Ylljet Aliçka prezanton :Il
sogno italiano" në Romë

Ylljet Aliçka prezanton :Il<br />sogno italiano
Shkrimtari Ylljet Aliçka “zbarkon” në Romë me promovimin e librit të tij të fundit të publikuar në Itali “Il sogno italiano” (Valsi i lumturisë- versioni në shqip), nga shtëpia botuese “Rubbettino” me përkthimin e Giovanna Nanci.

Prezantimi i librit është zhvilluar në sallën e Kishës Valdese në qendër të kryeqytetit italian, organizuar nga bashkëpunimi i shoqatës “Occhio blu- Ana Cenerini Bova” dhe nga revista “Confronti”.
 
Takimin e drejtonte Ambasadori Mario Bova i cili ka përfaqësuar shtetin italian në Shqipëri në periudhën 1999- 2003. Në takimin ku dhe janë lexuar pjesë të ndryshme librit nga një aktore italiane, përveç autorit ishin të pranishëm dhe kanë folur e shpjeguar librin edhe vetë Ambasadori Mario Bova, që më pas duke bërë punën e moderuesit i ka dhënë fjalën edhe personaliteteve të tjera të kulturës italiane dhe asaj shqiptare, të pranishme në prezantim si shkrimtari dhe gazetari Oliviero La Stella, antropologu dhe profesori i Universitetit të Messinës Mauro Geraci, drejtori editorial i shtëpisë botuese Rubbettino, sociologu shqiptar Rando Devolle.
 
Aliçka duke folur mbi librin e tij ka treguar jo vetëm se cila ka qene shkëndija e parë që ka sjellë në krijimin e këtij romani mbas leximit të një artikulli të shkurtër të zbuluar vite me parë në Corriere della Sera, por ka shpjeguar edhe idetë e tij mbi historinë sociale të Shqipërisë gjatë viteve të diktaturës si dhe interesin e tij sociologjik mbi natyrën humane dhe shoqërore në përgjithësi. “Historia e famshme e Popave është shndërruar në një histori shoqërore”, shprehet shkrimtari duke zbuluar se në librin e tij personazhet janë në pritje të lumturisë.
 
Ai ndër të tjera ka shpjeguar edhe pjesën tragjikomike të vajtimit të diktatorit duke thënë se “episodi i vajtimit të diktatorit është shumë kompleks, sepse në këtë fakt kanë luajtur rol të rëndësishëm dy faktorë:  frika dhe hipokrizia”.
 
Ambasadori Bova e ka nisur prezantimin e tij të librit duke thënë se “familja Popa ndihej si një lloj personifikimi i heronjve që thyen diktaturën shqiptare, duke e vënë në vështirësi si regjimin shqiptar ashtu edhe politikën italiane, përfshirë edhe postin më të lartë të OKB-së për atë kohë. Ata pretendojnë të jenë ata që i hapën rrugën emigrimit shqiptar në Itali dhe në fakt, në një mënyrë apo tjetrën, kjo është e vërtetë. Në fakt, 6 vjet më pas anija e parë “Vlora” mbërriti në brigjet italiane me rreth 20 mijë shqiptarë”.
 
Ndër të tjera, Bova ka nënvizuar edhe rolin jo pozitiv të televizioneve italianë që si sirena mediatike i kanë tërhequr shqiptarët me “magjinë e Mulino Bianco- shprehje që në Itali përdoret për të përshkruar “familjen e lumtur italiane”.
 
Bova, nënvizon momentin komik të librit gjatë funeralit të diktatorit, kur spiunët marrin shënime mbi lotët e hedhura, mbi vuajtjen e shprehur duke u rrëzuar përtokë, duke shkulur flokët. “Autori ka një kapacitet jo të zakonshëm të krijojë mënyra të treguari të ndryshëm për momente të ndryshme që përshkruan. Kështu nëse për të treguar regjimin diktatorial përdor farsën, një lloj komedie italiane siç thoshte Dario Fo, për të rrëfyer trishtimin dhe gjendjen e jetës në Itali, momentin kur protagonistët duhet të ishin të lumtur, ai përdor tragjedinë”.
 
Sociologu shqiptar me banim në Itali, Rando Devolle shprehet se në librin e Aliçkës janë ngritur tema të rëndësishme si Liria. Në këtë libër ka shumë mure, rrethime, burgje, ai ka përshkruar një burg të madh të krijuar si një lloj matrioshke ruse, me shtresa të ndryshme. “Protagonistët e librit arratisen nga një burg, për të rënë në një burg tjetër, në burgje të tjera… “.

Në këtë libër Devolle nënvizon edhe faktin se protagonistët janë si të përhumbur, pa një atdhe, pa një pikë referimi. Sepse në fund të fundit, mure, rroje, kangjella mund të jenë më të thjeshtë për t’u përballuar sesa vetë Liria. Personazhet zbulojnë se duke ardhur në Itali, jetojnë në indiferencën e shtetit italian, si një lloj mbeturinë humane, qe nuk arrin të kuptohet, që ndihet e përkulur, e keqtrajtuar. Ata nuk janë më as shqiptarë dhe as italianë.
 
“Romani i Aliçkës është një mjet i rëndësishëm për të njohur atë periudhë historike, sidomos sepse rrëfehen episode e pjesë të rëndësishme të jetës së përditshme të shoqërisë shqiptare. Libri më pëlqeu shumë sepse jo vetëm sepse paraqet më së miri mënyrën e të folurit të asaj epoke, por edhe sepse riprodhon atmosferën e asaj periudhe. Më vjen keq për italianët që nuk do të kuptojnë rëndësinë e “radhës së qumështit” apo të “fabrikës së tutkallit”, ka thënë Devolle.
 
Gjatë prezantimit të romanit Aliçka vetë ka pranuar se “personazhet e mi janë të parët që përballohen me ëndrrën italiane dhe shpresën e përmirësimit të jetës, gjë që do të bëhet më pas e mundur për shumë shqiptarë të integruar në Itali, por për familjen Popa nuk do të ndodhë kurrë”.
 
Për të pranishmit, romani i Aliçka është si një roman i fuqishëm kafkian. “të kujton “Kështjellën” e Kafkës me leksionin e saj të burokracisë dhe rrëfen këtë makinë të pafundme që funksionon vetë pa menduar për njerëzimin, pa mëshirë e dhembshuri”.
 
Poeti dhe ambasadori shqiptar në Vatikan, Visar Zhiti ka ndërhyrë duke thënë se “pesimizmi i Kafkës ishte negativ, ndërsa ai i Aliçka është pozitiv”. “Ylljeti ka thënë se nuk i ka njohur personalisht vëllezërit Popa por në të vërtetë ai i ka njohur”, ka deklaruar Zhiti duke shtuar se, “ne të gjithë shqiptarët jemi vëllezërit Popa”.
 
 Zhiti ka treguar se i ka njohur vite më parë vëllezërit Popa sepse vinin në ambasadën shqiptare për t’u ankuar për palën italiane. “Një paradoks i madh”! e ka quajtur Zhiti sepse “ ata vinin në ambasadën e vendit që mohuan për t’u ankuar për pritjen që u kishte bërë shteti që ata zgjodhën”. Por Zhiti ka një ide të tijën për Atdheun që në të vërtetë nuk humbet e as nuk gjendet sepse “mjafton të shohësh brenda vetvetes për ta rigjjetur. Por personazhet e librit në të vërtetë donin të arratiseshin nga vetvetja”.

alickaj

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar