Yzeiri: Teatri, aktorët dhe loja

Yzeiri: Teatri, aktorët dhe loja

Jo pse rikthimi i temës së Teatrit Kombëtar, më saktë i godinës së saj, u bë përsëri qendra e debatit publik, por, më shumë për një arsye tjetër, mua më duket se, për ta karakterizuar jetën publike, metafora e teatrit, e aktorëve dhe e lojës, është mjaft e gjetur në rastin e Shqipërisë.

Po cila është kjo arsye?

Në teoritë e komunikimit, kur flitet për marrëdhëniet mes njerëzve në një komunitet të caktuar, përdoret metafora e teatrit, në kuptimin që njerëzit e ndërtojnë jetën e tyre publike si në një skenë teatri. Ligjërimi i tyre, pra, ndërtohet gati si një dramë. Gjithçka që shenjohet nga institucione publike,pra, ligjërimi në to, në një farë mënyrë, imiton skenën e teatrit. Parlamenti, gjykatat, institucionet publike, në përgjithësi, shfaqjet publike të takimeve të politikanëve të të gjitha krahëve me simpatizantët e tyre, protestat apo manifestimet na shfaqen si të realizuara në një skenë teatri, sepse, në to, secili ka një rol dhe i bindet rolit që ka tjetri.

Aq e politizuar është jeta sa nganjëherë edhe vende të ndërtuara për shplodhje a zbavitje dhe për shkëputje nga jeta aktive, si kafeneja, bari, restoranti apo një takim mes miqsh, shndërrohen në skena teatri dhe ata që gjenden aty kthehen befas në aktorë që recitojnë.

Mirëpo kush e shkruan dramën dhe çfarë teksti recitojnë këta aktorë të pafajshëm ? Në shumicën e herës tekstin e shkruan qeveria, pra, ajo prodhon dramën, por edhe opozita shkruan një tekst tjetër ose prodhon një dramë tjetër, të cilën, në shumë raste, e luan vetë, në kuptimin që nuk pranon aktorë të tjerë që t’ia vënë në skenë këtë vepër.

Në shoqëritë e zhvilluara demokratike teksti i dramës që luajnë aktorët publikë është më shumë një riprodhim i një teksti më të vjetër institucional që mbështetet ose në përvojat dhe traditat e atij vendi, ose në normat e reja moderne të zhvillimit të shoqërisë. Në të gjitha këto raste, ata që shkruajnë dramën, pra, qoftë qeveria, qoftë opozita, përpiqen të respektojnë ekpertizat e dijetarëve të fushës, të institucioneve kushtetuese dhe të kenë gjithnjë parasysh se kufijtë e tyre janë të limitura, se ata nuk mund të zënë kurrë vendin e autorëve që shoqëria i ka pranuar si të paprekshëm. Këta autorë, në mënyrë figurative, janë etërit e një kombi që kanë shenjuar me jetën dhe veprën e tyre mbrothësinë e atij vendi, janë institucionet juridike, kultura dhe përgjithësisht vlerat e pranuara nga të gjithë.

Mirëpo, në vende si i yni, ku gjithçka është vënë në dyshim, ku edhe budallai i fundit i fshatit televiziv hiqet si i pari i të marrëve të Bulevardit, metafora e teatrit nuk ngjit sepse drama, aktorët dhe loja nuk respektojnë asnjë kriter.

Debati mbi të ardhmen e TK-së më kujton një episod nga kriza e disa mujave më parë kur studentët u përfshinë në demonstrata dhe disa të tjerë nxituan ta shfrytëzojnë këtë zemerim për një kauzë që nuk gjeti mbështetje. E kam fjalën për Ligjin e Arsmit të Lartë. Kaq u banalizua kërkesa për abrogimin e këtij ligji sa protestuesit e Astir-it i vunë kusht qeverisë edhe abrogimin e Ligjit për Arsimin e Lartë.

Po ashtu, paradoksi më i madh është se Edi Rama nuk prodhon apo nuk shkruan drama që i reciton vetëm Lulëzim Basha. Në mënyrë të çuditshme dramat e tij i kthejnë në monologë tragjkë një numur aktorësh që i recitojnë ato me patetizëm tragji-komik në studio televizive ose i rishkruajnë si tekste të pavarura, duke e akuzuar Edi Ramën edhe si Neron, por duke kërkuar që ata vetë t’i vënë zjarrin këtij vendi. E gjithë kjo bëhet në kushtet kur Edi Rama, sipas tyre, ka kapur lirinë e medies, megjithëse të gjitha mediet nga mëngjesi në darkë shfaqin monologët e atyre që e paraqesin këtë dramaturg më keq se Neronin.

Protesta për të ardhmen e TK-së është një dramë, autor i së cilës është Edi Rama. Qysh kur ishte kryetar bashkie e ministër kulture ai shfaqi vizionin që kjo godinë duhet shembur dhe në vend të saj duhej ndërtuar një tjetër, më funksionale dhe më moderne. Reagimi kundër këtij projekti nxori në skenë mjaft aktorë të spikatur të jetës sonë publike. Ndër ta unë do të veçoja studiuesin e shquar dhe mikun tim Aurel Plasari. Ekspertiza e tij se përse ai kompleks duhet ruajtur më është dukur dhe më duket bindëse.

Mirëpo, fill pas kësaj, në skenën e ligjërimit publik u ngjitën aktorët e njëmendtë, pra të punësuarit në Teatrin Kombëtar të cilët, befas, morën rolin e mbrojtësve të qytetërimit shqiptar. Si qytetarë të këtij vendi secili ka të drejtë që të shprehë një opinion, pra, të marrë një rol dhe ta luajë atë, por është absurde që aktorët e sotëm të identifikohen me teatrin shqiptar, pra, me historinë e lavdishme ose jo të atij teatri.

Në këta 30 vjet tranzicion, me ndonjë përjashtim të rrallë, aktorët e atij teatri jo vetëm që nuk kanë lënë asnjë gjurmë, por u shndërruan më shumë në nëpunës të zakonshëm të një ndërarrjeje të zakonshme. Një aktor nuk e bën skena dhe as godina të talentuar. Aq më tepër sot që mundësia për të gjetur një vend për të luajtur është e pamatë, glorifikimi i godinës apo i vendit është pretendim i tepërt. Godina e një teatri i shërben më shumë imazhit të një vendi, kulturës së tij, për të treguar qoftë historinë e kësaj gjinie, qoftë edhe kulturën e tij.

Në këtë kuptim, historia e teatrit shqiptar, që nis me teatrin e realizmit socialist është zhvilluar mbi një godinë të ndërtuar nga pushtuesit italianë për nevoja krejtësisht të tjera nga ato që do të kërkonte ky teatër. Është fakt se kompleksi «Skënderbej» ku përfshihet edhe godina e TK-së është dhe ruan edhe një pjesë të memories sonë, por ky tekst i kësaj memorieje, nuk ruhet në artefaktet e asaj godine të rrënuar. Më shumë ai ruhet në dokumente e në fotografi.

Nga kjo pikëpamje, do të ishte me interes që në një pjesë të Teatrit të ri të ndërtohej një vend ku të imitoheshin ato ngjarje që kanë ndodhur në kompleksin « Skënderbej ». Edhe muzeu më i bukur i Çaplinit është ndërtaur në Zvicër, përkatësisht në Veve, në një vend ku ai vetëm ka jetuar, por aty me anë të interierëve, janë riprodhuar pranë shtëpisë ku ai kaloi fundin e jetës të gjitha skenat e filmave të tij të famshëm. Kështu mund të ndodhë edhe me teatrin e ri.

Në një vend të tij mund të riprodhohet gjithë historia e kompleksit « Skënderbej », nga krijimi deri të fundi i tij. Kështu siç është, ajo godinë nuk ka asnjë gjë nga historia që ajo mbart.

Kjo opozitë, që është reshtuar me të punësuarit e TK-së, ishte tetë vjet në pushtet dhe nuk bëri asnjë gjë që të realizonte atë që u ka premtuar aktorëve se do të realizojë nëse ajo do të vijë në pushtet. Ajo e dinte shumë mirë se nëse Edi Rama do të vinte në pushtet, do të realizonte projektin e tij.

Tani ne jemi përballë faktit të kryer që vizioni i Edi Ramës do të realizohet dhe kostot për të do t’i marrë ai vetë dhe qeverisja e tij. Edi Rama ka një model bindës dhe ky është stadiumi «Qemal Stafa», të cilin ai e paraqiti si projekt dhe e realizoi. Këtë sfidë do të përballojë edhe me transformimin e atij territori në një ansambël që do të ketë brenda Teatrin e ri Kombëtar dhe njësi të tjera shërbimi. Kundër këtij projekti, është e drejta e gjithkujt që të ketë objeksione, kundërshti dhe mospajtime, ashtu siç është edhe e drejta e atyre që janë mandatuar nga ne që të realizojnë ato ide që atyre ju duken progresive.

Mirëpo në qoftë se Rama dhe qeveria e tij kanë shkruar këtë dramë, pra dramën që përshkohet nga veprimi se mbi terrtiroin e TK-së do të ngrihet një kompleks tjetër, aktori kryesor që vë në skenë dramat e Ramës, Lulzim Basha, ka zaptuar skenën dhe nuk lë asnjë aktor tjetër që të interpretojë edhe ai rolin e tij. Për fat të keq, deri tani, ai nuk po prodhon një tekst që ta interpretojnë të tjerë, sepse është i pa aftë.

Por është mjeshtër për të recituar si aktorët e vatrave të kulturës dramat që shkruan Rama. Në rolin e tij si aktor Basha shfaqet si një djalosh patetik që denoncon e denoncon e nuk lodhet kurrë. Problemi i tij është se ngatërron tekstin dhe improvizon. Në turin e tij dramatik në jug ai po reciton dramën e 30 qershorit dhe duke qenë se pëlqen improvizimin, dhe i bindur se arti funksionon me « sikur », ai e ndërton ligërimin e tij mbi këtë pjesë ligjërate. Plani i prapëm i lojës së tij është një realitet i shpikur prej tij.

Ai u thotë aktorëve se «sikur» unë te jem kryeministër do të bëj këtë dhe atë për ju, pastaj zbret në jug dhe thotë « sikur » zgjedhjet të bëhen nesër unë jam kryeministër. Pastaj «sikur» unë të jem kryeministër do të fus në burg këtë dhe atë. Sapo mbaron së recituari rolin në dramën e TK-së, shfaqet në rolin e 30 qershorit, madje edhe pa ndërruar leckat e protagonistit.

Skenën e teatrit ku luhen pjesët që shkruan Edi Rama e ka zaptuar tani në fund edhe Ilir Meta. Si Basha dhe Meta, jo vetëm që po na e bëjnë vapën më të lehtë, por, në mungesë të zbavitjeve të stinës, po na e shtojnë gazin.

Të dy këta aktorë të pjesëve që shkruan Rama, kanë harruar se recitojnë në një skenë pa spektatorë. Lulëzim Basha e pranon edhe vetë këtë kur thotë se me mua janë 85% e shqiptarëve, pra, ai flet në një sallë me mbi 2 milion spektatorë, ndërsa Meta bëhet vërtet aktor interesant kur përmend idhullin e tij, ish-presidentin mysliman Izetbegoviç dhe vendlindjen bashkë me Abaz Aliun. Mungon vetëm kënga e Demir Zykos :

Mbeçë, more shokë, mbeçë

përtej Urën e Qabesë…/TEMA

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dosja SKY ECC/ GJKKO pranon kërkesën e SPAK, kalon për proces Erzen Breçanin, Dedan Gjonin dhe 6 të tjerët! Për një pushohet çështja (VENDIMI)

Dosja SKY ECC/ GJKKO pranon kërkesën e SPAK, kalon për proces Erzen Breçanin, Dedan Gjonin dhe 6 të tjerët! Për një pushohet çështja (VENDIMI)