në vend që të kishim një strukturë të rregullt vertikale komb-shtet-shoqëri-elitë-individ, raporti i brendshëm mes tyre u pozicionua dhe ka mbetur në formën individ-komb-shoqëri-shtet-elitë. Pra është i çrregulluar.
Duket si një lloj ore tavoline që bën tik-tak, por vetëm e shtrirë barkas.
 
 
Por a mund të vendoset gjithçka në vendin e vet dhe mekanizmi i “albanicus” më në fund të punojë normalisht?
Në rast se ky riformatim është i realizueshëm, cili faktor mund ta kryejë?

Ndërsa fryma e patriotizmit, atdhedashuria, na ndihmon t’ia dalim misionit të ndryshimit, pasioni për të bërë më së pari kombin, si qëllimi dhe si çështja më supreme, në kushtet e përshpejtimit të globalizmit dhe bashkimit me BE, nuk na favorizon më.

Ajo tashmë na zë këmbët, na pengon.
Me tezat e Shqipërisë së Bashkuar, asaj Etnike apo Natyrale apo edhe më keq, Shqipërisë së Madhe, bashkë me lehtësitë që u krijojmë mosdashësve tanë për të na njollosur botërisht dhe për të humbur kështu përkrahjen ndërkombëtare, na detyron ta konsumojmë energjinë e brendshme për një kauzë që sigurohet vetëm kur, nëpërmjet një shoqërie të zhvilluar, të bëhemi shtet i fortë.

Madje radikalizmi i pikëpamjeve të mësipërme provon boshllëkun real që kemi për ta arritur qëllimin nëpërmjet një ecurie dialektike, ku gjithçka përgatitet maturisht dhe vjen në kohën e duhur, si rrjedhojë e një procesi të përshkallëzuar.

Sforcimi nuk u ka dhënë rezultat as fqinjëve tanë, as popujve të tjerë në kontinent e më tej. Pas vitit 1913, kur në siujdhesën e Ballkanit kufijtë “ngrinë”, serbët dhe grekët, më kërcënuesit historikisht ndaj nesh, nuk kanë shtuar asnjë centimetër truall tjetër.

Nuk mund të thuhet kjo për shqiptarët, të paktën pas motit 1999.     
Kjo strategji nuk ka të bëjë me ndonjë teknikë pritjeje dhe ca më keq formë apatie, duarkryqëzimi. Për një bashkim demokratik e të natyrshëm të të gjithë shqiptarëve në trojet e tyre etnike duhet të punohet përditë, por jo me shpërndarjen e ca hartave provokuese dhe akoma më ters, nëpërmjet ngritjes së disa grupeve të armatosura apo “ushtrive çlirimtare”.
Këto të fundit bien erë spiunazhi kundër nesh.

Tek bashkimi kombëtar shkohet jo nëpërmjet aventurës lokale, me kokëkrisje vetjake, pa mbështetjen e vendeve të zhvilluara demokratike, por pikërisht me këtë konsensus të fundit. Kjo do të thotë se minimalisht nuk mund të ketë shqiptarë të bërë bashkë brenda një territori pa hyrë më së pari vendi ynë dhe shteti i Kosovës në Bashkimin Evropian.
Kush kërkon të anasjellën ëndërron mëkot.

Zbutja e peshës së kufijve në gadishull dhe hapja totale për qarkullimin e shpejtë të mallrave, të njerëzve dhe të kulturave, nuk do të ndihmojë vetëm bashkimin e shqiptarëve, por edhe atë të serbëve, të hungarezëve të Vojvodinës apo të kroatëve.

Të gjitha këto ngecje duhen të zhbllokohen, në një dakordësim ballkanik, evropian dhe ndërkombëtar, në një mirëkuptim të domosdoshëm mes njeri-tjetrit. 

ylli plovina


































































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet miratuar rezoluta anti-korrupsion e propozuar nga PS?



×

Lajmi i fundit

Novak Djokovic sëmuret në fushë, humbet ndeshjen me numrin 44 të botës

Novak Djokovic sëmuret në fushë, humbet ndeshjen me numrin 44 të botës