Yzeiri: 'Joker', filmi që po trondit kinematë

Yzeiri: 'Joker', filmi që po trondit kinematë

Filmi projekton katër plagët që po shoqërojnë epokën e globalizmit dhe shoqëritë perëndimore, si bota e financës, mediat vulgare, pushteti agresiv etj. Jokeri ose antiheroi i mishëruar në figurën e një të dizekuilibiruari që duket sikur simbolizon pjesën e përjashtuar nga shoqëria, të fyer dhe të nëpërkëmbur, që shpesh është pjellë dhe viktimë e dhunës, hakmerret duke institucionalizuar si mjete të hakmarrjes dhunën dhe vdekjen.

Nga Ilir Yzeiri

Nuk e mbaj mend herën e fundit që kam qenë në kinema, megjithëse më pëlqen të kaloj shpesh nga Pedonalja dhe pranë kinema « Milleniumit », të qëndroj te baret aty dhe të shoh posterat e mëdhenj të filmave që do të shfaqen. Prisja dhe pres, në fakt, të vijë « Yesterday », një film romantik që sjell edhe një herë atmosferën e magjishme të këngëve të Bitëllsave përmes historisë së bukur të një këngëtari amator që nuk arrin të depërtojë në botën e muzikës. Për më tepër, pas një aksidenti me biçikletë, ai thyen disa dhëmbë dhe kjo e bën më të vështirë rrugën e tij. Zgjedh këngët e Bitëllsave dhe me to i magjeps të gjithë. Mirëpo, megjithëse filmi ka dalë që në qershor, në Tiranë nuk ka ardhur.

Nuk e di përse mes meje dhe kinemasë ka vetëm një lidhje – shëtitja te Pedonalja dhe vështrimi i posterave që vendosen aty. Pak më tej, vendi ngjet me një park të bukur mbushur me bare. Ndërkaq, për filmin « Joker » po lexoja dhe po dëgjoja shumë. Ishte përhapur menjëherë lajmi se loja e Joaquin Phoenix është e mrekullueshme, ndërsa miti i Jokerit, këtij antiheroi që i kundërvihet Batmanit, më tërhiqte, po ashtu. Për të gjitha këto dhe për shumë arsye të tjera, vendosa të shkoj në kinema.

Ishte e shtunë, ora 19. Tetori është një muaj i bukur, por sivjet, për shkak të diellit dhe freskisë në mbrëmje është edhe më i bukur. Shumë të rinj që presin të hyjnë në kinema, vetëm pak, dy-tri çifte që i kanë kaluar 50-at, ngjajnë si të ardhur nga një vend tjetër. Por kinemaja është mbushur dhe ndjesia është e bukur. Më kujtohen kohët kur kinematë ishin plot dhe ndër kënaqësitë më të mëdha

që provonim. U duk sikur televizioni apo interneti do ta mundnin kinemanë apo librin dhe printin. Ende jo, përkundrazi, ka filluar një rigjallërim i tyre. Edhe në Shqipëri, po ashtu. Madje janë me shumicë të rinjtë që vijnë në kinema dhe kjo i bën ata njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në Europë që zgjedhin në fillim kënaqësitë që shijohen në ambiente kolektive dhe jo vetminë nganjëherë vrasëse të rrjeteve sociale.

ILUZIONI

Por filmi ka filluar. Nis loja e bukur e Joaquin Phoenix. Në ekranin e madh projektohet portreti i një klouni me buzët e shqyera dhe të lyera me të bardhë, hundën e kuqe dhe një tabelë në dorë. Ai hidhet e kërcen në rrugë, qesh e zbavit kalimtarët. Befas, disa të rinj i rrëmbejnë pankartën që mbante në dorë. Ai i ndjek, ata vrapojnë, pastaj, në një lagje të mjerë, te disa kazanë plehrash ata i kanë zënë pritë. E rrëzojnë dhe e mbytin me shqelma e grushta. I thyejnë edhe tabelën në kokë. Ngrihet i përgjakur dhe ikën në shtëpi. Kështu nis historia e këtij klouni që jeton në Gotham City. Kthehet i dërrmuar dhe aty e pret e ëma, e cila, edhe ajo, ashtu si ai, është e përpirë nga një sëmundje tjetër nervore: kjo ka humbur kontrollin mbi të shkuarën e saj dhe, për ta fshehur tragjedinë që ka kaluar i biri edhe për faj të saj, ka ndërtuar një histori iluzive sipas së cilës djali i saj është fëmija ilegal i kryetarit të bashkisë së qytetit, me të cilin ajo ka pasur marrëdhënie kur punonte si pastruese në shtëpinë e tij. Ndaj, çdo mëngjes, ajo shkruan nga një letër për të dhe ia jep të birit që t’ia dërgojë në postë.

Aty ajo i qahet për gjendjen e vështirë të të birit. Arthur Fleck, kështu quhet protagonisti i filmit, është i dërrmuar nga të gjitha anët. Konsultat me psikologen që e ndjek pasi ka dalë nga spitali, shkojnë keq. Në një prej tyre ajo i thotë se shteti ka bërë shkurtime në buxhetin e trajtimit të këtyre lloj të sëmurëve; ai nuk do të ketë mundësi që të blejë ilaçet. Janë shtatë lloj medikamentesh që i duhet të përdorë në ditë. Me këtë gjendje të rënduar shkon në kompaninë e klounëve ku punonte. Të gjithë e dinë se disa të rinj e kanë dhunuar. Por bosi i kërkon të gjejë tabelën që ia kanë thyer në kokë. Një koleg i tij i afrohet dhe i jep një pistoletë. Merre, i thotë, të mbrohesh dhe lekët m’i jep kur t’i kesh.

Në një shfaqje në një spital fëmijësh, duke performuar, i bie pistoleta. Skandal. Kthehet dhe shefi i kompanisë së klounëve, i alarmuar për këtë incident, e pushon nga puna. I traumatizuar niset për në shtëpi pa hequr maskën. Në trenat e natës, në një vagon gati bosh, i përhumbur në ndenjësen e tij sheh se tre të rinj fodullë dhe arrogantë po ngacmonin një vajzë të re me brutalitet. Ajo lëviz

nga vendi, ata e ndjekin, ai u del përpara, ata e shtyjnë e nisin ta qëllojnë me shqelma e grushta dhe, në një çast, ai nxjerr pistoletën, qëllon dhe vret të parin, pastaj ndjek dhe vret edhe të dytin. Nuk ngopet me gjak dhe e ndjek dhe vret edhe të tretin. Kthehet në shtëpi dhe sheh lajmet: vriten tre djem të rinj të botës së financës. Personi që ka qëlluar, mbante një maskë klouni. Ndërkaq, një nga personazhet e famshme të televizionit disa herë kishte parodizuar një shfaqje të tij ku ai tregonte se donte të bëhej aktor komik. Naiviteti i tij përqeshet nga ylli televiziv i shoët, Murray Franklin, interpretuar nga Robert De Niro. Janë vënë në lëvizje të gjithë. Dy agjentë vijnë në shtëpinë e tij ta pyesin për vrasjen që ka tronditur qytetin.

Gazetari i famshëm e lajmëron se ka dëshirë ta ftojë në shoën e tij, natyrisht, për t’u zbavitur me dobësitë e tij. E ëma, duke dashur të largojë nga shtëpia dy detektivët që vijnë të kërkojnë të birin, rrëzohet, plagoset e bie në koma dhe shtrohet në spital. Arturi kishte mësuar duke hapur një nga letrat e së ëmës historinë e tij me kryetarin e bashkisë. I shkon te shtëpia dhe aty takohet me djalin dymbëdhjetëvjeçar, me atë që, sipas së ëmës, duhet të ishte vëllai i tij nga i njëjti baba. Pastaj, në tualetin e teatrit të qytetit e takon dhe Thomas Ëayne, kryetari i bashkisë i zbulon se e ëma vuan nga manitë dhe gjithë kjo histori është e sajuar. Ty të ka adoptuar, i thotë ai, dhe unë e ndihmova duke e çuar në azil. Aksioni merr një rrjedhë të papritur. Ai gjen dosjen e së ëmës në azilin Arkham dhe aty merr vesh të vërtetën e tmerrshme.

Ai është adoptuar dhe, kur ishte fëmijë, e ëma e ka lënë të abuzohet nga bashkëjetuesi i saj i dhunshëm. Ikën në shtëpi dhe aty i vijnë për vizitë dy ish-kolegët e tij. Ai vret atë që i dhuroi pistoletën. Pastaj shkon në spital te e ëma dhe e mbyt me jastëk edhe atë. Ndërkaq, në banesën e tij jeton dhe një grua me një vajzë të vogël. Autorët kanë treguar me mjeshtëri iluzionin e heroit me këtë fqinjë të bukur. Ai gati e kishte besuar se kishte rënë në dashuri me të, se kishin dalë bashkë, se ajo e kishte shoqëruar edhe në spital. Të gjitha iluzione. Pas krimit të tmerrshëm ndaj së ëmës, ai shkon në shtëpinë e saj bërë qull edhe nga shiu. Ajo llahtariset, por ai del dhe nuk ndodh asgjë. Iluzioni aty shuhet. Ndërkaq, bëhet gati të marrë pjesë në shoën e Murray Franklin.

Përgatitet, shkon dhe aty, në dialog me të, ai tregon të vërtetat tragjike. Unë i kam vrarë tre djemtë e pasur. Unë e kam mbytur edhe mamanë time. Sapo vrava dhe një koleg timin. Dhe nxjerr pistoletën dhe vret në transmetim të drejtpërdrejtë edhe gazetarin e famshëm. Të gjitha këto veprime i kryen sikur të ishte duke luajtur në një shfaqje rolin e zbavitës te klounit. Del nga studioja. Policia i vihet mbrapa. E arreston dhe, duke e çuar në rajon, spektatorët shohin se qyteti është përfshirë nga manifestime të dhunshme dhe të gjithë mbajnë nga një maskë si klounë. Të gjihë janë me klounin që vrau djemtë e pasur. Dhunë në rrugë, plaçkitje, një kamion përplas

makinën e policisë ku ndodhej ai dhe protestuesit e nxjerrin jashtë, e vënë mbi kofanon e makinë e ai përmendet ngadalë. Qyteti është nën pushtetin e klounëve që po djegin e po plaçkisin gjithçka. Salla e kinemasë sulmohet nga protestuesit me maska dhe njëri prej tyre e ndjek në një rrugë kryetarin e bashkisë dhe të shoqen dhe i vret që të dy. Në fund, Arthur Fleick na shfaqet në një spital psikiatrik e në dialog me psikiatrin, nuk i tregon atij shakanë e fundit që ka në kokë, por nis të këndojë këngën That’s life, kurse në një anë tjetër, Bruce-i i vogël, djali i kryetarit të bashkisë, është në një korridor spitali përballë pirndërve të mbuluar me gjak.

LEXIM METAFORIK I KRIZËS

Siç shihet, filmi duket sikur është ndërtuar i gjithi mbi apoteozën e dhunës. Në kulturën pop amerikane figura e Jokerit, që nga ana etimologjike vjen nga loja me letra, pra, xholi, ai që futet kudo dhe që zgjidh çdo situatë, është ndërtuar që në vitet ’50 si e kundërta e Batmanit, heroit që ndihmon të pambrojturit dhe që, ashtu si lakuriqi i natës, ngjitet mbi ndërtesa dhe e ndjek të keqen kudo që ajo ndodhet. Ndërsa Jokeri përdor dhunën e pakontrolluar dhe simbolizon deri diku djallin. Maska prej kllouni që ai përdor disa herë të kujton edhe Xhek Nikolsonin në filmin Batman.

Kritika franceze ka krahasuar imazhin e Jokerit si tipologji me atë të Kuazimodos dhe me Guinplenin e Viktor Hygosë. Ndërsa në shumicën e tyre, të gjithë kritikët janë në një mendje se ky film është shumë pranë realitetit dhe është një lexim metaforik i krizës dhe i dhunës që, në shumë raste, karakterizon shoqëritë e mëdha perëndimore. Vrasjet me armë zjarri në Amerikë, protestat e jelekverdhëve në Francë që të kujtojnë dhunën me maska si të klounit në këtë film, janë një jehonë edhe e protestave në Hong Kong, Kili, Bejrut e Bolivi. Aq e vërtetë është kjo, sa, kur u shfaq filmi në disa kinema, transmetimi i tij u shoqërua edhe me praninë e policisë aty në mënyrë që të mos përsëritej ngjarja e Aurorës, që, siç dihet, ndodhi natën mes 19-20 qershorit 2012 në sallën e kinema Aurorë, në Kolorado të SHBA-ve, ku u vranë 12 persona prej 24 vjeçarit James Eagan Holmes në kohën që po shfaqej filmi The dark Knight Rise.

Ndërsa, në një vështrim tjetër, filmi duket sikur ka projektuar katër plagët që po shoqërojnë epokën e globalizmit dhe shoqëritë perëndimore, të cilat janë mbërthyer nga kriza të thella. Nga njëra anë bota e financës që në film simbolizohet me tre djemtë arrogantë dhe fodullë që duan të përdhunojnë një vajzë të pambrojtur në tren, media vulgare dhe pushteti i njerëzve që me cinizëm tregojnë të pavërteta dhe e shohin anën tjetër të botës, pjesën e pambrojtur si ushqime për humorin e tyre të zi. Pushteti i fryrë dhe agresiv që, nga njëra anë shton luksin dhe nga ana tjetër pret fondet për trajtimin e të pambrojturëve dhe të sëmurëve. Familja, kriza e thellë dhe dhuna e, brenda saj, Jokeri ose antiheroi i mishëruar në figurën e një të dizekuilibruari që duket sikur simbolizon pjesën e përjashtuar nga shoqëria, të fyer dhe të nëpërkëmbur, që shpesh është pjellë dhe viktimë e dhunës, hakmerret duke institucionalizuar si mjete të hakmarrjes dhunën dhe vdekjen. 

Mirëpo autorët nuk mendojnë kështu. Regjisori Todd Philips, që është frymëzuar sidomos nga Taxi Driver-i i Scorcezes thotë se antiheroi ose leximi i personalitetit të njeriut është gjithmonë diçka që i kapërcen kufijtë e realitetit. Në një intervistë tjetër, ai thotë: “Përpiquni të jeni zbavitës në këtë shoqëri të zgjuarish dhe të vetëdijshëm. Ka shumë artikuj që rrekin të shpjegojnë pse komeditë nuk funksionojnë më. Po ju tregoj pse, sepse të gjithë djemtë me të vërtetë zbavitës e lënë këtë punë nga frika se do të ofendohen prej të tjerëve. Është shumë e vështirë të debatosh me 30 milion njerëz në Tëiter. Është vërtet e pamundur, apo jo? 

Kështu, që thoni ju, unë po ndaloj dhe e dini pse? Të gjitha komeditë e mia kanë një pikë të përbashkët – dhe mendoj se është rasti i të gjitha komedive – ato janë të parëndësishme. Befas, i thashë vetes: si mund të bëj një film të parëndësishëm gjithë duke i bërë naftën komedisë? E di, thashë. Marrim universin e komikëve dhe u përdredhim qafën atyre. Pikërisht kështu pata idenë të bëj Jokerin” (Allociné, Megan Choquet, 3 tetor 2019). Ndërsa një tjetër, autor dhe teolog, Alex McFarland, thotë: “Do të doja të thoja se të rinjtë që janë të dashuruar me antiheroin dhe me vrasësin dhe njerëzit realisht të deziluzionuar e me karakter mashtrues, janë tregues i shkatërrimit të familjes dhe prishjes së kulturës. Mund të themi shumë gjëra për këtë, por ajo që i lidh ata me antiheroin, është pikërisht vetëdija se ata ndihen të tjetërsuar”.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI