“Yyyyyy… m’iku truri…”, rasti “Elmaz Haruni” dhe harunizmi si pjesë e pandarë e berishizmit

“Yyyyyy… m’iku truri…”, rasti “Elmaz Haruni” dhe harunizmi si pjesë e pandarë e berishizmit

Kryetari i PD në Gramsh, Elmas Haruni gjatë incidentit me policinë

“Bota mund të ndryshohet nëpërmjet shembullit që jep ti vetë dhe jo nëpërmjet predikimeve që bën” / Paulo Koelho**

Rasti më i fundit i konfliktit me policinë nga kryetari i PD-së Gramsh Elmaz Haruni është shembulli më i qartë dhe më i mirë i vetëdiskreditimit të një qytetari, familjari, arsimtari dhe politikani të padenjë në kohën tonë. Në Shqipëri, si kudo në botë, ka shtetas të tillë që as nuk kanë dhe as nuk përfillin kurrfarë morali qytetar, prandaj nuk njohin kurrfarë rendi shtetëror. Për këtë arsye, për sjelljet e shtetasve me formim të tillë nuk ka arsye të ndalesh posaçërisht.

Mirëpo Haruni nuk është një shtetas i panjohur (anonim). Ai mban një diplomë universiteti, paguhet si edukator i fëmijëve dhe synon të udhëheqë politikisht jetët tona, si përfaqësues i PD. Ndërkohë, Elmaz Haruni nuk është as i pari dhe as i vetmi politikan shqiptar që konfliktohet me punonjësit e ruajtjes së rendit dhe që demonstron sjellje, fjalor dhe moral të denjë për llumin e çdo shoqërie njerëzore. Meqë bartës dhe demonstrues të një mentaliteti dhe sjelljeje të tillë ka shumë në shoqërinë shqiptare dhe, ku më pak e ku më shumë, edhe në forcat e tjera politike, çështja merr të tjera përmasa dhe meriton të ndalesh për të vënë në dukje tiparet e përbashkëta të këtyre tipave që po i emërtoj si “Harunizëm”.

Tiparet kryesore të Harunizmit janë: mjerimi kulturor, karakteri i deformuar, sjellja e vrazhdë, mospërfillja e normave morale dhe e ligjeve të shtetit, hipokrizia dhe shtrembërimi i të vërtetës, arroganca, përdorimi i përkatësisë politike për të justifikuar sjelljet kriminale etj.

Harunizmi u fut në jetën politike dhe shoqërore shqiptare nga Sali Berisha dhe është pjesë përbërëse dhe e pandarë e berishizmit si mënyrë sjelljeje që, natyrisht, është rrjedhojë e mënyrës së të menduarit për vete dhe për shoqërinë. Pa folur për të gjitha shfaqjet e shëmtuara të Armatës së Harunëve, nevojitet të sjellim në vëmendje të lexuesit 4-5 rastet më të fundit dhe më domethënëse të shëmtisë haruniste.

Makina me të cilën udhëtonte ish-deputetja e PD-së, Albina Deda u ndalua nga policia e Lezhës vitin e kaluar dhe iu kërkua të mbante largësinë e përcaktuar me ligj nga eskorta e Presidentit të Republikës, të cilës i ishte bashkëngjitur pa qenë pjesë e saj. Në vend që t’iu bindej kërkesave të ligjit të shqiptuara nga punonjësi i policisë, deputetja iu vërsul atij me një fjalor mospërfillës, arrogant dhe banal që zakonisht e shfaqin femrat që, për edukatë i quajmë të rrugës, për të mos u përmendur emrin me të cilin i njeh gjithë bota. Makina e ish-kryetarit të PD-së së Lushnjës, Myslym Murrizi, u ndalua, gjithashtu, vjet për shkelje të rregullave të qarkullimit. Reagimi i Murrizit ishte i denjë për halabakët e trotuareve dhe gangsterët e klubeve të natës. Në vend që të ishte në krah dhe në ndihmë të punonjësve të rendit, ferra politike me emrin Murriz me një sintaksë plot gjemba fyente dhe kërcënonte policin sikur t’i kishte zënë dhomën e gjumit. Madje, ky Murrizi, plotësisht i vetëdijshëm se ashtu duhej sjellë ndaj përfaqësuesve të shtetit vazhdon të shprehet me të njëjtin fjalor të dhunshëm e ndotës edhe në media e parlament. Askush nuk priste të qortohej nga par(t)ia e vet, sepse ai është shpërblyer prej saj me postin e deputet pikërisht për t’u sjell ndaj shtetit, shërbëtorëve dhe qytetarëve të tij ashtu siç sillet, duke dëshmuar kështu, përveç të tjerave, edhe kalbëzimin moral të atyre që e përzgjodhën.

Kur shikon videon e Harunit e ke të qartë që policët kanë përballë një të tërbuar, por nuk e ndan dot nëse është i dehur apo i droguar. Ndërkohë e ke të pamundur të besosh se ai është mbajtës i një diplome universitare, se paguhet nga taksat tona për të “edukuar” fëmijët dhe se është figura më madhore e opozitës politike në një bashki. Fjalët që ai iu drejton policëve, veprimet që kryen dhe mentaliteti që shpërfaq duken të denja për një gangster periferie por, në të vërtetë, janë tiparet dalluese të harunizmit që përpiqet, si gjithë soji i tij, për t’u vlerësuar si berishistë.

Ai, ndër të tjera, thotë: “O b.thë ..ra! O hashashaxhinj! O ju q..sha motrën! E di ç’je ti për mua? Një këlysh i Fatmir Xhafës je” (fyerje për shkak të detyrës, sipas K.Penal). “Mbaje mend ç’kam për të të punuar! Ndalon kryetarin e PD-së së Gramshit, ça ke? Ti s’më njeh mua kush jam. O bobo, çdo iu bëj unë këtyre…!” (kanosje për shkak të detyrës, po sipas K.P.) dhe, sikur të mos mjaftonin këto, tenton të dalë nga makina me forcë edhe pasi polici e urdhëron të mos dalë prej saj (kundërshtim për shkak të detyrës e cilëson K.P.).

Jo vetëm Haruni që ishte pasagjer, por edhe drejtuesi i makinës ishte një tjetër harun që i skërmitej policit dhe i kërkonte llogari përse i kishte marrë çelësin e makinës. Mentaliteti, morali dhe sjelljet e Harunit, megjithëse janë haptazi dhe qartazi të pamoralshme dhe të dënueshme penalisht e që me të drejtë shkaktojnë indinjatë dhe neveri tek pjesa dërmuese e popullit shqiptar, gjetën (si përherë) mirëkuptimin dhe miratimin e kupolës drejtuese të PD-së e cila, nëpërmjet një haruni tjetër, të quajtur Luçiano Boçi (emër që të shtyn të kujtosh një eksponent të shquar të Koza Nostras), tha: “Terror policor i hapur në mes të qytetit dhe linçim publik vetëm se është kryetar i PD-së… Elmazi u provokua deri në kufijtë e së pamundurës me forca e britma policore… Kushdo do të kishte kundërshtuar këtë maskaradë politiko-policore…”.

Si gjithmonë, në mbështetje të akteve imorale dhe kriminale të bandës së tij të harunëve do të dilte edhe drejtuesi real i formacionit politik (PD) dhe kultivuesi i amoralitetit dhe i veprimtarisë antishtet të kësaj armate horrash që kanë gati 30 vjet që nuk lënë gjë pa bërë dhe pastaj përpiqen të përdorin përkatësinë dhe koracën politike për t’u mbrojtur nga ndëshkimet ligjore për aktet e kryera. Në mbrojtje të Harunit, Sali Berisha u shpreh: “Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe aktin banditesk të narkobanditëve me uniformë të Edvinit…”.

Se cilët ishin banditët në rastin konkret, shqiptarët patën mundësinë ta konstatonin nëpërmjet videos së shfaqur në media e, rrjedhimisht, nuk do ta kenë të vështirë as të përcaktojnë edhe kryebanditin, njeriun simbol antishtet i cili e ka mësuar armatën e vet të harunëve se mund të fyejnë, shpifin, kanosin, grabisin, djegin, rrahin e vrasin dhe në fund do të mund të përligjen me shprehjen e njohur: “Na kanë provokue”.

Mentaliteti mesjetar i harunistëve të cilët njohin vetëm përkatësinë fisnore, krahinore e partiake dhe shpërfillin kombin, popullin, ligjin dhe shtetin i ka bërë ata që të ndiejnë urrejtje për shtetin, kur atë e drejton kundërshtari politik. Kanë mbjellë dhe e mëkojnë edhe tek të tjerët urrejtjen që ta zgjerojnë rrethin e atyre që e konsiderojnë punonjësin e policisë, atë të taksave apo kontrollorët e tjerë të zbatimit të ligjshmërisë, jo si zyrtarë që përfaqësojnë të domosdoshmin shtet, por si “armiq” që duhen përbuzur, fyer, kundërshtuar dhe dhunuar. Shikojini dhe dëgjojini këta gangsterë të veshur me pushtet politik dhe të majmur me paratë dhe pasuritë tona se çfarë fjalori, epitetesh fyes përdorin, veçanërisht ndaj punonjësve të policisë të cilët janë pjesa e administratës shtetërore më e ekspozuar ndaj lodhjes fizike, përçmimit moral dhe rrezikut për jetën.

Armata e Harunëve beson se mund të bëjë çfarë të dojë, të sillet si i pëlqen, duke përbuzur çdo normë morale dhe nëpërkëmbur çfarëdo ligji dhe, me gjithë këto, të vazhdojë të gëzojë paprekshmëri ligjore, sepse: “Ti s’më njeh mua kush jam…. O çdo t’ju bëj unë juve…” etj., thotë Haruni dhe sivëllezërit e tij. Mund të merret lehtë me mend se si do të silleshin e vepronin këta harunë po t’u jepet mundësia të ulen në karriget e pushtetit ekzekutiv. Fjalët e mësipërme të Harunit dëshmojnë qartë mentalitetin e tyre se ata duhet të gëzojnë një status ekstraligjor, mbi të tjerët, që iu mundëson mospërfilljen ndaj ligjit dhe paprekshmërinë kur e shkelin atë. Predikimet e tyre për gjoja ” shtet ligjor ” dhe ” barazi të të gjithë shtetasve përpara ligjit ” kompromentohen dukshëm dhe bindshëm nga sjelljet e tyre të vazhdueshme.

Të gjithëve na kujtohen thirrjet e Lulzim Bashës nga Çadra kur kërcënonte policinë dhe vetë Kryeministrin e zgjedhur demokratikisht. Neve na kujtohen thirrjet e tyre drejtuar biznesit për mospagim taksash, sikundër na kujtohet që kërkesën e organeve shtetërore ndaj biznesit për të paguar detyrimet ligjore e shpallën “terror shtetëror”. Janë po këta që iu prinin grupeve të rrugës për të hyrë me forcë në Parlament kur zgjidhej Kryeprokurorja e Përgjithshme. Janë po këta që u prinin rrugaçëve për të hyrë me forcë në sallat e gjykatës kur vlerësoheshin masat e sigurisë ndaj vandalëve të Kalimashit dhe, më vonë, nëpërmjet një çyryku fizik dhe mental, që e kanë pas graduar dikur ministër e president, bënin thirrje për t’i shpallur zjarrvënësit e Kalimashit “të burgosur politikë”.

Ende nuk duhet quajtur kohë e humbur për t’i parë se si sillen në Parlament. Prandaj duhet të vazhdojmë t’i shohim. Pavarësisht nga rendi i ditës dhe tema në diskutim, ne nuk shohim as dëgjojmë kurrfarë mendimesh, idesh apo alternativash opozitare, por shohim çetën e harunëve që ngrihet në këmbë, zapton foltoren e Parlamentit, dërgon aty komandantin de jure të armatës, të ngrefosur sikur të ketë gëlltitur okllainë, thonë në Korçë, dhe të rrethuar nga tonton makutët** e tij politikë të cilët, në kor, fyejnë, shpifin, godasin kundërshtarët politikë dhe, në fund… braktisin seancën. Ata nuk kanë mend, por besojnë fort se problemet e veta (jo të popullit) do t’i zgjidhin me forcë. Më kot turfullonte Haruni përpara policëve, si derr i plagosur, kur thoshte: “Yyyyyy… m’iku truni…”. Cili tru, mor i mjerë? Edhe ata që kanë ca shkollë i ka turbulluar plotësisht angazhimi i gjatë në Armatën e Harunëve, rregullorja e së cilës nuk përputhet askund me rendin demokratik. Përkundrazi, bie ndesh me kodin universal moral të shoqërisë njerëzore.

Nuk do të ishte keq që Haruni, Murrizi dhe të gjitha ferrat e armatës antishtet të pyesnin dhe të shikonin vazhdimisht emisionet e televizioneve perëndimore që kanë të bëjnë me ligjin dhe rendin (Law and Order; Law Enforcement etj.) në mënyrë që të kuptojnë se një sjellje e tillë, si ajo e Harunit të Gramshit, në SHBA do të kishte marrë si përgjigje tërheqjen zvarrë nga makina, vendosjen e gjunjëve në fyt, prangosjen e duarve dhe… (larg qoftë) edhe njëlekëshin ballit. E sigurt është se nuk do të ndahej pa 5-6 vite burg. Pastaj, kur të dilte nga burgu, le të shkonte e të rianëtarësohej në armatën e vjetër. E kanë të nevojshme t’i shohin këto emisione, për të mirën e vet, pasi duket se po afron dita që edhe në Shqipëri të vendoset sadopak shteti ligjor dhe harunët nuk do të mund të ndahen aq lehtë dhe të shpëtojnë aq paq si deri më sot.

“Është koha për ndryshim!”, bërtet duke bredhur poshtë e përpjetë Shqipërisë kryetari formal i opozitës. Me cilët, mor Lulzim, do na e sjellësh ndryshimin? Edhe po të lanë të ndërrosh mendje, ti nuk ke kohë. Në zgjedhjet e ardhshme, vendore dhe të përgjithshme, ne do të shohim dhe dëgjojmë këta harunët e tu që do na premtojnë ndryshimin, ligjin, shtetin ligjor, moralin, Republikën e Re, dekriminalizimin etj. Por populli nuk harron aq lehtë. Ai tashmë ka një shkallë tjetër perceptimi. Harunët dhe harunizmin i vlerëson si një armatë të hershme mesjetare. Si ajo e Hunëve./marrë nga Dita/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Altintop: 30/07/2018 17:56

    Shkrim perfekt mbi realitetin e trishte shqiptar! BRAVO!!

    Përgjigju
  • Mario: 29/07/2018 00:27

    Kisha kohe pa lexuar shkrim te tille. Skishe pse e politizoje ne fund, efektin nje shkrim kaq i goditur e jep pa patur nevoje ta politizosh. Komplimente,

    Përgjigju
    • Arben Metani: 29/07/2018 08:11

      Bravoooo! Nga pak, e gjejme te gjithe veten si subjekt ne kete shkrim. Eshte ambienti dhe kultura provinciale qe i ben te mbivleresojn vetveten kur vihen ne nje karrike partiake apo pushteti. Ti gjithe synojne te arrijme perfkten por jo te gjithe dhe jo menjehere e arrijne. Shtypi dhe gazetari ndihmojne dhe jane pjese e ketij perfeksionizmi.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion